Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Ish-duhanpirësit që përdorin cigare elektronike më të rrezikuar nga kanceri në mushkëri

cigaret elektronike

Cigaret elektronike

Foto: Associated Press

Një studim i ri, i publikuar në revistën prestigjioze “Nature Medicine”, sugjeron se ish-duhanpirësit që vazhdojnë të përdorin cigare elektronike pas lënies së duhanit mund të kenë më pak përfitime shëndetësore sesa ata që heqin dorë plotësisht nga nikotina, ka shkruar YNETNEWS.

Studiuesit analizuan të dhënat e më shumë se 4.5 milionë ish-duhanpirësve në Korenë e Jugut dhe zbuluan se përdoruesit e cigareve elektronike kishin 56 për qind rrezik më të lartë për të zhvilluar kancer të mushkërive dhe 22 për qind rrezik më të lartë për vdekje nga çdo shkak, krahasuar me ish-duhanpirësit që nuk përdornin cigare elektronike.

Nga ana tjetër, personat që e lanë plotësisht duhanin dhe nikotinën kishin 44 për qind më pak rrezik për kancer të mushkërive dhe 37 për qind më pak rrezik për vdekje nga çdo shkak.

Sipas ekspertëve, studimi nuk provon se cigaret elektronike shkaktojnë drejtpërdrejt kancer në mushkëri, por tregon se përdorimi i tyre mund të zvogëlojë përfitimet që sjell lënia e duhanit.

Sipas studiuesve, avujt e cigareve elektronike përmbajnë substanca që mund të nxisin inflamacionin dhe dëmtime të ADN-së, procese që lidhen me zhvillimin e kancerit.

Një tjetër studim, i botuar në American Journal of Ophthalmology, ka zbuluar se ish-duhanpirësit që kaluan te cigaret elektronike kishin 24 për qind rrezik më të lartë për zhvillimin e retinopatisë diabetike, sëmundje që dëmton retinën e syrit dhe mund të çojë në humbje të shikimit, 7 për qind rrezik më të lartë për sëmundje serioze të syrit, si dhe 7 për qind rrezik më të lartë për çrregullime që ndikojnë në fokusimin e shikimit.

Edhe Dhjetë ushqime për duhanpirësit Lifestyle 4 d. më parë Dhjetë ushqime për duhanpirësit

Sipas ekspertëve, edhe ky studim ishte vëzhgues dhe nuk provon një lidhje të drejtpërdrejtë shkak-pasojë, por autorët thonë se rezultatet vënë në pikëpyetje idenë se cigaret elektronike janë një alternativë plotësisht e sigurt.

Ekspertët dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vazhdojnë të rekomandojnë që objektivi përfundimtar të jetë heqja dorë plotësisht nga duhani dhe nikotina, duke përdorur metoda të provuara, si këshillimi profesional dhe trajtimet për lënien e duhanit.

Cigaret elektronike, nëse përdoren, duhet të shërbejnë vetëm si një zgjidhje e përkohshme dhe jo afatgjatë.