Partitë opozitare në Gjakovë kanë kritikuar udhëheqjen lokale për mosinvestim në rrjetin e kanalizimit, një problem i vjetër në këtë komunë e po ashtu edhe për mungesë të vizionit për zhvillimin e turizmit. E, kryetari Ardian Gjini ka thënë se është punuar shumë e do të punohet edhe më shumë në mandatin tjetër, të cilin ai beson se do ta fitojë në zgjedhjet e 12 tetorit
Ujërat e zeza që rrjedhin në vazhdimësi përgjatë rrugës së paasfaltuar në lagjen “Sadik Stavileci”, në Gjakovë, prej vitesh përfundojnë në shtratin e lumit Llukaq.
Krahas në lumë, ujërat depërtojnë dhe i vërshojnë edhe shtëpitë buzë brigjeve të lumit.
Banorët, ndonëse nuk pranuan të flasin publikisht, u ankuan se si pasojë e kanalizimit jofunksional, kundërmimi dhe papastërtia u janë shndërruar në pjesë të përditshmërisë. Për gjithë këtë situatë, ata i akuzuan autoritetet lokale për mungesë reagimi dhe për neglizhencë.
Qeverisja aktuale u akuzua edhe nga opozita në Gjakovë për mungesë të investimeve në funksion të zgjidhjes së problemit.
Mimoza Shala, shefe e grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Gjakovë, thotë se problemi me kanalizimin është i kahershëm, porse kabineti i kryetarit aktual, Ardian Gjini, nuk ka bërë përpjekje serioze për t’i bërë zgjidhje.
“Një ndër problemet kryesore me fillim të mandatit, madje edhe mandatin e kaluar, meqë është një kryetar që i ka mbajtur dy mandate, kanë qenë kanalizimet. Do të thotë komplet fshatrat e Gjakovës kanë mungesë të kanalizimeve. Unë personalisht e kam filluar mandatin duke kërkuar që të bëhet zgjidhje, meqë gjatë fushatës, kur kemi takuar në terren qytetarë, ankesa kryesore ka qenë kjo dhe fatkeqësisht në këtë drejtim nuk është bërë asgjë. Do të thotë investimet janë zero, edhe pse shpesh arsyetimet na janë dhënë, për mendimin tim janë arsyetime banale, shkaku se kryetari arsyetohet që ndërmarrja publike është nën kompetencën e Qeverisë, mirëpo prapëseprapë vetëqeverisja lokale edhe kryetari i komunës duhet të mendojë pak për mirëqenien e qytetarëve”, ka thënë Shala.
E Nexhdet Morina, asamblist nga radhët e Lidhjes Demokratike, shprehu kritikë se pjesa më e madhe e investimeve kapitale është përqendruar brenda qytetit, teksa janë neglizhuar fshatrat përreth Gjakovës.
“Në Komunën e Gjakovës janë bërë disa punë, po kryesisht konsiderimi i investimeve kapitale ka qenë në Komunë, në qytet, ndërsa sa i përket pjesës rurale apo fshatrave ka qenë shumë e theksuar në krahasim me qytetin brendapërbrenda”, ka deklaruar Morina.
Teksa e synon edhe një mandat në krye të Gjakovës në zgjedhjet lokale të 12 tetorit, kryetari Gjini pranon se disa fshatra janë pa sistem kanalizimi. Për zgjidhjen e këtij problemi ai ka premtuar se gjatë katër vjetëve të ardhshëm do të bëhen investime milionëshe me bashkëfinancim.
“Te kanalizimet, katërvjeçari që vjen do të jetë i investimeve masive në kanalizime. I kemi paraparë investimet në kanalizime, i kemi ndarë te fondet e bashkëfinancimit disa miliona, na duhet ta kemi një memorandum bashkëpunimi me “KRU Gjakovën”. Këta e kanë shprehur vullnetin që me arrit deri tek ai memorandum, për shkak se kanalizimet dhe ujësjellësi nuk janë asete të komunës si institucion, janë asete të “KRU Gjakovës”, që është institucion nacional, mirëpo prapëseprapë Komuna e Gjakovës do të jetë e gatshme të investojë sa do të jetë e nevojshme për t’i kryer kanalizimet nëpër fshatra”, është shprehur Gjini.
