Koncepti i themelimit të Muzeut të Artit Bashkëkohor, i prezantuar para dy vjetësh, parasheh krejt hapat që duheshin ndërmarrë. Realiteti dhe plani i paraparë në këtë dokument kanë hendeqe të mëdha mes vete. Ka të angazhuar gjashtë veta në staf, pozita që mbahen edhe në kundërshtim me ligjin, logo dhe vulë, s’ka seli, hapësira që i është ndarë në ambientet e ish-shtypshkronjës së “Rilindjes” ende është larg
Kosova zyrtarisht është bërë me Muze të Artit Bashkëkohor në janar të vitit 2024. Edhe tre muaj bëhen dy vjet prej kur u bë themelimi. Por edhe pas kësaj kohe, MAB-i mbetet institucion veç në letër. Numëron pesë veta në staf dhe ushtruesen e detyrës së drejtorit. Është miratuar Statuti i institucionit, është përzgjedhur logoja e MAB-i ka edhe vulë. S’ka seli, pasi stafi funksionon në ambientet e Ministrisë së Kulturës dhe shumica prej stafit, praktikisht, në bazë të përshkrimit të detyrave të punës s’kanë çfarë bëjnë, pasi institucioni është në tentim të funksionalitetit. Koncepti i themelimit të MAB-it, i prezantuar para dy vjetësh, parasheh krejt hapat që duheshin ndërmarrë. Realiteti dhe plani i paraparë në këtë dokument kanë hendeqe të mëdha mes vete.
Në këtë tekst, në bazë të dokumenteve krahasohen synimet dhe puna e bërë deri më tash. Kurse në tekstin e radhës do të pasqyrohen arsyetimet e stafit të MAB-it për veprimet e deritashme.
Ministria e Kulturës nuk është përgjigjur në asnjërën prej pyetjeve.
Planifikimet e Këshillit Iniciues
Në ditën e fundit të majit 2022, Hajrulla Çeku në cilësinë e ministrit të Kulturës emëroi Këshillin Iniciues për Muzeun e Artit Bashkëkohor në përbërje të Yll Rugovës, kryesues dhe anëtarët Petrit Halilaj, Flaka Haliti, Sislej Xhafa, Erëmirë Krasniqi, Zake Prelvukaj, Nita Salihu-Hoxha, Valdete Pacolli dhe Fisnik Abazi, si përfaqësues të MKRS-së. Anëtare pa të drejtë vote qe këshilltarja e Çekut, Rozafa Imami. Këshillit i janë dashur 17 muaj që ta prezantojë Konceptin. Këshilli ka paraparë që ambientet e ish-shtypshkronjës së “Rilindjes” të jenë hapësira e Muzeut. Këshilli Iniciues ka punuar edhe në Statut e organogram. Dokumenti sjell në detaje institucionin e synuar. Po ashtu prek periudhat kohore se çka do të posedojë Galeria Kombëtare e Kosovës e çka Muzeu i Artit Bashkëkohor.
Prej veprimeve fillestare qe paraparë vendimi për ndërtesën e muzeut. Target ishte që brenda vitit 2023 muzeut t’i ndahej lokacioni. Vendimi është marrë në gusht të vitit 2024. Ministria e Punëve të Brendshme ka aprovuar kërkesën e MKRS-së për shfrytëzim duke ndarë një pjesë të përdheses dhe një pjesë të katit të parë. Koncepti i themelimit përcaktonte që brenda vitit 2023 muzeu ta ketë Statutin. Por për të ardhur deri te ky dokument, Ministrisë së Kulturës i është dashur shumë më shumë kohë. Statuti është miratuar në prill të vitit 2025. Faza e parë e funksionalizimit të ndërtesës qe përcaktuar deri në prill të vitit 2024. Por deri në gusht të atij viti MKRS-ja nuk e kishte marrë në shfrytëzim hapësirën. Zgjedhja e drejtorit të institucionit bashkë me kuratorin, sipas Konceptit themelues, duhej të ishte punë e kryer qysh më 2023. Por ende institucioni nuk ka drejtor e as kurator.
