Kulturë

Piro Milkani – kolosi që vulosi identitetin e filmit shqiptar

Piro Milkani (9 janar 1939 – 24 maj 2025)

Piro Milkani (9 janar 1939 – 24 maj 2025)

Trashëgimia që ka lënë pas, është një kapitull unik në historinë e filmit shqiptar, guxoi të thyente klishe e të sillte “pranverën kinematografike shqiptare”. Piro Milkanit, të dielën, një ditë pas vdekjes, iu dha lamtumira e fundit. Në Kosovë është çmuar edhe si urë lidhëse midis filmit në Kosovë e Shqipëri, e mbi të gjitha mik i çmueshëm. “Them që si Piruan vështirë të takosh më sepse ai ishte edhe ura lidhëse e filmit kosovar me atë shqiptar dhe ishte frymëmarrja më e sinqertë artistike në Tiranë”, ka thënë regjisori Isa Qosja. “Tani që këto ‘lule të pranverës kinematografike shqiptare‘ po shuhen një nga një, në kulturën shqiptare po ngel një vakum i ftohtë dhe i trishtë”, ka thënë regjisori Agim Sopi. “Ai arriti të krijojë një numër të madh të veprave filmike, duke kontribuar si në cilësi dramaturgjike, ashtu edhe në atë të imazhit apo fotografisë filmike”, ka thënë drejtori i fotografisë, Afrim Spahiu

Qe vizionar i vërtetë i kinemasë dhe një nga kineastët e parë të kinematografisë shqiptare. Emri i regjisorit Piro Milkani, kolosit të artit filmik të këtyre anëve, lidhet ngushtë me historinë e filmit shqiptar. Nga miqtë vlerësohet edhe si urë lidhëse midis filmit në Kosovë e Shqipëri. Regjisori i shquar vdiq të shtunën. Ishte 86-vjeçar. Lamtumira e fundit iu dha të dielën në Tiranë.

Një jetë të tërë iu përkushtua filmit. Karriera e tij prej gjashtë dekadash përcillej nga kontributi i jashtëzakonshëm me artin regjisorial. Janë mbi njëzet filma artistikë e dokumentarë të punuar me përkushtim, për çfarë vazhdon të veçohet. Janë pjesë e identitetit kulturor e dëshmi e mjeshtërisë së tij. Veprat e tij “Ngadhënjim mbi vdekjen”, “Çifti i lumtur” e “Zonja nga qyteti”, janë një shembull.

Lamtumira me kolonë zanore e imazhe filmash

U përcoll me nderime të larta nga komuniteti artistik. Fragmente të filmit e përcollën edhe në funeral. Qe kolona zonore e filmit “Trishtimi i Zonjës Shnajder” nën regji të tij, që e përcollën derisa familjarë, miq e bashkëpunëtorë kanë hedhur lule në arkëmortin e tij. Tingujt e muzikës çeke të viteve ’50 ishin meloditë e fundit që e shoqëruan ndërsa të pafundme ato të skenave të filmave që ka lënë pas si trashëgimi e pasur dhe që do të mbeten përgjithmonë pjesë e historisë së kinemasë shqiptare.

Mjeshtri i filmit Piro Milkani qe përtej regjisorit. E kishte provuar aktrimin e skenarin. Qe edhe drejtor fotografie e producent.

Eno Milkani, i biri i regjisorit të ndjerë, ka thënë për mediat në Shqipëri se kësisoj e ndiente veten të përmbushur.

“Piro ka folur me filmat e tij për 60 vjet. E ndiente veten shumë të realizuar sepse e thoshte, e provoi skenarin dhe aktrimin. Gjatë kësaj periudhe kishte ulje të rezistencës së organeve jetësore, por nuk e humbiste besimin, thoshte ‘do të shërohem’ dhe kështu e inkurajonim njëri-tjetrin”, është shprehur ai.

Milkani konsiderohet një prej figurave më të shquara të kinematografisë shqiptare. Është çmuar edhe në Kosovë.

Karriera e tij prej gjashtë dekadash përcillej nga kontributi i jashtëzakonshëm me artin regjisorial

Ura lidhëse midis filmit në Kosovë e Shqipëri

Regjisori Isa Qosja e konsideron si figurë emblematike të kinemasë shqiptare.

