Kulturë

Përnaska – studiuesi i devotshëm i shqipes e mësimdhënësi i pasionuar

Emri i tij ishte më shumë i njohur për një rreth të ngushtë specialistësh të morfologjisë së shqipes. Puna e heshtur por e vëllimshme ishte letërnjoftimi i tij: deri në ditët e fundit të jetës po punonte për t’i vënë pikën një fjalori shqip-frëngjisht me 60 mijë fjalë në laboratorin “FORELL” të Universitetit të Puatjesë në Francë. E kështu po përgatiste edhe shprehjet shqipe për një fjalor që po hartohej nga Qendra e Kërkimeve dhe Studimeve në “Ecole Normale Supérieure” në Fontenay/Saint-Cloud.

Prolifik në angazhimin për shqipen, profesor Remzi Përnaska ishte një prej studiuesve të palodhur, veprimtaria e të cilit arrin majat nëpër qendrat më të njohura universitare e shkencore në Francë. Të mërkurën, në moshën 85-vjeçare, gjuhëtari e mësimdhënësi shumëvjeçar i shqipes ka ndërruar jetë në shtëpinë e tij në Paris.

Kumtin e ka dhënë pedagogu nga Tirana, Kujtim Kapllani, nëpërmjet një shkrimi të afishuar në mediat sociale.

Në shkrimin e ndjerë, Kapllani ka thënë se studentët humbën pedagogun e ardhuruar, studiuesit mikun e kolegun dinjitoz dhe Akademia e Shkencave njërin prej zërave më të shquar.

“Autor librash shkollorë e universitarë dhe studiues i talentuar. Ka studime të shumta në fushën e sintaksës, të morfologjisë dhe të teorive gjuhësore. Në Francë, në saje të studimeve dhe botimeve shkencore, arriti të marrë gradën më të lartë shkencore, Docteur d’Etat”, ka shkruar ai.

Edhe Komisioni i gjuhësisë dhe letërsinë pranë Akademisë së Shkencave në Shqipëri ka njoftuar për ndarjen e papritur nga jeta të profesor Përnaskës. Sipas njoftimit të ASH-së, Përnaska ishte në auditoret e universiteteve shqiptare e atyre jashtë Shqipërisë.

“Profesor doktor Remzi Përnaska është gjuhëtar i shquar shqiptar dhe mësues e pedagog i përkushtuar i arsimit shqiptar. Fusha ku ka punuar më shumë është sintaksa e gjuhës shqipe, ku ka sjellë vështrime të reja me interes edhe për gjuhësinë e përgjithshme e atë teorike”, thuhet në njoftimin e institucionit më të lartë akademik në Republikën e Shqipërisë.

Për kolegët dhe miqtë e tij, Përnaska ishte shëmbëlltyra e një njeriu me atribute të larta.

Gjuhëtarja nga Universiteti i Elbasanit, Teuta Toska, ka thënë se është ndier e befasuar me lajmin e vdekjes së profesorit, me të cilin para një jave kishte biseduar për projektin e tij më të ri.

“Mirësia e tij e pashoqe, energjia e tij e pandryshueshme për punën, pavarësisht nga koha që kalonte, bënin që ti ta mendoje gjithnjë si njeriun që s’do të ndalej asnjëherë. I jam mirënjohëse për gjithë pasurinë njerëzore dhe shkencore që na solli në Elbasan”, ka shkruar Toska.

Njësoj i tronditur nga vdekja e Përnaskës është shprehur edhe profesori nga Prishtina, Begzad Baliu. Me këtë rast, ai ka evokuar bisedat që bënte me studiuesin e ndjerë për gjuhët ballkanike, për teoritë, shkollat e konceptet gjuhësore.

“E lakmoja energjinë e tij prej gjuhëtari, për të më arsyetuar me elegancë konceptet e tij mbi struktura të caktuara morfologjike e sintaksore dhe e dëgjoja me qetësinë proverbiale të besimtarit para Zotit!”, ka shkruar Baliu.

Duke e cilësuar si mjeshtër të gjuhës shqipe, shkrimtarja Ermira Godo ka thënë se profesor Përnaska ishte një model i veçantë dhe një dhuratë e paçmuar për krejt kombin shqiptar.

“Mijëra gërma, ortografime e ligjërime përcjellin funeralin tënd”, ka shkruar Godo.

E profesori nga Struga, Xhemi Hajredini, e ka cilësuar profesorin e shquar si ambasadorin më të devotshëm të këtij qyteti.

