Piana degli Albanesi nuk është vetëm natyra panoramike e strofulluar në luginën malore në prapatokën e Palermos. Erëmirë si liqeni i kaltër është edhe një histori e tërë arbëreshe me priftërinj si Lekë Matrënga e Gjergji Guxeta, mendje të ndritura si Zef Skiroi e Dhimitër Kamarda, apo shkrimtarë si Zef Skiro di Maxho.
Por vendbanimi që brez pas brezi bëri histori si Hora e Arbëreshëvet, sot shkëndijohet edhe nga të rinj arbëreshë që muzikën e kanë kthyer në flamur të denjë të kulturës së pasur që vazhdon të gjëllijë në hapësirat arbërishtfolëse të Sicilisë, shkruan KOHA.
A nuk ngjan gati sikur mirazh prania e pesë të rinjve të ulur skaj liqenit të qytezës siciliane tek ia marrin këngëve herë arbëreshe e herë shqipe? E kjo është një histori prej së vërteti. Një pasdite maji të vitit 2017, vargjet lirike të këngës arbëreshe “Lule lule maco-mac” e deri te “E dehur jam” e Nexhmije Pagarushes, si kumbime hareje, shpërhapeshin lehtë në syprinën e liqenit e ngriheshin lart deri te ngrehinat e vendbanimit qindravjeçar arbëresh.
“Krijimi arbërisht – nevojë dhe... kënaqësi”
E brendashkruar në Horë është një histori e bukur që kthehet shtatë vjet pas në kohë kur “The DAGGS” do të krijohej si cover-bend.
I qeshur e entuziast, arbëreshi Giorgio Fusco kronikon historinë e grupit që bëri rrugë nga lokale të vogla për të shpërthyer më pas në festivale më të mëdha në Itali.