Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Ngjyrat e violonçelit dhe të kitarës ekuilibrohen në udhëtimin e tingujve

Prej repertorit klasik evropian deri te ritmet latino-amerikane d

Prej repertorit klasik evropian deri te ritmet latino-amerikane dhe kompozimet bashkëkohore origjinale, “Duo Basili Kosovinc”, në koncertin e tretë të edicionit të 16-të të “Chopin Piano Festit” ka dëshmuar potencialin e rrallë të kombinimit mes violonçelit dhe kitarës

Dyshja Cristina Basili në violonçel dhe Timotej Kosovinc në kitarë, kanë një lloj komunikimi të natyrshëm në këtë kombinim jo të shpeshtë të këtyre dy instrumenteve. Periudhat që përshkojnë me repertor kanë kalime të natyrshme deri te veprat autoriale të kitaristit, por kjo nuk është veçantia e vetme. Midis ngjyrave të tingujve të instrumenteve ata gjejnë ekuilibrin, e dialogu i tyre shpie në një udhëtim unik

Mbrëmje e veçantë e muzikës së dhomës ka qenë koncerti i “Duo Basili Kosovinc”, në kuadër të festivalit “Chopin Piano Fest”. Violonçelistja greke Cristina Basili dhe kitaristi e kompozitori slloven, Timotej Kosovinc, kanë sjellë një program që lëvizi nga repertori klasik evropian deri te ritmet latino-amerikane dhe kompozimet bashkëkohore origjinale, duke dëshmuar potencialin e rrallë të kombinimit mes violonçelit dhe kitarës.

Koncerti i mbajtur të enjten mbrëma në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare nisi me “Canzonetta Italiana” të Luigi Legnanit, për të vazhduar me “Sonata for Cello and Guitar” të Radamés Gnattalit. Programi ka përfshirë edhe “History of Tango” dhe “Libertango” të Astor Piazzollas, “Siete canciones populares españolas” të Manuel de Fallës, si dhe “El Puerto” nga “Iberia” e Isaac Albénizit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Një pjesë e rëndësishme e mbrëmjes iu kushtua krijimtarisë së vetë Timotej Kosovincit. Publiku dëgjoi veprën “Wild Dream”, të shkruar posaçërisht për Cristina Basili, pjesë nga “Rock Sonata”, si dhe kompozime të tjera autoriale si “Ode to the Forest”, “Golden Glow”, “For Leo” dhe “Black Light”. Mbrëmja u përmbyll me interpretimin e “Cavatina”.

“Po, ne jemi në fakt një dyshe klasike dhe gjithashtu luajmë shumë nga muzika ime. Pra, ky është edhe programi që luajtëm. Kemi disa vepra klasike si Leniani ose Albéniz, De Falla. Pastaj kemi disa kompozime moderne si Natali ose Piazzolla. Por edhe shumë nga pjesët e mia sepse jam kompozitor. Kështu që e kompozova edhe pjesën ‘Wild dream’ posaçërisht për Cristinen dhe sigurisht pjesa ime solo dhe pjesët e mia duo”, ka thënë Kosovinc.

Derisa ka folur për specifikat e këtij formacioni muzikor, e ka cilësuar si kombinim jo shumë të zakonshëm, por me potencial të madh artistik.

“Nuk është e pazakontë, por nuk është shumë e shpeshtë. Ka shumë potencial sepse është disi kombinim i ekuilibruar. Kitara është gjithmonë pak problematike sepse është pak e butë në krahasim me instrumentet e tjera me zë të lartë. Por mendoj se me violonçelin ka shumë mundësi sepse violonçeli gjithashtu ka këtë regjistër basi të cilin mund ta përdorim për të më shoqëruar, gjë që është shumë e vështirë nëse luajmë me violinë, për shembull. Pra, ka pluse dhe minuse, por mendoj se po përpiqemi dhe po bëjmë më të mirën tonë”, është shprehur Timotej Kosovinc, një nga kitaristët dhe kompozitorët më aktivë të brezit të tij në Slloveni.

Është i njohur për ndërthurjen e muzikës klasike me qasje moderne kompozicionale. Ai ka interpretuar në skena të shumta ndërkombëtare dhe është autor i një numri veprash për kitarë solo dhe ansamble të ndryshme të muzikës së dhomës.

Për Kosovinc, secila vepër bart një rrëfim më vete.

“Çdo pjesë është një histori e veçantë. Shpesh janë histori personale, ndonjëherë janë thjesht mendime të përgjithshme, ndonjëherë edhe ide filozofike. Pra, kanë prejardhje të ndryshme”, ka thënë ai duke përmendur edhe kompozimin e krijuar pas qëndrimit të tij në Kosovë në kuadër të projektit “Synergy”.

“Kompozova edhe për projektin ‘Synergy’ dhe u quajt ‘Unheard Story’ të cilën e shkrova pasi isha këtu një javë dhe njoha vendin, njerëzit. Pra, po, ka gjithmonë një histori”, ka thënë Kosovinc.

Për kitaristin slloven kjo ishte vizita e tij e katërt në Kosovë, pas pjesëmarrjeve të mëhershme në “Synergy Project”, në “Chopin Piano Fest” dhe në festivalin “Vihuela Guitar Festival”.

Violonçelistja Basili ka thënë se programi i tyre ndërtohet zakonisht si një udhëtim muzikor nga klasikja drejt muzikës moderne dhe autoriale.