Pikërisht me Strugën kishte filluar rrugëtimi jetësor i Përnaskës, i cili aty kishte qenë në kontakt edhe me turqishten dhe maqedonishten. Gjashtë vjetët e parë të jetës, sipas Hajredinit, ai i kishte kaluar në Strugë pranë gjyshit të tij nga nëna, Nuri Sojliu, që ishte një nga nënshkruesit e dokumentit të shpalljes së Pavarësisë në Vlorë.

I lindur më 20 dhjetor 1934 në Korçë, Remziu shkollimin fillor dhe të mesëm i kreu në qytetin e njohur të kulturës dhe arsimit shqip. Aty mësoi edhe rusishten e frëngjishten, duke fituar të drejtën e studimit për gjuhë dhe letërsi ruse pranë Institutit të Lartë Pedagogjik të Tiranës. Më 1960 do të dërgohej për të studiuar orientalistikë në Institutin e Gjuhëve të Lindjes në Moskë, kurse një vit më vonë vijoi studimet e larta në Degën e Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës.

Për rezultatet e shkëlqyera gjatë studimeve, atë e angazhuan si pedagog të sintaksës së gjuhës shqipe, ku punoi nga viti 1963 deri më 1974. Nga ky vit ai u dërgua si lektor i gjuhës shqipe në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve Lindore në Paris, ku punoi deri në vitin 1982.

Gjatë kësaj kohe ndoqi kurse të ndryshme për gjuhësi të përgjithshme dhe teorike. Ndoqi kurset e gjuhëtarit të madh francez Andre Martinet, si dhe të gjuhëtarit tjetër të shquar francez Antoine Culioli, nën udhëheqjen shkencore të të cilit përgatiti një tezë për gradën më të lartë shkencore që ka Franca: “Doktor Shteti”. Nga tetori i vitit 1991 deri në shtator 1997 ka punuar sërish si lektor i gjuhës shqipe në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve të Lindjes në Paris, si edhe në Ecole Pratique des Hautes Etudes të Universitetit të Sorbonës si profesor.

Që nga viti 1975 ka qenë anëtar i Qendrës së Studimeve Ballkanike të Parisit dhe i Shoqatës Ndërkombëtare të Gjuhësisë Funksionale, kurse nga viti 1976 anëtar i Shoqatës së Gjuhëtarëve të Parisit dhe nga viti 1994 edhe i Shoqatës së Gjuhëtarëve të Francës, që nga themelimi edhe i Rrethit të Gjuhëtarëve të Institutit Kombëtar të Gjuhëve dhe Qytetërimeve Lindore (viti 1997).

Pas kthimit në atdhe më 1982, u emërua punonjës shkencor në Sektorin e Gramatikës dhe të Dialektologjisë të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku punoi deri në vitin 1991. Ka botuar mbi 50 artikuj shkencorë në revista shqiptare “Studime filologjike”, “Studia albanica”, “Studime”, “Gjurmime albanologjike” etj., si dhe në revista të huaja të specializuara në gjuhësi, si “Cahiers balkaniques”, “Faits de langue”, “Travaux du cercle des linguistes de l'INALCO”, “Presses Universitaires de France” etj.

Ka qenë anëtar jurie për mbrojtje disertacionesh në Universitetin e Sorbonës, në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve Lindore në Paris, në universitetet e Puatjesë dhe të Monpëliesë. Ka qenë anëtar i redaksisë së revistës “Studime filologjike”, anëtar i Këshillit Shkencor të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë nga viti 1983 deri në vitin 1991, delegat në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe më 1972, ku ka diskutuar dhe mbajtur një kumtesë.

Ai deri në fund të jetës mbeti një nga gjuhëtarët më të përkushtuar për mbrojtjen e pasurimin e shqipes standarde. Ka mbajtur ligjërata për gjuhën shqipe në universitete të huaja, si në Athinë, Paris, Köln, Puatje, Marsejë, Nantë, Mynih, Sankt-Peterburg etj. Ka hartuar disa zëra për Fjalorin Enciklopedik Shqiptar. Ka marrë pjesë në kongrese dhe konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare për gjuhësi, si ato të organizuara në Këln të Gjermanisë (1988), në Paris nga Ministria e Arsimit të Lartë dhe e Kërkimeve e Francës, në janar 1994, nga shoqata gjuhëtarësh të gjuhësisë së përgjithshme në Francë, në tetor 1995, në qershor 1996, në qershor 1997, në tetor 1997, në shkurt 1999 etj.

