Festivali më i madh në botë i muzikës klasike nis të premten. Përgjatë tetë javëve të udhëtimeve nëpërmjet tingullit dhe zbulimeve orkestrale, festivali sjell një numër të madh premierash dhe veprash të muzikës bashkëkohore. Janë disa koncerte që adhuruesit e kësaj muzike nuk bën t’i humbasin
Tom Service
Edhe pas tri valëve të të nxehtit, vera ende nuk konsiderohet që ka nisur plotësisht derisa të fillojë “Proms”. Të premten, ”Radio 3” dhe Orkestra Simfonike e BBC-së ndezin shkëndijën e tetë javëve të interpretimit muzikor në ”Royal Albert Hall” dhe në skena të tjera përtej. Ashtu sikurse unë, edhe ju mund të shpletuar broshurën e programit të “Proms” duke shënuar kështu koncertet që dëshironi më së shumti t’i dëgjoni, por ajo që është më së shumti befasuese, gjersa shpaloset vera muzikore, janë koncertet që nuk do t’i kishit parashikuar kurrë se do të ishin të jashtëzakonshme; koncertet që në letër mund të duken jo shumë të veçantë por që gjatë interpretimit live gjejnë një jehonë të veçantë, qofshin ato ansamble që bëjnë debutimin e tyre, muzikës së re dhe premierave të “Proms”, apo thjesht ajo magji e veçantë që bën që koncertet, edhe kur zhvillohen me ditë ose javë larg njëra-tjetrës, të krijojnë lidhje muzikore dhe krijuese që nuk do t’i kishit menduar kurrë të mundshme.
Të parashikosh surprizat dhe zbulimet e një sezoni që ende nuk ka filluar është natyrisht një përpjekje e kotë dhe kontradiktore, por nga muzika e re që ofrohet ka shumë vepra që meritojnë të shënohen me stilolaps. Premiera botërore e natës së parë të veprës së Josephine Stephenson “That the Sunrise Not Leave Us Unmoved” si dhe koncerti për çello i Jessie Montgomeryt për Abel Selaocoe “These Righteous Paths”, më 20 korrik, duhet të krijojnë një dyshe mjaft të bukur dhe kontrastuese – Stephenson ka shkruar muzikë me një finesë poetike, ndërsa bashkëpunimi koncertor mes Montgomeryt dhe Selaocoes premton një përvojë me fuqi të thellë introspektive.
“Një organizëm i gjallë që gradualisht përthith orkestrën dhe publikun në trupin e vet që merr frymë”, shkroi Michelle Assay për premierën e veprës në Amerikën e Veriut, në Toronto.
Nuk do të humbas dy vizione orkestrale krejtësisht të ndryshme, që hapin koncerte vetëm pak ditë larg njëri-tjetrit: “Stele” e György Kurtágut nën dirigjimin e Sakari Oramos me Orkestrën Simfonike të BBC-së më 22 korrik, dhe “Between Trees” e kompozitores norvegjeze Kristine Tjøgersen, interpretuar nga Orkestra Filharmonike e Londrës nën drejtimin e Edward Gardnerit më 27 korrik.
Tri lëvizjet e shkurtra, por tronditëse të “Stele” janë një sixhade shumështresore vajtimi, që është njëkohësisht personale, muzikore dhe historike. Kurtág ka thënë se kjo vepër, e kompozuar për Filarmoninë e Berlinit në vitin 1994, është një vizion “i dikujt që shtrihet i plagosur në një fushëbetejë, ku beteja zhvillohet me egërsi rreth tij, por ai sheh vetëm një qiell të kthjellët, jashtëzakonisht të kaltër… ndjenja e tij është se asgjë nuk është më e rëndësishme se ky qiell”. E shkruar në kujtim të mikut të tij, kompozitorit dhe mësuesit András Mihály, vepra hapet me një referencë ndaj operës Fidelio të Beethovenit: oktavat që simbolizojnë burgosjen e Florestanit si dhe shpresën e tij. Por vepra e Kurtágut nuk ofron asnjë çlirim. Ai qiell i kaltër mbetet i paarritshëm në kohën e parë ”Larghissimo-Adagio”, dhe veçanërisht në shpërthimin e dëshpërimit të pjesës së dytë, ku orkestra gjigante përfshihet nga një konflikt i pamëshirshëm dhe goditës, përpara se koha përfundimtare të shfaqet si një marsh i mbytur drejt harresës, një gjendje e vazhdueshme shkretimi purgatorial.
