“On Top Residency” si hapësirë galerie pa mure, prej fillimit e ka ndërtuar identitetin e vet mbi aktin e “uzurpimit” artistik të një cope toke e tash e ka hapur kapitullin e katërt të rrëfimit të saj. Kësaj radhe me Driton Selmanin dhe veprën “Nobody Saw This Coming”. Pas “Bad Ideas” të varrosura përmes një guri varri dhe pas barkodit monumental të Art Çibukçiut, që e ka parë qytetin si produkt në shitje, Selmani ka zgjedhur diçka që nuk shitet, nuk blihet dhe as nuk mund të merret me vete: një pemë. Një trup që merr frymë, me rrezikun se mund të mos e zërë toka, por me shpresën se rrënjët e saj do ta gjejnë vetë mënyrën për të qëndruar
Majë një prej kodrave më të larta të Prishtinës, në afro 1000 metra lartësi mbidetare, syri kap krejt Prishtinën që duket si një masë drite e ngatërruar në horizont. Dielli sapo ka braktisur zenitin dhe era që fryn lart valëvit gjethet e një palme që ka nisur ta testojë tokën. E mbjellë larg betonit të thatë, në dheun e thërrmuar të “On Top Residency”, ajo pemë të premten ka mbledhur artdashësit për ta parë një vepër arti. Palma që ka zënë rrënjë aty, qëndron e heshtur ndaj zhurmës që e rrethon, teksa fëmijët e rrethojnë dhe e gjykojnë, të pasigurt nëse duhet ndërtuar mbi të një fije shprese.
“On Top Residency” si hapësirë galerie pa mure, prej fillimit e ka ndërtuar identitetin e vet mbi aktin e “uzurpimit” artistik të një cope toke e tash e ka hapur kapitullin e katërt të rrëfimit të saj. Kësaj radhe me Driton Selmanin dhe veprën “Nobody Saw This Coming”. Pas “Bad Ideas” të varrosura përmes një guri varri dhe pas barkodit monumental të Art Çibukçiut, që e ka parë qytetin si produkt në shitje, Selmani ka zgjedhur diçka që nuk shitet, nuk blihet dhe as nuk mund të merret me vete: një pemë. Një trup që merr frymë, me rrezikun se mund të mos e zërë toka, por me shpresën se rrënjët e saj do ta gjejnë vetë mënyrën për të qëndruar.
Në bazë të çdo vepre që ngjitet në këtë kodër, qëndron një bashkëbisedim.
“Projekti është më shumë bashkëbisedim sesa ide konkrete. Më ka pëlqyer shumë kur Karllo më ka thënë: ‘Unë i kuroj idetë, jo veprën e artit’. Prej aty kemi ardhur në përfundim që, realisht, unë kam bërë një kompromis me veten: vepra është menduar për një vend tjetër, në qendër, por kam dashur të ndërtoj një precedent që instalohet mbi një precedent”, ka thënë Selmani, i cili ka pranuar ftesën e kuratorit Fatmir Mustafa-Karllo si një mënyrë për të reflektuar mbi vetë natyrën e krijimit.
Kjo ide e “precedentit mbi precedent” është vetë fryma e “On Top Residency”. Çdo ndërhyrje atje është si një shtresë që vendoset mbi tjetrën, pa e fshirë atë që ka qenë më parë. Në njëfarë mënyre, toka e asaj kodre është bërë si një kujtesë e grumbulluar e ndërhyrjeve, e një serie të vazhdueshme përpjekjesh për ta kuptuar raportin mes njeriut dhe hapësirës, mes natyrës dhe materialitetit urban.
Në interpretimin e Selmanit, “Nobody Saw This Coming” është një akt i vogël ironie dhe përulësie ndaj natyrës.
“Çka nëse unë e interpretoj ekzotizmin e brutalizmit ndaj natyrës, por s’përdor beton, përdor diçka që ka rrënjë?”, ka thënë ai. Me këtë veprim, ai e zhvendos gjuhën e artit nga materiali industrial në atë organik. Palma bëhet një trup që ndërmjetëson mes tokës dhe qiellit, mes idesë dhe frymës.
