Shfaqja e baletit “Muzg”, me koreografi të mjeshtrit Eno Peçi, është një përballje me pyetjet për kujtimet dhe identitetin. Dhe pyetje si këto frymojnë tok me krejt edicionin e sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të teatrit në ambient të hapur “Prizren Fest”, të cilin e ka hapur. “Teatri pos që e përqafon dhe e njeh botën përreth vetes, ka edhe guximin që ta imagjinojë një botë më të mirë për secilin prej nesh”, ka thënë drejtori artistik i “Prizren Festit”, aktori Adrian Morina, në fjalën hapëse dhe ky ka qenë një lloj paralajmërimi se rrugëtimi që sapo ka nisur është një reflektim e thirrje që kulmon edhe me solidarizim për popullin palestinez. Ka kujtuar edhe imazhet e luftës në Kosovë
Fragmente nga shfaqja e baletit “Muzg”, me koreografi të Eno Peçit, kanë ngritur perden e festivalit ndërkombëtar të teatrit në ambient të hapur “Prizren Fest”. Lëvizjeve që u ka dhënë formë koreografi e balerini i shquar ndërkombëtarisht, e të luajtura nga trupa e Baletit Kombëtar të Shqipërisë, kanë gjurmuar për identitet e kujtime. Jo pak i përshtaten festivalit në edicionin e katërt që vjen me homazhe e mesazhe paqeje.
“Teatri mbi lumë” është hapësira ku ka nisur rrugëtimin festivali sivjet. Ndryshe prej edicioneve të kaluara ku rrëfimet e shfaqjeve shtroheshin në bahçen e kinemasë “Lumbardhi”, kësaj here aty po bëhen renovime dhe hapësira alternative është tejet atraktive.
Në atë hapësirë që njihet edhe si “Kino Lumi”, ngjashëm sikur ndodhte me shfaqjen e filmave në festivalin ndërkombëtar të filmave dokumentarë dhe të shkurtër “DokuFest”, ato të teatrit në kuadër të “PrizrenFestit” vijnë për të rrëfyer me gjuhë skenike tematika vendore e globale. Janë mbi 20 shfaqje e performanca që do të prezantohen në Qendrën Historike të Prizrenit.
Drejtori artistik i “Prizren Festit”, aktori Adrian Morina, ka thënë se nuk mjafton vetëm të interpretohet bota, por duhet të ndryshohet. Këtë, sipas tij, e ka fuqinë ta bëjë teatri.
“Teatri pos që e përqafon dhe e njeh botën përreth vetes, ka edhe guximin që ta imagjinojë një botë më të mirë për secilin prej nesh. Jemi të vetëdijshëm për katrahurën në të cilën ndodhet bota sot”, është shprehur ai në fjalimin e hapjes së festivalit.
Ka bërë të ditur se edicioni i sivjetmë vjen si homazh për popullin palestinez.
“Katër vjet janë pak për historinë, por këta katër vjet fatkeqësisht bota me egërsinë e saj na ka bërë që dy prej katër edicioneve të solidarizohemi me popujt e dhunuar në botë. Në vitin 2022 në solidaritet me popullin e Ukrainës, e sivjet në programin tonë kemi një shfaqje nga Palestina dhe veçanërisht në natën e fundit do të kemi një homazh për popullin palestinez”, ka thënë Morina derisa ka tërhequr paralele të gjendjes së tanishme në botë edhe me luftën e Kosovës në kohë moderne.

“Ky realitet na mbush me dhimbje pa dyshim, por teatri dhe fuqia e tij për bashkim, për rezistencë, për dashuri, për shpresë, na jep lirinë që ta imagjinojmë një botë më të mirë për secilin. Sikurse populli palestinez, ukrainas, apo secili që vuan nga luftërat sot, edhe ne para dy dekadash e kemi parë terrorin e fashizmin me sy. Nuk është se po themi të kthehemi pas, por nuk mund të shkojmë para pa menduar për atë që na ka ngjarë më parë”, është shprehur aktori Morina.
Këtë deklaratë të tij e ka pasuar kolazhi me fotografitë e Kosovës gjatë luftës.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, e ka shpallur të hapur edicionin për sivjet, të hënën mbrëma në hapësirën e improvizuar – “Teatri mbi lumë”.
“Thuhet se forma, ndër më të sofistikuarat të shprehjes artistike, është teatri. E ku më mirë se në Prizren do të funksiononte një teatër i këtij formati. Në qytetin me shumë vlera të trashëguara kulturore dhe historike dhe një festival që i promovon artin, kulturën, qytetin e shtetin”, ka thënë ai para të pranishmëve.