“Ne zakonisht e bëjmë këtë lloj programi. Fillojmë me diçka klasike. Ne kemi luajtur sot Legnanin, ‘Canzonetta Italiana’, dhe pastaj kemi përparuar nëpër muzikën e Amerikës Latine sepse për kitarë ka shumë muzikë nga Amerika Latine. Kemi luajtur ‘Sonatën’ e Gnattalit, pastaj kemi pasur edhe disa pjesë spanjolle të Albéniz, De Falla, dhe kemi përfunduar me kompozimet e Timotej, sepse kitaristi i dyshes është edhe kompozitor. Ai shkruan kompozime shumë unike, origjinale për dyshen tonë. Ky është programi ynë”, ka thënë ajo.

Dy artistët interpretojnë së bashku prej më shumë se gjashtë vjetësh, gjë që sipas Basilit, reflektohet në komunikimin e tyre në skenë.

Dy artistët interpretojnë së bashku prej më shumë se gjashtë vitesh, gjë që sipas Basilit reflektohet në komunikimin e tyre në skenë.

“Ne jemi gjithmonë në dialog dhe çdo herë në skenë e kemi këtë komunikim dhe mund të ndihemi të sigurt gjithashtu. Është e mrekullueshme, dhe gjithashtu të udhëtosh së bashku është më argëtuese, kështu që nuk është vetëm të luash. Ne luajmë së bashku tashmë më shumë se gjashtë vjet në fakt, dhe zhvillohemi, sidomos në ngjyra dhe në këtë muzikë dhome. Ne zhvillojmë shumë për të gjetur vërtet ngjyrën e bukur me violonçel dhe kitarë sepse kitara është një instrument shumë i butë, kështu që unë eksploroj pianot dhe pianissimot e mia dhe të gjitha ngjyrat që mund të japë instrumenti”, është shprehur ajo.

Basili ka folur edhe për procesin e përbashkët të zhvillimit të kompozimeve të Kosovincit.

“Ai kompozon pjesët dhe pastaj ne i zhvillojmë ato së bashku, kështu që veçanërisht pjesa e violonçelit, ka nevojë për rafinim nga një violonçelist, kështu që unë e bëj këtë. Pastaj kërkojmë disa efekte, ose në disa vende i ndërrojmë gjërat së bashku, dhe është gjithmonë një udhëtim sepse versioni që e luajmë herën e parë është origjinali, pastaj ndryshon akoma, një vit më vonë tingëllon ndryshe, sepse e ndryshojmë pak. Është një lloj udhëtimi, derisa kjo pjesë të jetë vërtet gati”, ka deklaruar Basili, e cila njihet për interpretimet e saj në repertorin klasik dhe bashkëkohor, si dhe për angazhimin në projekte ndërkombëtare të muzikës së dhomës.

Bashkëpunimi i saj me Kosovincin ka krijuar një identitet të veçantë artistik, ku dialogu mes violonçelit dhe kitarës shndërrohet në një gjuhë të ndjeshme dhe intime muzikore.

Në hapje të koncertit, ambasadori i Sllovenisë ka lexuar biografinë e Timotej Kosovincit, ndërsa ambasadorja e Greqisë ka falënderuar festivalin për organizimin dhe ftesën drejtuar violonçelistes greke.

Drejtoresha artistike e festivalit, Lejla Pula, ka theksuar rëndësinë e shkëmbimeve të tilla kulturore.

“Kemi shumë artistë nga e gjithë bota, edhe nga vendet që ende nuk e njohin Kosovën, por gjuha muzikore është universale”, ka thënë ajo në skenë.

Ndërsa për KOHËN ka thënë se synimi i festivalit është të sjellë interpretime të nivelit më të lartë artistik.

“Ajo që mundohemi vërtetë është që të sjellim nivelin më të lartë artistik të interpretimit muzikor në përgjithësi, jo vetëm në piano. Sonte kishim duon në kitarë dhe violonçel. Një duo jo aq e zakonshme, por që tingëllon jashtëzakonisht bukur. Jam shumë e lumtur që kjo gjuhë e muzikës që është universale gjen ura bashkimi midis popujve”, ka thënë ajo.

Ka ftuar publikun të bëhet pjesë botës muzikore të edicionit të 16-të të festivalit që po zhvillohet prej 7 maj deri më 10 qershor.

“Jemi shumë të kënaqur që po etablohemi dhe identifikohemi si festival karakteristik dhe ku e di publiku se çfarë të pret nga ky festival. Nuk ka befasi, por thjesht dihet se do të jenë pianistë e artistë të tjerë të mirëfilltë të nivelit të lartë. I gjithë publiku është i mirëpritur, secila mbrëmje është e veçantë. Të gjithë artistët janë të nivelit botëror me orare të ngjeshura, saqë mezi kemi arritur të akomodojmë datat”, ka thënë profesoresha e pianos, Lejla Pula.

Përshtypje pozitive për koncertin pati edhe kitaristi Drilon Çoçaj.

“Koncerti ishte shumë i mirë, ashtu edhe bashkëpunimi. Shihet se luajnë shumë vjet bashkë. Veprat e Timotejit, të cilin e kam shok shumë të mirë, ishin shumë të mira. Sollën një ambient romantik”, ka thënë ai.

Koncerti i radhës i “Chopin Festit” mbahet më 18 maj me recitalin e francezit Ingmar Lazar.