Vizioni për turizmin
E krahas për mungesë të investimeve në sistemin e kanalizimit, përfaqësues të opozitës në Gjakovë e kritikuan kryetarin Gjini edhe për vizion të munguar në zhvillimin e sektorit të turizmit dhe të kulturës.
Asamblistja e Vetëvendosjes, Shala, thotë se me gjithë që Gjakova është e vizituar nga një numër i konsiderueshëm turistësh të huaj, Komuna nuk ka nxjerrë ofertë adekuate që do ta zhvillonte edhe më tej sektorin, si dhe do ta mbështeste trashëgiminë kulturore të qytetit.
“Gjakova është një ndër qytetet që kalojnë më së shumti vizitorë të huaj, mirëpo Gjakova është qyteti i vetëm, i cili nuk është në gjendje t’i ndalë të paktën dy ditë këta vizitorë, t’u ofrojë diçka. E vetmja gjë e bukur që ka ndodhur është një festival, që edhe ai është nisur me qytetarë të Komunës së Gjakovës, do të thotë qytetarëve të pavarur e jo e Komunës së Gjakovës. Pavarësisht thirrjeve tona, që duhet një vëmendje në kulturë, duhet një vëmendje e trashëgimisë sonë kulturore, tash janë bërë me këtë kryetar 8 vjet, mirëpo çështjet që i kemi ngritur sinqerisht kanë qenë parimore dhe në interes të qytetarëve”, ka thënë Shala.
Ura e Fshajtë e Gjakovës është një prej dëshmive të historisë së qytetit, gurë të së cilës u kanë bërë ballë luftërave të ndryshme.
Ajo është shndërruar në atraksion për turistë të shumtë të huaj që e vizitojnë qytetin dhe që zgjedhin të kalojnë kohë përgjatë brigjeve të lumit të Drinit të Bardhë, që rrjedh nën të.
Me gjithë rëndësinë historike që e ka, përfaqësues të opozitës lokale thonë se Komuna e ka neglizhuar këtë strukturë në zonë të mbrojtur natyrore.
Nexhdet Morina i LDK-së e kritikon qeverisjen lokale se nuk ka ndërmarrë veprime në funksion të ruajtjes, të restaurimit dhe as të promovimit të kësaj strukture të gurtë që ndodhet në fshatin Fshaj, në dalje të Gjakovës.
“Kryetari pati premtuar që do t’i ndante dy milionë euro, atë nuk e bëri. Realisht, duhet të falënderohet Ministria, e cila e kreu urën sot, të cilën e kalojmë edhe ne këtu, por zotimi i kryetarit kanë qenë hyrja dhe dalja e urës, pasi që ura është më e gjerë sesa rrugët. Do t’i kryejnë, por edhe ato prej dhjetorit të vitit të kaluar nuk janë përfunduar, as nuk kanë filluar që të përfundojnë. Ura e Fshajtë ka një emër, për të cilën të gjithë qytetarët e Kosovës kanë dëgjuar dhe besoj që shumica prej tyre e kanë vizituar. Është bërë një investim, por aq sa ka nevojë të zhvillohet ky sektor nuk është investuar, do të thotë përjashtimisht një mbikalim që është bërë tek Ura e Fshajt, por janë investime të vogla në krahasim me atë që mund të zhvillohet si turizëm në Komunën e Gjakovës”, ka thënë Morina.
Në përgjigje të këtyre kritikave kryetari Gjini theksoi se gjatë qeverisjes së tij Gjakova ka shënuar rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve të huaj. Në funksion të kësaj, ai thotë se Komuna është angazhuar nëpërmjet mbështetjes financiare të aktiviteteve të reja dhe të ndryshme kulturore.
“E vërtetë është që kurrë nuk ka pasur më shumë turizëm dhe nëse duan ta bëjnë Gjakovën si Durrësin janë të mirëseardhur, mirëpo kurrë nuk ka pasur lëvizje më të mëdha në turizëm sesa tash. Mos të harrojmë se në Gjakovë vetëm në këtë 4 vjetësh janë përgatitur edhe dy hotele të reja që nuk i kemi pasur. Në fakt Pashtriku veç është në renovim total dhe po shndërrohet në një hotel fantastik. E kemi dhënë një pronë të komunës për një hotel tjetër, janë hapur kapacitetet turistike, shihet nëse dikush në qytet të vjetër, se qyteti i vjetër është ai që i mbledh turistët. Për çdo ditë mund t’i shohim, është diçka shumë e qartë dhe e dukshme, për kulturë shikoni, unë prapë mundem t’ju them me bindje të plotë që nëse numërohen aktivitetet kulturore që mbështeten ose subvencionohen plotësisht nga Komuna”, ka thënë Gjini.