Pozitat në kundërshtim me ligjin
Pas hyrjes në fuqi të Ligjit për art dhe kulturë në janar të vitit 2024, zyrtarja administrative e Ministrisë së Kulturës, Arlinda Hajrullahu, është emëruar ushtruese e detyrës së drejtorit. Ajo s’ka udhëhequr asnjë institucion para se ta marrë këtë pozitë. Tashmë numëron gati dy vjet në drejtim të institucionit. Krejt kjo bëhet duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për zyrtarët publikë. Ky Ligj në nenin e 35-të përcakton se në rast se një pozitë e nivelit drejtues brenda strukturës organizative të institucionit mbetet e lirë, caktohet ushtruesi i detyrës. Po aty qartësohet se zyrtari publik nuk mund të caktohet si ushtrues detyre më gjatë se gjashtë (6) muaj. Ky Ligj, në paragrafin e 3-të të këtij neni, krijon mundësi që afati i ushtruesit të detyrës mund të zgjasë më së shumti edhe për gjashtë muaj të tjerë. Por jo më shumë.
“Pozita e lirë nuk mund të zëvendësohet me ushtrues detyre për më gjatë se afati i përcaktuar në paragrafin 3 të këtij neni”, shkruhet në paragrafin pasues. Më tej Ligji përcakton edhe vlefshmërinë e vendimeve.
“Çdo vendim i marrë nga ushtruesja/i detyrës, pas kalimit të afatit të përcaktuar në paragrafin 3 të këtij neni, është i paligjshëm”, shkruhet në paragrafin e fundit të nenit.
Neni i 12-të i Statutit të Muzeut të Artit Bashkëkohor u kushtohet organizimit të brendshëm dhe rregullores së punës.
“Struktura dhe organogrami i të punësuarve në MAB organizohen nëpër departamente dhe njësi organizative në përputhje me kërkesat, nevojat dhe planet e institucionit dhe rregullohet me aktin përkatës për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në MAB”, shkruhet në këtë nen. Pa e pasur rregulloren që e cakton organogrami, muzeu tashmë ka të punësuar zyrtar financiar, zyrtar ligjor, koordinator për komunikim me publikun dhe koordinator për prodhim të ekspozitave.
Ligji për artin dhe kulturën, nëpërmjet të cilit është themeluar muzeu, përcakton se institucioni duhet të jetë në Këshillin Artistik. Njëjtë përcakton edhe Statuti. Ky organ nuk ekziston ende.
Plani i punës larg implementimit
KOHA ka kërkuar nga Muzeu i Artit Bashkëkohor që në bazë të Ligjit për qasje në dokumente publike të krijojë qasje në planin e punës për vitin 2025. Stafi i muzeut nuk e ka mundësuar këtë. Në vend të planit të punës, KOHËS ia ka përcjellë “një përmbledhje” të planit të punës, që sipas stafit të muzeut është i ndarë në segmente, si: “plani legjislativ, planifikimi buxhetor, plani i personelit dhe plani i aktiviteteve”.
Sipas kësaj përmbledhjeje, plani legjislativ për vitin 2025 parasheh aprovimin e Statutit, finalizimin dhe aprovimin e Rregullores për angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm profesionalë dhe finalizimin dhe aprovimin e Rregullores për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Muzeun e Artit Bashkëkohor. Pos Statutit, s’është miratuar asnjëra prej rregulloreve, pavarësisht që muzeu ka bërë punësime.
Përmbledhja tregon se buxheti i Muzeut të Artit Bashkëkohor për vitin 2025 është 163 mijë e 690 euro. Synimet janë që gjatë viteve 2025 dhe 2026 institucioni të ketë tre zyrtarë për administratë dhe pesë profesionalë. Te kapitulli “Aktivitetet e planifikuara MAB 2024/2025” sqarohet se “gjatë vitit 2024 janë vënë shumë kontakte tashmë për të filluar me realizimin e aktiviteteve në vitin 2025, ku përfshihen takimet me institucionet me veprimtari të ngjashme në vend, rajon dhe botë”. Kurse gjatë viteve 2025/2026 planifikohet realizimi i memorandumeve të bashkëpunimit me disa nga këto institucione.
“Janë planifikuar memorandume bashkëpunimi ndërinstitucionale, të cilat do t’i shërbenin pasurimit të arkivit të MAB-it, si dhe vënien në pah të materialeve për hulumtim në dobi të hulumtuesve, studiuesve dhe qytetarëve të interesuar; Memorandume bashkëpunimi me muzetë e rajonit dhe më gjerë, me fokus në shkëmbimin e përvojave dhe mundësitë e trajnimeve të personelit të MAB-it në restaurim-konservim”, shkruhet në përmbledhje. Për sivjet MAB-i ka paraparë edhe ekspozitë inauguruese.