Edhe
Festivali i Këngës akordohet për tingujt ku takohen tradita e moderniteti
Ndërkohë, “Between Trees” e Tjøgersenit, e shkruar në vitin 2021, paraqet një vizion të shpresës nordike dhe të lidhjes së thellë me natyrën. E krijuar me po aq kujdes të hollësishëm dhe të imët për imazhin dhe idenë orkestrale sa edhe vepra e Kurtágut, frymëzimi i Tjøgersenit është t’i marrë dëgjuesit e saj “në një udhëtim tingullor”, një udhëtim orkestral që siç thotë ajo, “i jep publikut ndjesinë se ndodhet brenda pyllit, në vend që ta shohë atë nga një distancë”.
Vepra e saj hapet me paraqitjen e tingujve të ketrave që hanë arra dhe është frymëzuar nga ndërlidhjet kërpudhore përmes të cilave pemët lidhen dhe komunikojnë me njëra-tjetrën. Do të dëgjoni këngë zogjsh nga qyqet, hutat dhe laraskat, si edhe paraqitje orkestrale të lashta të harmonisë baritore: një kuartet kornosh dhe një solo oboje.
Dhe përtej purgatorit dhe harmonisë baritore, ka edhe më shumë jehona të muzikës së re me premierat e jo një, por dy koncerteve të trefishta gjatë sezonit: “Skyline” e Édith Canat de Chizyt, për tre perkusionistë dhe timpane, më 18 gusht; dhe disa javë më vonë, më 6 shtator, vjen koncerti i Gwilym Simcockut për një trio yjesh, të përbërë nga ish-fitues të titullit “BBC Young Musician” si saksofonistja Jess Gillam, kornisti Ben Goldscheider dhe violonçelisti Sheku Kanneh-Mason. Ndërmjet këtyre dy veprave, më 23 gusht, do të ketë edhe një tjetër premierë botërore të spikatur nga Thea Musgrave, koncerti i saj për fagot “Out of the Darkness”, të kompozuar për Amy Harman.
Dhe ka dy pjesë të “Dantes” nga Thomas Adèsit që ia vlen të priten me padurim, ku vetë kompozitori do të drejtojë Orkestrën Kombëtare të Rinisë në ”Purgatorio” (8 gusht), ndërsa Gustavo Dudamel do të udhëheqë Filharmoninë e Los Angelesit në ”Inferno” disa ditë më vonë; po ashtu, Filharmonia e Los Angelesit do të interpretojë premierën në Mbretërinë e Bashkuar të veprës me fuqi të jashtëzakonshme “Revolución Diamantina” të Gabriela Ortizit.
Dhe, përtej muzikës së shekullit XXI, zgjedhjet e mia kryesore në të dy skajet e sezonit janë ansambli
“Jupiter” me lutenistin Thomas Dunford, në veprat “Downland” dhe “Purcell” më 21 korrik, si dhe në natën para finales, Orkestrën e Akademisë Mahler duke luajtur instrumente që Mahleri i njihte dhe i kishte porositur për Filharmoninë e Vjenës. Regjistrimi i tyre i ”Simfonisë së Nëntë” është një zbulim i vërtetë: mezi pres t’i dëgjoj live.
Edhe
“Sunny Hill” zbulon programin e plotë, Prishtina bëhet gati për tri ditë muzikë botërore
Vera fillon këtu – shpresojmë që sistemi i ajrit të kondicionuar në ”Royal Albert Hall” të jetë në gjendje ta përballojë, përndryshe, do të dëgjoni tingujt e instrumenteve që shkrihen, ashtu sikurse zërat e prezantuesve të ”Radio 3”. Paçi fat, studio!
Përktheu: Vigjilencë Islami