Kulturë

Martini – ikona e kafehanes ku bashkohen ngjyrat e Prishtinës

Martin Hajdari ikona e gastronomisë së kryeqytetit vdiq të premten. Ai ishte 70 vjeç. Fryma që ka ndërtuar ndër vite e që ka lënë pas, ka bërë që ai të vlerësohet si kameleon i zanatit të tij

Martin Hajdari ikona e gastronomisë së kryeqytetit vdiq të premten. Ai ishte 70 vjeç. Fryma që ka ndërtuar ndër vite e që ka lënë pas, ka bërë që ai të vlerësohet si kameleon i zanatit të tij

Kafehania e Martin Hajdarit s’është vend veç për të mbushur barkun. As veç për të pirë ndonjë birrë e raki. Të dalësh “Te Martini” do të thotë ta prekësh pak “pazarin” e qytetit. Jo pazarin në kuptimin e parë të fjalës, por një simbol të Prishtinës, një vend ku bashkohen profesione të ndryshme njerëzish, ku festohet, ku pihet për ndonjë hall e ku secili është i barabartë. Thënë ndryshe, t’i shohësh ngjyrat e Prishtinës

Prishtina ofron lokale të shumta. Pijetore e restorante prej atyre që njihen si hapësira me alamet solemniteti e deri te ato krejt periferike ne skutat e lagjeve. Por janë të pakta ato ku tri gjenerata bashkë – gjyshi, i biri e nipi – gjenden në tri tavolina të ndryshme brenda një kafehaneje. Secili me shoqërinë e vet dhe kohë pas kohe qerasin njëri-tjetrin. Mandej pas pak ka ndodhur që Martini të lërë pak skarën anash e t’i qerasë të gjithë. Fryma e krijuar nga Martin Hajdari në lokalin e tij “Te Martini” shkon përtej një ambienti gastronomik. Kafehania e tij s’është vend veç për të mbushur barkun. As veç për të pirë ndonjë birrë e raki. Të dalësh “Te Martini” do të thotë ta prekësh pak “pazarin” e qytetit. Jo pazarin në kuptimin e parë të fjalës, por një simbol të Prishtinës, një vend ku bashkohen profesione të ndryshme njerëzish, ku festohet, ku pihet për ndonjë hall e ku secili është i barabartë. Thënë ndryshe t’i shohësh ngjyrat e Prishtinës. Martin Hajdari ikona e gastronomisë së kryeqytetit vdiq të premten. Ai ishte 70 vjeç. Fryma që ka ndërtuar ndër vite e që ka lënë pas, ka bërë që ai të vlerësohet si kameleon i zanatit të tij.

Hapësira e rezistencës

“Shihemi te Martini”, “Jam te Martini”, “A shkojmë te Martini?”, janë shprehjet që me automatizëm ta kanë kujtuar atë burrin e rrumbullakët, me sytë e kaltër që uron mirëseardhje me një buzëqeshje që s’i ka munguar kurrë. Portret i ngjashëm me ata të moshuarit gjermanë a austriakë që me dekada janë ai “barman-i” i ndonjë qyteti apo zone të thellë bjeshkore. Ata ku pirja e një kafeje a birre ka tjetër peshë. Një tavolinë e lirë “Te Martini”, ka nënkuptuar se duhet përshëndetur goxha do njerëz që janë aty. E ka shndërruar në kult frymën e të qenit i afërt me ata që janë brenda lokalit. Derisa ka marrë një porosi dhe në rast se miqtë kanë insistuar që për një anëtar të grupit t’i sillet më shumë ushqim, Martinit shpesh nuk i ka munguar ai shikimi prej babaxhani dhe komenti: “Po, por a mund e han ky?”. Kjo sa për të bërë një fije humor me ata që në sytë e Martinit, s’ia thonë aq ushqimit.

I lindur më 11 tetor 1954 në fshatin Palabardh të komunës së Gjakovës, Martin Hajdari në kryeqytet do të niste të njihej prej vitit 1975. Asokohe do të niste punën në atë që ishte hoteli “Bozhur”. Zyrtarisht punonjës i ish-ndërmarrjes hoteliere e turistike “Sloga” , Martin Hajdari do të punonte edhe në hotelin “Grand”. Më 1990 si shumica e shqiptarëve të Kosovës do të mbeste i papunë. Për dy vjet ishte kthyer në fshat, por s’mund ta shtynte më.

