Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Marubi” avancon standardet e konservimit të arkivit

marubi

Rëndësia e këtij transformimi është thelbësore nga pikëpamja shkencore dhe konservuese. Muzeu ka sqaruar se materialet fotografike janë jashtëzakonisht të ndjeshme ndaj faktorëve të mjedisit dhe ndaj përbërjes së materialeve ku ruhen. Bëhet e ditur se prania e aciditetit, lagështisë apo ndotësve të tjerë mund të shkaktojë degradim të pakthyeshëm, duke çuar në humbje të imazhit dhe të informacionit historik që ai mbart

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” është institucioni i parë në Shqipëri që ka zbatuar në mënyrë të plotë dhe sistematike standardet ndërkombëtare për konservimin e arkivave fotografike, duke u bërë një pikë referimi për institucionet kulturore në vend dhe rajon.

Prej vitit 2017, Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” ka ndërmarrë një proces të thelluar dhe të mirëstrukturuar të konservimit të arkivit fotografik, duke transformuar rrënjësisht mënyrën e ruajtjes së kësaj pasurie kombëtare. Në qendër të këtij procesi, siç raporton ATS, ka qenë zëvendësimi i materialeve të vjetra dhe të papërshtatshme të ruajtjes me materiale profesionale arkivore të prodhuara nga “Klug-Conservation”, të cilat përmbushin standardet më të larta ndërkombëtare për konservim afatgjatë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Siç ka njoftuar Muzeu “Marubi”, ky proces konsiston në ndërhyrje të kujdesshme dhe sistematike mbi çdo njësi të arkivit.

“Negativët janë nxjerrë nga kutitë dhe mbështjellëset e vjetra, shpesh të degraduara dhe me përmbajtje acide, të cilat përbënin rrezik real për dëmtimin e materialit fotografik. Në vend të tyre janë përdorur zarfe, ndarëse dhe kuti arkivore pa acid dhe pa ligninë, materiale të qëndrueshme kimikisht dhe të sigurta për kontakt afatgjatë me negativët fotografikë”, shkruhet në njoftim.

Rëndësia e këtij transformimi është thelbësore nga pikëpamja shkencore dhe konservuese. Muzeu ka sqaruar se materialet fotografike janë jashtëzakonisht të ndjeshme ndaj faktorëve të mjedisit dhe ndaj përbërjes së materialeve ku ruhen. Bëhet e ditur se prania e aciditetit, lagështisë apo ndotësve të tjerë mund të shkaktojë degradim të pakthyeshëm, duke çuar në humbje të imazhit dhe të informacionit historik që ai mbart. Përmes përdorimit të materialeve inerte dhe të certifikuara, si polyesteri arkivor dhe kartonët neutralë ose të balancuar, është bërë e mundur stabilizimi kimik dhe fizik i koleksionit, duke garantuar ruajtjen e tij për dekada dhe shekuj.

Sipas Muzeut, ky proces konservimi është në përputhje me standarde ndërkombëtare dhe garanton cilësinë dhe sigurinë e materialeve në kontakt me objektet fotografike, duke parandaluar degradimin e tyre me kalimin e kohës.

Në qendër të projektit të muzeut është trashëgimia e “Foto-Studio Marubbi”, themeluar në vitin 1856 nga Pietro Marubbi, piktori dhe fotografi italian i cili kishte ardhur dhe ishte vendosur në Shkodër në atë kohë. Aktiviteti i studios ndër vite, do të drejtohej dhe pasurohej nga tre breza fotografësh deri në fillimin e viteve 1950 kur Gegë Marubi u detyrua t’i dorëzohej anonimatit kolektiv komunist duke u bashkuar me fotografët e tjerë në Kooperativën e Riparim-Shërbimeve, sektor i së cilës ishte edhe fotografia.

Në vitin 1970 u themelua Fototeka “Marubi” me rreth 500 mijë negativë në teknika dhe formate të ndryshme të cilët në momente të caktuara, u përdorën edhe për të ushqyer makinerinë e propagandës komuniste me imazhet historike që buronin nga arkivi. Pikërisht në këtë periudhë, shumë prej tyre u shfaqën në botimet e kohës të manipuluara dhe të tjetërsuara.

Muzeu i ri i projektuar nga studioja arkitekturore “Casanova + Hernandez”, është krijuar si një hapësirë ​​për të promovuar dialogun e vyer midis traditës dhe modernitetit, së kaluarës dhe së tashmes. Trashëgimia dhe tradita theksohen përmes restaurimit të ndërtesës historike të projektuar nga Kolë Idromeno - artisti dhe arkitekti shqiptar, ish-nxënësi i Pietro Marubbit - duke ruajtur karakteristikat e saj strukturore.

Muzeu shtrin funksionet e tij përtej mureve, në pedonalen e qytetit, përmes një ekspozitori të vendosur përballë hyrjes, konceptuar si një element lidhës për të bërë të mundur që modeli i hapur dhe i gjallë i muzeut të veprojë si shënjues kulturor për Shkodrën.