Kritika nga komunitetet joshumicë
Bazuar në regjistrimin e vitit 2024 të popullsisë, Komuna e Gjakovës i ka mbi 78 mijë e 600 banorë, prej të cilëve rreth 400 janë të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.
Përfaqësues të këtyre komuniteteve në vazhdimësi janë ankuar se përballen me vështirësi në sigurimin e vendeve të punës.
Senad Ibishi, aktivist në organizatën “Voice of Roma, Ashkali and Egyptian”, thotë se numri i të punësuarve nga radhët e këtyre komuniteteve nëpër institucionet publike në Gjakovë është shumë i ulët.
“Tek aspekti i punësimit, ajo që bie barrë te niveli lokal, më konkretisht për kabinetin e lokalit, është respektimi i kuotës së punësimit. Konkretisht ligji për shërbyes civilë e determinon punësimin për komunitetet joshumicë në nivelin lokal, ku kjo përmbushje e kuotës do të duhej të ishte edhe nga radhët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian. Për fat të keq, ne në këtë drejtim nuk kemi parë ndonjë lëvizje, pasi në gjithë stafin e Komunës së Gjakovës, më konkretisht nën udhëheqjen e kryetarit Gjini, kemi shumë pak të punësuar nga radhët e komuniteteve. Në të kaluarën kanë qenë të angazhuar të ndryshëm në pozita të ndryshme, që disa prej tyre kanë dalë në pension e disa prej tyre nuk janë punësuar në pozita të njëjta”, ka thënë Ibishi.
Por ndryshe mendon kryetari Gjini, i cili thekson se nën institucionin që ai drejton ka investuar mjaftueshëm për arsimimin dhe punësimin e përfaqësuesve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.
“Ne bashkëpunojmë me organizata joqeveritare, në mënyrë që kryesisht komuniteteve, po edhe prej komunitetit shumicë, me iu ndihmu njerëzve të cilët kanë problem me shtëpi banimi në pronat e tyre private. Ka shumë projekte, kanë qenë dhe janë në vëmendjen time të plotë dhe jam i bindur që janë të vetëdijshëm që e dinë këtë çështje”, ka deklaruar Gjini.
Me gjithë kritikat nga përfaqësues të partive opozitare në nivel lokal për mosrealizim të premtimeve të kryetarit Gjini gjatë dy mandatave, disa qytetarë kanë shprehur qëndrime të kundërta. Ata janë shprehur të kënaqur me atë që është bërë në Komunë gjatë 4 vjetëve të fundit.
“Ka punu shumë, unë nuk besoj që ka pasë ndonjëherë ndonjë kryetar më të mirë, por gjithmonë varet prej buxhetit. Ndoshta ky e ka pasur buxhetin më të madh, mund të jetë edhe kjo arsyeja. Nuk di që ka ndonjë kryetar që ka punuar më mirë, më shumë”, ka thënë qytetari Metush Kaja.
Puna e Komunës është vlerësuar edhe nga Ëndrra Shala.
“Gjatë këtyre 4 vjetëve mjaftueshëm ka punuar, sidomos infrastrukturën e ka rregulluar, një pjesë të lumit Krena, mjaftueshëm është”, ka thënë ajo.
Bazuar në një studim të mëhershëm të Institutit GAP, Gjini, i cili mandatin e dytë të kryetarit të Komunës së Gjakovës e ka marrë në vitin 2021, ka bërë gjithsej 35 premtime elektorale.
Prej tyre, sipas GAP-it, 12 janë përfunduar, 8 janë gjysmë të përfunduara, 7 të filluara teksa 8 nuk kanë nisur.
Në bazë të të dhënave të Komisionit Qendror Zgjedhor, për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, numri i përgjithshëm i votuesve në Komunën e Gjakovës është 125 mijë e 220, nga gjithsej 78 mijë e 699 banorë sa i ka.
Nga numri total i votuesve, 64 mijë e 168 rezultojnë të jenë burra, ndërsa 61 mijë e 52 gra.
E sipas këtij regjistrimi, numri i anëtarëve në Kuvendin Komunal do të jetë 35.