“Piro Milkani ishte një prej studentëve të shkollës çeke. Në fakt ai atje studioi për operator, por më vonë u dallua më shumë si regjisor. E vlerësoj punën e tij regjisoriale në filmat ‘Ngadhënjimi mbi vdekjen’, ‘Ballë për ballë’ pastaj kult-komedinë e njohur ‘Zonja nga qyteti’. Ishte edhe bashkëregjisor në filmin ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’. Në vitet e vonshme mbaj mend filmin e tij të mirënjohur ‘Trishtimi i zonjës Shnajder’ të cilin ai e donte shumë. Është shquar edhe në filmin dokumentar”, ka thënë ai duke theksuar edhe kontributin e Milkanit në themelimin e kino-studios “Shqipëria e re”.

E ka konsideruar mik të çmuar. Derisa e ka kujtuar figurën e tij prej njeriu, ka thënë se e takonte sa herë shkonte në Shqipëri. E vlerëson urë lidhës midis kinematografisë së dy vendeve.

“Gjithmonë i disponuar dhe me shumë energji pozitive për të gjithë. I gatshëm për të vlerësuar veprat e kolegëve dhe i hapur për të ndihmuar në realizimin e shumë projekteve. Them që si Piruan vështirë të takosh më sepse ai ishte edhe ura lidhëse e filmit kosovar me atë shqiptar dhe ishte frymëmarrja më e sinqertë artistike në Tiranë. E kujtoj këtë krijues të rëndësishëm me shumë admirim, por edhe më shumë e veçoj si njeri të jashtëzakonshëm. Ka ikur një regjisor cilësor dhe një njeri edhe më cilësor”, ka thënë regjisori Isa Qosja për KOHËN.

I lindur më 5 janar 1939 në Drenovë të Korçës, Piro Milkani ishte një nga kineastët e parë të kinematografisë shqiptare.

Pas përfundimit të shkollës së mesme, ai vazhdoi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Pragë asokohe Çekosllovaki, ku u diplomua në Degën e Fotografisë Filmike.

Karriera e tij në kinematografi përfshin regjinë e mbi njëzet filmave artistikë dhe dokumentarë, duke përfshirë tituj të njohur si “Kur zbardhi një ditë” (1971), “Zonja nga qyteti” (1976), “Ballë për ballë” (1979), “Militanti” (1984) dhe “Ngjyrat e moshës” (1990). Përveç si regjisor, ai ka kontribuar edhe si skenarist, drejtor fotografie dhe producent.

Në vitin 1997, Milkani u nderua me “Çmim të Veçantë” për të gjithë krijimtarinë e tij artistike në festivalin evropian “Saint-Étienne” në Francë. Në vitin 1987 ai mori titullin “Artist i Popullit”.

Në vitin 2024, Milkani mori diplomën e tij të Fakultetit të Filmit pas 63 vjetësh, një ngjarje që u shënua me një ceremoni në Çeki.

Përveç karrierës së tij në kinematografi, Milkani ka pasur një periudhë si diplomat dhe ka kontribuar në organizimin e festivaleve të filmit.

Mjeshtërinë e tij prej regjisori e ka shfaqur edhe në filmat “Pranvera s’erdhi vetëm” i 1988-s, “Eja!” i 1987-s, “Në prag të jetës” i 1985-s, “Fraktura” i 1983-tës, “Besa e kuqe” i 1982-tës, “Në kufi të dy legjendave” i 1981-tës, “Një shoqe nga fshati” i 1980-s, “Çifti i lumtur” i 1975-s, “Përse bie kjo daulle” i 1969-s e filmat dokumentar “Një firmë e hekurt” më 1974 dhe “Festë e madhe” e një viti më herët.

Gjithashtu lista e filmografisë së tij përfshin edhe “Shembja e idhujve” më 1977, “Shtigje lufte” më 1974, “Ngadhënjim mbi vdekjen” i vitit 1967.

Si aktor ka luajtur në filmin grek “...kai to treno paei ston ourano” të vitit 2001, në filmin italian “Lamerica” të 1994-tës si dhe në filmin çekosllovak “Srpnová nedele”.

