Ishte një histori gati e pabesueshme që filloi nga koha kur lindi në Paris, jo larg Notre Damit, me një fallxhore fatthënëse që i rrëfeu nënës të ardhmen e të birit, dhe kthimi në Shqipëri që do të ndryshonte përfundimisht jetën e tij. “Kundërvënia” ndaj konvencave mendjengushta të artit socialist gjatë regjimit komunist do të pasohej në dekadat në vijim – kur ky regjim ishte përmbysur – me përplasje të reja e qëndrime antikonformiste: zëri polemizues i Maks Velos ishte vetë identiteti i tij për një Shqipëri me të cilën nuk pajtohej dot.
Të enjten pasdite, Maks Velo ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare. Prej kohësh, arkitekti e piktori i njohur ishte shtrirë në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, për shkak se vuante nga anemia e theksuar.
Storia e tij mori dhenë në Perëndim si ajo e një përplasjeje të rreptë mes pushtetit totalitar dhe një krijuesi që nuk hynte në zgjedhën e konvencave ideologjike. Përhumbja pas stilit abstrakt në pikturë do të konsiderohej “faji” i tij që do ta rëndonte me 10 vjet burgim, më i larti sipas kodit penal të kohës për agjitim dhe propagandim të kulturës perëndimore.
Rasti i tij do të bëhej një “Fahrenheit” prej së vërteti: 246 vepra abstrakte e nudo do të konfiskoheshin e digjeshin, kurse autori do të dërgohej edhe drejt spitalit psikiatrik për ekzaminim mjekësor. “Djegia e veprave ishte një procedurë që ndiqej për të gjithë artistët e dënuar”, kishte evokuar Velo në një intervistë për gazetën “Panorama” më 2011.
Një temperament konfrontues
Një temperament konfrontues – që për shumëkënd konsiderohej edhe kundërthënës – Velo do të ishte kritik për gjithçka: për intelektualët, për artistët e për politikanët. Ajo çfarë ishte parë si afri me kryeministrin, Edi Rama, do të kthehej sakaq në një ftohje e përplasje me të.
“Ai do patjetër të thuash atë që do ai”, kishte komentuar Velo distancimin e tij nga kryeministri socialist gjatë një interviste të vitit të kaluar për “RTV Ora”. Nuk e kapërdinte shndërrimin e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” në një “qendër tregtare e hoteliere”.
“Si është e mundur që ky njeri sportist zhduk pistën e atletikës për të bërë dyqane”, kishte pyetur me zë të lartë Velo në të njëjtin emision.
Megjithëkëtë, kryeministri Edi Rama të enjten ka qenë ndër të parët që ka ngushëlluar për shuarjen e piktorit dhe arkitektit. “Çfarë trishtimi. Lamtumirë Maks”, ka shkruar Rama në faqen e tij zyrtare në “Facebook” duke e shoqëruar edhe me një fotografi bardhezi të të ndjerit.
Për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, Velo ishte një nga “mendjet e bukura” që i dhanë aq shumë arkitekturës dhe artit shqiptar, pikturës dhe letërsisë.
“Tirana humbi një nga qytetarët e saj më të mirë, një artist brilant shumëdimensional, që na la si pajë vepra ikonike në qytet. Faleminderit Maks!”, ka shkruar Veliaj.
Për ministren e Kulturës, Elva Margariti, është gati e pabesueshme që mbledhja e radhës e Këshillit Strategjik për Kulturën nuk do të ketë praninë e Maksit.
Ndonëse kishin pasur një përplasje verbale gjatë vitit të kaluar sa i përket trajtimit të arkitektëve, ajo ka thënë se e donte atë edhe kur e ngrinte zërin, “sepse ai luftoi gjithë jetën që zëri i tij të dëgjohej”.
“Maks Velo do të na mungojë të gjithëve. Do të na mungojë eksperienca, dëshmia, pasioni, energjia, dashuria që kishte për artin dhe të bukurën, imazhi i tij, që nuk mungonte në asnjë aktivitet kulturor. Maks, dot nuk të themi lamtumirë!”, ka shkruar ministrja Margariti.
Lajm të trishtueshëm e ka cilësuar vdekjen e Velos presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta. Në një postim në faqen e tij në “Faceook”, ai ka vlerësuar se zëri kritik i Velos do t’i mungojë mbrojtjes së interesit publik në këtë “periudhë të brishtë institucionale dhe demokratike”.
“Si një prej figurave më novatore të artit shqiptar, simbol i antikonformizmit dhe lirisë së mendimit, piktor e arkitekt i shquar që luftonte pa kompromis transformimet e shfrenuara urbane, intelektual aktiv që jetoi dy epoka duke provuar vuajtjet e burgjeve të diktaturës, shkrimtar e studiues i njohur, kjo ikje e Tij lë pas një boshllëk të pazëvendësueshëm në shoqërinë shqiptare”, ka shkruar kreu i shtetit shqiptar.
“Përfaqësuesi i letërsisë së burgut”
Me vlerësime për profilin e tij në domenin e kulturës dhe mendimit shqiptar, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL) ka përkujtuar Velon.
“Letërsia shqipe humbi sot një nga përfaqësuesit më në zë të letërsisë së burgut”, thuhet në ngushëllimin e QKLL-së, ndërsa i janë veçuar librat e tij si “Hetimi”, “Spaçi”, “Përkthyesi” e “Klubi Karavasta”.
Vetë drejtoresha e kësaj qendre, Alda Bardhyli, ka postuar disa fotografi të bëra muaj më parë në shtëpinë e Velos duke pirë wisky e duke folur për pikturën e librat.
“Maks Velo një nga personalitetet më të forta të kulturës shqiptare në këtë gjysmë shekulli, vizatoi sot drejt qiellit ikjen e tij!”, ka shkruar Bardhyli.
Dy vjet më parë Alda Bardhyli kishte përgatitur librin “Maks Velo, jetë paralele” me dosjen sekrete të përndjekjes, hetimit dhe dënimit të artistit shqiptar. Si hera e parë që është publikuar një dosje e Sigurimit për një artist, libri kishte sjellë 106 dokumente për 33-vjeçarin që në Shqipërinë e asokohshme përfaqësonte artistin bashkëkohor.
“Unë jam Teatri” ishte një pankartë që Velo e mbante prejse artistët tiranas bën kauzë të tyre mbrojtjen e Teatrit. Ka qenë vetë Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit që, disa orë pas vdekjes së Velos e ka quajtur atë si një nga simbolet e protestës.
“Nuk heshtte edhe kur kishte plot që donin t'ia hiqnin fjalën, te Sheshi i Teatrit duket sikur gjeti qetësinë për të thënë ato që mbante kyçur në mendjen dhe shpirtin e tij prej vitesh”, thuhet, mes të tjerash, në ngushëllim.
Figura e një epoke
E kishte tumirë sakaq idenë që të mbante një ekspozitë në Prishtinë, meqë nuk kishte ekspozuar asnjëherë në Kosovë. Madje do të niste të mendonte edhe se cilin cikël të pikturave ta sillte. Këtë propozim ia kishte bërë gazetari dhe studiuesi Durim Abdullahu kur në gusht të vitit 2018 e kishte intervistuar Velon në banesën e tij-atelie. Ishte e para intervistë e tij për një medium të Kosovës.