Secila familje shqiptare ruan diçka të vjetër nga orenditë e punimet e vjetra të drurit e deri te gjësende të ndryshme që ndryjnë në vetvete histori. Duke targetuar familjet si grup i synuar, një aplikacion online do të jetë mënyra sesi të interesuarit mund të bëhen pjesë e një ekspozite që bën bashkë koleksione nga trashëgimia familjare e banorëve të Republikës së Kosovës.
Kështu ekspozita virtuale “Muzeu im” është ndërmarrja e re e përbashkët e MKRS-së dhe e Muzeut Kombëtar të Kosovës për të shënuar 18 Majin – Ditën Ndërkombëtare të Muzeve.
Sipas një kumtese të afishuar në faqen e MKRS-së, Muzeu Kombëtar i Kosovës feston këtë datë prej gati katër vjetësh prejse është bërë pjesë e Këshillit Ndërkombëtar të Muzeve (ICOM).
Në përpjekje për fuqizimin e diversitetit dhe gjithëpërfshirjes në institucionet kulturore, tema e caktuar për sivjet, sipas njoftimit, është “Muzetë për Barazi: Diversitet dhe Gjithëpërfshirje”.
Me qëllim të ngritjes së vetëdijes për vlerat dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, ekspozita virtuale “Muzeu im” është menduar në funksion të afrimit të muzeut me banorët e Republikës së Kosovës.
“Konkretisht, ‘Muzeu im’ është një aktivitet/ekspozitë virtuale e organizuar për të ndihmuar bashkëpunimin në mes komunitetit dhe muzeut, dhe ofron një qasje të re për gjithëpërfshirje duke integruar në ekspozitë koleksione nga trashëgimia familjare e banorëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.
Tutje, sipas komunikatës, qëllimi është që ekspozita virtuale – duke qëndruar në shtëpi – të përfshijë punime (vizatime, piktura, dizajnime) dhe objekte (vegla pune, enë, orendi, punime të vjetra druri, metali, guri; veshje), fotografi të dërguara në format digjital.
Kjo ekspozitë virtuale pritet të hapet më 18 maj, ndërsa Muzeu Kombëtar i Kosovës mirëpret punimet deri më 15 maj.
Sipas një shpjegimi të afishuar në faqen e MKK-së në “Facebook”, të interesuarit duhet të përshkruajnë artefaktin e përzgjedhur duke plotësuar një formular dhe duke e nisur në adresën “[email protected]”.
Drejtori i MKK-së, Ajet Leci, ka thënë për KOHËN se ky institucion ka vendosur t’i bashkohet nismës së ICMO-së për të festuar 18 majin.
“Për shkak të pandemisë me të cilën po përballemi, ne kemi menduar të veprojmë më ndryshe nga herët e kaluara, pasi që Muzeu është i mbyllur për vizitorë që nga marsi”, ka thënë Leci.
Për idenë që përmes një aplikacioni të nisen artefaktet, ai ka thënë se pret që të ketë interesim nga publiku. “Aplikacioni është shumë i thjeshtë dhe i qasshëm. Në secilën shtëpi tonë ka diçka të vjetër që meriton të prezantohet”.
Pas 15 majit – datë kur mbaron afati i dërgimit të artefakteve për ekspozitë – një komision brenda Muzeut do t’i përzgjedhë punimet e dërguara.
“Mbase jo të gjitha do të publikohen, por komisioni do të përpiqet t’i klasifikojë më të mirat”, ka shtuar Leci.