Performanca e fëmijëve duke kënduar për mesazhe paqeje me balonë në duar e imazhet e dhimbjes së popullit të Kosovës kanë qenë komplet introja e edicionit të katërt të festivalit ndërkombëtar në ambient të hapur “Prizren Fest”.
Është pasuar nga performanca e katër balerinëve të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë. Për rreth njëzet minuta kanë performuar fragmente nga baleti “Muzg” me koreografi nga Eno Peçi.
Me ritmet e lahutës, njëri prej balerinëve vrapon, sikur ikën nga kujtimet, por nuk lëviz dot vendit. Të tjerët fillojnë akrobacionet. Kujtimet janë të pranishme dhe kthehen, sado tentohen të fshihen dhe kjo sekuencë duket se e ilustron krejt këtë. Në të njëjtën kohë edhe si paralele e imazhit të pavarësisë e atij të robërisë.
Liria e personazheve në shfaqje baleti nuk është e plotë, edhe kur ata lirohen. Janë të varur në mendje e në shpirt.
Koreografi i shfaqjes, Eno Peçi, balerin rezident në Teatrin e Operës dhe Baletit në Vjenë, ka thënë se kujtimet dhe identiteti janë temat qendrore në konceptin e shfaqjes së baletit “Muzg”.
“Ideja e shfaqjes ka të bëjë me kujtimet, me identitetin, se kush jemi ne si njerëz. Se çfarë ndodh nëse humbasim kujtimet, a e dimë kush jemi? Se a identifikohemi me kujtimet e së kaluarës apo krijojmë kujtime të reja dhe krijojmë një identitet të ri? Janë disa pyetje që lindin, por unë personalisht nuk mund ta them përgjigjen. Më së miri është që publiku ta shikojë dhe ta gjejë veten dhe një përgjigje për secilin nga ata”, është shprehur ai për KOHËN.
Ka thënë se shfaqja parashtron shumë pyetje.
“Quhet ‘Muzg’ sepse ka të bëjë me atë momentin kur perëndon dielli, kur errësohet pak. Ajo mund të jetë diçka pozitive ose negative. A jemi ne varës të muzgut apo jemi muzgu vetë? Është një pyetje shumë e vështirë t'i përgjigjesh, por mbase edhe eksperienca e secilit, mbase aty e gjen përgjigjen”, ka thënë Peçi për shfaqjen që zgjat më shumë se një orë. Për shfaqjen në Prizren është adaptuar një version i shkurtër.

“Është shfaqje njëorëshe e ca, por për festivalin në Prizren e kemi adaptuar një version më të shkurtër, por prapë pa humbur idenë e konceptit dhe dramaturgjisë, forcës së të shprehurit”, ka thënë Peçi.
Përderisa në Prishtinë më 2019 ai pati punuar shfaqjen “Exil” me Baletin Kombëtar të Kosovës, Prizrenin e ka vizituar për të parën herë.
Shfaqja bashkëkohore përcillet me melodi tradicionale e klasike. Dy balerina vallëzojnë bukur nën ritmet harmonike derisa shfaqen dy balerinë. Lëvizjet e tyre janë në sinkron. Ata shpesh përballen, por edhe heqin barrierat midis tyre.
Balerina Elda Lago është shprehur se në shfaqje tema qendrore është vetë njeriu dhe mendimet e tij.
“Sesi është i rrethuar me mendimet, me të tashmen dhe të ardhmen, se çfarë e pret atë në jetën e tij. Është një person që ka dilema, ka dëshira dhe ka pasion në jetë. Ne ishim katër personazhe që vinim në një bashkë”, ka thënë ajo pas shfaqjes duke konsideruar se interpretimi në ambient të hapur është përjetim krejt ndryshe.
“Për mua është gjithmonë emocion si brenda skene, si jashtë, por është ndjesi tejet ndryshe të interpretosh në një skenë të hapur. Nuk është hera e parë për mua, por dua të them se është tejet e veçantë, sepse ke të bësh me praninë e ajrit, të erës, me praninë më të afërt të njerëzve. Sot ishim edhe pranë lumit”, është shprehur ajo.
Edicioni i katërt zgjat deri më 28 korrik. Programi përfshin shfaqje teatri e baleti, performanca e koncerte me artistë që vijnë nga vende si: Anglia, Bullgaria, Italia, Greqia, Franca dhe Palestina.
Lufta, kujtesa, identiteti, rezistenca e shëndeti mendor janë temat e sivjetme që zbërthehen në skenën teatrore të “Prizren Festit”.