Ka marrë pjesë me kumtesa në tri konferencat ndërkombëtare të organizuara në Sankt-Peterburg, për nder të A. V. Desnickajas, si dhe nga Rrethi i Gjuhëtarëve të INALCO-s në qershor dhe në tetor 1996, në 1997 dhe në 1998, si dhe në shkurt 1999 në Marsejë etj. Po ashtu, ka marrë pjesë në tubimet shkencore të organizuara nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, në seminaret e konferencat shkencore të organizuara nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Universiteti i Prishtinës. Profesor Përnaska ka mbrojtur tri disertacione, dy në Francë dhe një në Shqipëri. Në vitin 1994 paraqiti një tezë nga sintaksa e gjuhës shqipe në Shkollën Praktike të Studimeve të Larta të Sorbonës, mbrojtja me sukses e së cilës ia dha diplomën e studimeve të larta në Sorbonë dhe emërtimin “Nxënës i vjetër i Sorbonës”.

Ka mbrojtur një disertacion me temën “Kundranori me parafjalë në gjuhën shqipe” dhe ka fituar gradën “Doktor i shkencave” në Shqipëri. Ky disertacion është botuar si libër në Kosovë (Pejë). Ka mbrojtur një disertacion me temën “Sintaksa e thënies në gjuhën e sotme shqipe (Sintaksa e trajtave të shkurtra të përemrave vetorë)” dhe ka fituar gradën më të lartë shkencore që ka Franca: “Docteur d'Etat és lettres et sciences humaines”, si dhe të drejtën për të udhëhequr punime doktoratash në Shqipëri dhe në Francë, për të qenë anëtar jurish për mbrojtje doktoratash.

Kjo doktoratë e mbrojtur në Departamentin e Gjuhësisë Teorike të Universitetit Paris VII i dha titullin “Profesor” në Francë dhe u botua në frëngjisht nga Presses Universitaires du Septentrion, Lille 1997, 672 faqe. Që nga viti shkollor 1997-1998 e derisa doli në pension ka qenë “Professeur associé” në Ecole pratique des hautes Etudes të Universitetit të Sorbonës, ku ka drejtuar seminarin për tekstet e vjetra në gjuhën shqipe. Profesor Përnaska ka botuar katër libra në Francë. Ka hartuar një libër me titullin “Parlons albanais”, që u botua më 1999 nga Shtëpia Botuese ” L’Harmattan ” dhe u ribotua deri më tani tri herë. Bashkautorë Ch. Gut dhe A. Gut. Ka botuar gjithashtu dy doracakë “Glossaire et guide militaire de conversation français – albanais”, E.I.R.E.L, Alb. 02, Strasbourg, 1997, 222 f. dhe “Eléments de grammaire albanaise, Complément au Glossaire Alb 02”, E.I.R.E.L, Alb. 03, Strasbourg, 1997, 60 f.

Është autor tekstesh shkollore për arsimin e lartë dhe të mesëm, i dhjetëra artikujve shkencorë, botuar në revistat tona shkencore dhe në ato të huaja, i dhjetëra artikujve në shtypin e përditshëm shqiptar. Në vitet 2015, 2018 ka botuar katër vëllimet e para të veprës së tij “Gjuhësi...gjuhësore”, të parashikuar në shtatë vëllime. Ai mbetet një nga përfaqësuesit më të denjë të kritikës shkencore në albanologji e më gjerë. Ka marrë pjesë në tubime shkencore ndërkombëtare e në komisione për informatizimin e të dhënave gjuhësore shqipe si në Osnabruck të Gjermanisë dhe në European Commission, Directorate-General, Joint Research Centre në Itali, në Zagreb e Beograd.

Ka qenë i ftuar në universitetet shqiptare të Shqipërisë, por edhe Kosovës e Maqedonisë së Veriut, ku ka mbajtur ligjërata për çështje të gjuhësisë teorike e të shqipes së sotme. Është Doctor Honoris Causa i Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, është dekoruar me urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të dytë dhe titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga presidenti i republikës më 2016, me motivacionin: “Për ndihmesën e shquar në fushën e studimeve gjuhësore shqiptare nëpërmjet studimeve e artikujve, për përgatitjen universitare e pasuniversitare të shumë arsimtarëve e studiuesve, si dhe për ndihmesën e dhënë në përhapjen e kulturës dhe gjuhës shqipe në botë, si pedagog e pjesëmarrës në shumë konferenca e kongrese ndërkombëtare.”