“Është shumë ekzotike, është shumë ‘smart’ për një ‘smart city’, por është përmbi krejt qytetin”, ka shtuar ai me një buzëqeshje të zbehtë, si të donte të thoshte se çdo qytet që ndërton shumë, harron të mbjellë.
Palma, si simbol, bart shumë shtresa: kolonialen dhe tropiken, artificin dhe dëshirën për gjallëri. Por këtu, ajo shndërrohet në provë.
“Në shumicën e projekteve ku kam përdorur materiale natyrale, njerëzit reagojnë natyrshëm dhe nuk i shkatërrojnë. Nëse u jep diçka të natyrshme, si mbjellja e një peme, ata nuk e dëmtojnë”, ka theksuar Selmani. Vepra e tij nuk kërkon që publiku ta kuptojë menjëherë, por që ta mbrojë instinktivisht, një gjest që në vetvete është vepër.
Për kuratorin Fatmir Mustafa-Karllo, “On Top Residency” është më shumë se një hapësirë ekspozimi.
“Është një hapësirë që krijon hapësirë. Ideja është me i mbjellë veprat e artit, që në të ardhmen të jenë dëshmi për gjeneratat që vijnë. Po përpiqemi që këto vepra të jenë permanente, që ‘On Top...’ të shndërrohet në një park skulpturash në distancë”, ka thënë ai, duke përmbledhur filozofinë që e ka ndërtuar këtë vend.
Në këtë vizion, vepra e Selmanit shfaqet si një nyjë që lidh kujtesën me gjallërinë.
“Në art, jo domosdo duhet të zihet diçka. Është ai momenti aktual që e bën prezente. Nuk është me rëndësi a mbin apo jo, me rëndësi është që fara të qitet në mënyrë mentale”, ka shtuar artisti Mustafa.
“On Top...”, i ngritur mbi konceptin e “uzurpimit” artistik të tokës, vazhdon t’i sfidojë kufijtë mes pronës publike e asaj simbolike. Prej gurit të varrit me epitafin “Bad Ideas” deri te barkodi që e kthen qytetin në kod tregtar, hapësira është kthyer në një galeri të hapur të reflektimit. Dhe tash, palma e Selmanit e shton një kapitull të ri në këtë kronikë: kapitullin e gjallë, që mund të zërë, ose jo, por që ekziston në përpjekje.
Art Çibukçiu, që vitin e kaluar ka prezantuar “Volume”, barkodin që lexon qytetin si produkt, e ka përjetuar praninë e Selmanit si një moment frymëzimi.
“Driton Selmanin e njohim si një prej artistëve më të mëdhenj bashkëkohorë që kemi, i cili po depërton jashtë shumë. Ta shoh punën e tij këtu është një mundësi e madhe për mua, si artist i ri, se mund të them se më ka rënë ta ndaj këtë tokë me disa artistë që janë super të mëdhenj”, ka thënë ai.
Në këtë frymë simbioze, “galeria” bëhet një laborator i brishtë, ku arti nuk imponohet, por mbillet. Tokës i lihet mundësia të përgjigjet vetë, me heshtje, me rrënjë ose me tharje.
Selmani e sheh veprën e vet si një eksperiment me shumë rezultate të mundshme: “Nëse palma nuk zë rrënjë, janë tri teori: ose ia kemi huqur në mbjellje, ose profesionistët nuk kanë mundur ta përshtatin, ose ndoshta edhe këtu në pikën më të lartë vrojtuese të Prishtinës është kontaminuar aq shumë toka saqë nuk zë”, ka thënë Selmani me një ton të qetë që kthen ironinë në dhimbje.
Në kodrën që ka nisur si uzurpim dhe është shndërruar në laborator, “On Top Residency” mbetet një testament i gjallë i mënyrës se si arti mund t’i sfidojë kufijtë, jo për t’i rrënuar, por për t’i mbjellë. Derisa dielli bie mbi Prishtinë dhe hija e palmës zgjatet, ajo përthith një pjesë të dritës që ndoshta do ta humbë nesër. E megjithatë, qëndron.