“Unë s’jam prej atyre që del e shëtit nëpër natyrë. Unë në kafe edhe në gjumë. Prapë në kafe”, rrëfente ai shpesh. U kthye në Prishtinë dhe hapi kafehanen “Te Martini”. Për shqiptarët, “Bozhuri” e “Grandi” ishin diçka e largët. U takonin veç serbëve, pasi regjimi ashtu kishte vendosur. E “Te Martini” krijoi një kafehane të re në qendër të Prishtinës, ajo që tash është rruga “2 Korriku”, por njihet si “Te kafet e rakisë”. Martini qe i pari që hapi kafe aty. Një kafene ku mund të mblidheshin shqiptarët dhe s’ishte veç shërbim gastronomie por edhe hapësirë debati.

“Ishte një akt rezistence kundër regjimit represiv të asaj kohe, i cili i kishte përjashtuar shqiptarët nga jeta publike. Te Martini takoheshin profesorë universiteti me talent për të luajtur rolin e qyfyrexhiut humorplotë, shkrimtarë, gazetarë, fotografë, piktorë, politikanë, studentë, pensionistë. Dhe çdokush që te Martini - me të drejtë - shihte një copëz Kosovë me krejt shumëngjyrësinë e saj. Ai edhe me emrin e tij e mishëronte koloritin kosovar”, shkruan gazetari e redaktori i politikës së jashtme në të përditshëm zvicerane, “Tages Anzeiger”, Enver Robelli derisa e kujton Martin Hajdarin. Sipas tij, në historinë e Prishtinës Martin Hajdari do të zërë një vend të rëndësishëm si ikonë, si origjinal, si personifikim kujtese dhe kulinarie.

Gastronomi kult

Për Martin Hajdarin, klienti nuk ishte dikush që hynte në lokal, i shërbehej çfarë kërkonte dhe paguante. Për të, klienti ishte njeri. Njeri që brenda lokalit bënte pjesë në mozaikun e atyre që krijojnë ngjyrat e Prishtinës. Studentët e viteve ’90 tregojnë se jo rrallë edhe s’kanë pasur para për të paguar shujtën dhe Martin Hajdari s’e bënte dert atë punë. Në mbrëmje edhe me makinën e tij i ka dërguar në shtëpi për t’u siguruar se policia serbe nuk do t’i bezdiste rrugës. S’mbahet mend si njeri me mrrola, por aso babaxhani që mund t’i thuhet edhe monument i qejfit.

Skulptori, Skender Boshtrakaj, ish-drejtor i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Martin Hajdarin e përshkruan si një burrë të urtë, me një mikpritje të jashtëzakonshme, që lokalin e vet e bëri shtëpi të secilit.

“Aty nuk kishte grada, as pozita, vetëm jetë komunitare. Ti ishe edhe kryeplaku, edhe kryeshërbyesi”, shkruan Boshtrakaj derisa e kujton Hajdarin. “Te Martini”, për të, ishte dhe mbetet institucion kulturor, vend debati, vend qejfi, vend ku shkoje vetëm, me shoqëri, me kolegun e punës.

“Apo me mysafirin nga Amerika, Holanda, Sllovenia, Japonia… dhe pastaj ata të huaj bëheshin të shtëpisë, ktheheshin e të lajmëroheshin: ‘… t‘presim te Martini!”, shkruan Boshtrakaj.

Kafenetë sikurse ajo e Martin Hajdarit s’janë të shpeshta. As jashtë Kosovës. Sivjet në mars shkrimtari i njohur zviceran Peter Bichsel i ka mbushur 90 vjet. Enver Robelli, i cili po ashtu është kolumnist në “Koha Ditore” i ka kushtuar një shkrim të gjatë që e ka përshkruar si homazh për së gjalli për Bichselin. Në tekstin e titulluar “90 vjet mençuri”, Robellli ka sjellë edhe pak nga një intervistë e Bichselit, kur ishte 86-vjeçar e të cilën ia kishte dhënë revistës “Schweizer Familie” (Familja zvicerane). Në pyetjen e drejtpërdrejtë se çfarë do të bënte ditën që po intervistohej, Bichsel u përgjigj: “Në moshën time njeriu s’ka shumë plane. Në mbrëmje shkoj në qytet (Solothurn) për të pirë një birrë apo një gotë verë”. Kurse në pyetjen se a shkon ende në kafehanen “Kreuz” (Kryqi) në Solothurn, ku ka vajtur me vite, Bichsel përgjigjet: “Jo. S’ka më kafehane të vërteta ku bën vaki që në tavolinën e njëjtë të jenë ulur drejtori i një firme dhe një punëtor ndihmës”. Dhe, Bichsel ndiente keqardhje për këtë.

Martin Hajdari ia ka dalë që të krijojë një kafehane ku njëmend bashkohen eprorë e edhe punëtorë ndihmës. Aso ambienti ku diskutimet zgjasin gjatë e në muhabetin e një tavoline gjuajnë ide edhe ata të tavolinës tjetër. Kjo qe fryma e Martinit. E gastronomit kult të Prishtinës.