“Si aktivitet atraktiv për të shënuar inaugurimin e MAB-it si institucioni më i ri qendror i kulturës në Republikën e Kosovës, i shumëpritur nga komuniteti dhe popullata, është paraparë realizimi i një ekspozite inauguruese, e cila planifikohet të realizohet në gjysmën e dytë të vitit 2025, apo në fillim të vitit 2026, varësisht nga konsolidimi i personelit, gjetja e një hapësire alternative ekspozuese, si dhe periudha përgatitore në dispozicion”, shkruhet në përmbledhje. Por te Koncepti themelues, ekspozita e parë provizore e muzeut ishte paraparë më 2025. MAB-i ende s’ka ndonjë njoftim për këtë ekspozitë.
“Promovimi dhe transparenca përmes rrjeteve sociale”, janë plan më vete. Sipas MAB-it, me qëllim të transparencës dhe promovimit të punëve të tij, janë planifikuar hapja dhe funksionimi i faqeve në rrjetet sociale, si Instagram dhe Facebook. Hapja e faqeve është bërë dhe institucioni që posedon koordinator për komunikim me publikun ka bërë veç dy postime. I pari njëfarë përmbledhjeje me lojë fjalësh nën titullin “U rilind një hapësirë. U rilind një kujtesë”. Kurse i dyti një thirrje e hapur e MAB-it.
Në plan të punës për vitet 2025-2026, MAB-i ka edhe zhvillimin e punëtorive të animacionit, “ku fëmijët dhe të rinjtë, përveç njohurive që do të marrin nga fusha e artit dhe kulturës, do të krijojnë animacione dhe karaktere, të inspiruar nga veprat e artit bashkëkohor në Kosovë”. Sivjet deri me tash s’ka pasur asnjë aktivitet.
“Sapo të sigurohet hapësira alternative për realizimin e programit edukativ, MAB-i do të promovojë aktivitetet që do të mbahen dhe rezultatet e arritura”, shkruhet në përmbledhjen që i është nisur KOHËS në vend të Planit të Punës.
Thirrje për hulumtim edhe për themelimin e institucionit jofunksional
Muzeu i Artit Bashkëkohor muajin e kaluar ka hapur thirrje publike për hulumtim dhe dokumentim. Janë gjithsej pesë tema. “Historiku i krijimit të Muzeut të Artit Bashkëkohor në Kosovë” është e para. Sipas thirrjes, ky hulumtim synon të ndjekë zhvillimin e Muzeut që nga idetë e para iniciuese, hapat e parë të koleksionimit, proceset institucionale themeluese dhe sfidat, deri në konsolidimin e tij si një institucion i rëndësishëm qendror i kulturës bashkëkohore në vend. Tema e dytë është “Zhvillimi i artit bashkëkohor në Kosovë: praktikat, konteksti dhe sfidat deri në vitin 2000”. Këtu kërkohet të analizohet zhvillimi i artit bashkëkohor në Kosovë në periudhë dhjetëvjeçare, duke shqyrtuar raportin mes praktikave artistike, kontekstit politik e shoqëror, si dhe infrastrukturës institucionale e joformale që ka ndikuar në formësimin e tij.
“Monografi mbi një artist bashkëkohor me ndikim në jetën kulturore të Kosovës”, është tema e tretë. Këtu kërkohet që hulumtimi të fokusohet në një figurë artistike relevante, që ka kontribuar në skenën bashkëkohore dhe ende nuk është dokumentuar gjerësisht. “Historiku i ndërtesës së ‘Rilindjes” është temë më vete. Kurse “Historiku i gazetës ‘Rilindja’ si impakt social” është temë tjetër, ku synohet të hulumtohet roli i gazetës “Rilindja” në jetën publike, me fokus në ndikimin e saj si medium në formësimin e opinionit publik dhe kulturës në Kosovë gjatë dekadave të funksionimit të saj.
Nesër do të lexoni: Përse MAB-i punëson staf pa pasur rregullore për sistematizimin e vendeve të punës? Kush e ka punuar e miratuar planin e punës? Cili është arsyetimi i ushtrueses së detyrës që mban pozitën përtej përcaktimeve ligjore? Përse MAB-i bën thirrje për hulumtim të historikut të institucionit që ende nuk është funksional dhe deri ku kanë shkuar përgatitjet për ndërhyrje në ndërtesë?