Ikona e gjuhës së veçantë filmike

Afrim Spahiu, profesionin prej drejtor fotografie e pati ushtruar edhe në filmin “Trishtimi i Zonjës Shnajder” të drejtuar nga Milkani. E ka konsideruar përvojë të çmuar për punën e tij.

“Fatkeqësisht kinematografia shqiptare e humbi edhe një ikonë të filmit. Me vlerat e tij ka lënë gjurmë të mëdha në aspektin e vizionimit të imazhit të ngritjes së kulturës me gjuhë filmike të veçantë pasi ishte edukuar në shkollën më të mirë të kohës, në akademinë filmike FAMU në Pragë në drejtimin e Fotografisë Filmike”, ka thënë Spahiu duke u shprehur se nga Praga pati sjellë në Shqipëri kulturën evropiane me edukimin e tij.

“Me një kulturë të edukimit evropian, u kthye në Shqipëri kur gjërat janë të njohura, në pamundësi të zhvillimit të lirë në kohë, por me aspirata shumë të mëdha dhe me një vullnet të mirë, me një mirësi të jashtëzakonshme për komunitetin artistik, ai arriti të krijojë një numër të madh të veprave filmike, duke kontribuar si në cilësi dramaturgjike, ashtu edhe në atë të imazhit apo fotografisë filmike”, është shprehur ai.

Sipas Spahiut, Piro Milkani është “vlerë e fuqishme e kinematografisë dhe e pakthyeshme”.

“Falë tij ne kemi një trashëgimi për brezat e ardhshëm. Pos kësaj, Piro ka qenë i dashur edhe për Kosovën, ka pasur shumë miq nga Kosova. Të gjitha këto kanë krijuar një afërsi dhe madhëri të këtij personi që mbeti si vulë edhe e miqësisë midis gjithë krijuesve, por edhe e publikut që e ka njohur dhe e ka dashur”, ka konsideruar ai.

Thyerja e klisheve ideologjike

Regjisori Agim Sopi është shprehur se Piro Milkani dhe brezi i tij krijuan kinematografinë shqiptare me hapa të sigurt si veprimtari e qëndrueshme profesionale edhe pse me mungesa të theksuara strukturale.

“Padyshim, kameramani dhe regjisori Pirro Milkani, ishte njëri ndër më të shquarit nga grupi që kishte studiuar jashtë shtetit. Mbas një decenie, në vitet gjashtëdhjetë - shtatëdhjetë, ky grup krijuesish, u rrit dhe u sprovua edhe me vepra serioze kinematografike të cilat shpeshherë, jo vetëm se ia dilnin të iknin nga klishetë ideologjike, por edhe filluan të visheshin me një petk të kamufluar të kinemasë disidente. Thënë shkurt, kështu u krijua dhe zhvilloi identitetin e vet kinematografia shqiptare, pjesë substanciale e së cilës ishte edhe Pirro Milkani”, ka thënë ai për KOHËN në një përgjigje me shkrim.

Sipas tij, me shuarjen e artistëve të kësaj gjenerate po lihet zbrazëti në kulturën shqiptare.

“Mjafton të përkujtojmë filmat e tij ‘Zonja nga Qyteti’ si dhe filmin e tij të fundit ‘Trishtimi i zonjës Shnajder’ dhe të kuptojmë botën komplekse dhe territorin e minuar në të cilin ishte zhvilluar kinematografia shqiptare e kohës së komunizmit. Tani që këto ‘lule të pranverës kinematografike shqiptare‘ po shuhen një nga një, në kulturën shqiptare po ngel një vakum i ftohtë dhe i trishtë, pa gjeneratën që t’i zëvendësojë këta kolosë që vepruan në kohë të vështira. Piro Milkani, ndërroi jetë, duke krijuar edhe një hapësirë boshe në kulturën shqiptare”, ka thënë Sopi më tej.

Miku e bashkëpunëtori i Milkanit, regjisori Kujtim Çashku është shprehur se “vepra e tij ka lënë një ndikim të thellë në kulturën shqiptare dhe do të kujtohet për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin e filmit”.

Vepra e regjisorit Piro Milkani ka lënë ndikim të thellë në kulturën shqiptare dhe gjurmët e tij në artin e filmit mbeten të pashlyeshme. Filmat e tij janë historia e vetë kinemasë shqiptare.