Kulturë

Luljeta Kujtimi-Goranci, karikaturistja pioniere që artin e bëri mision

Luljeta Kujtimi-Goranci (11 janar 1951 – 17 korrik 2025)

Luljeta Kujtimi-Goranci (11 janar 1951 – 17 korrik 2025)

Historia e karikaturës në Kosovë e ka një kapitull të veçantë edhe për të. Ajo është e para grua që iu rrok artit të nëntë në mesin e viteve ’70, kur për herë të parë botoi karikaturën e saj. Veprimtaria e saj shtrihet edhe përtej karikaturës e krejt arti që la pas ka humanizmin si emërues të përbashkët. Për të arti qe mision, mbi të gjitha i humanizmit, njësoj sikurse jeta që bëri. Luljeta Kujtimi-Goranci vdiq të enjten, në moshën 74-vjeçare. Për miqtë e bashkëpunëtorët, ajo do të mbahet mend për krijimtarinë e saj të pasur e guximin për t’u shprehur me art

Puna e saj ka përcjellë gjenerata të tëra, pa u kuptuar. Vepra e shumë prej krijuesve letrarë ilustrohej me karikaturat e Luljeta Kujtimi-Gorancit. Nga kjo pikë nis prezenca e saj artistike dhe vazhdon gjer në misionin e saj me art. Arti i pionieres së karikaturistes ishte përplot mesazhe e vepra në përgjithësi humanizëm. Kishte stil të veçantë të punës dhe dilte përtej karikaturës. Kujtimi-Goranci vdiq të enjten. Ishte 74-vjeçare.  Lajmin për vdekjen e saj e ka bërë të ditur familja. 

“Me dhimbje të thellë njoftojmë miqtë, familjarët dhe të afërmit se sot kaloi në amshim më e dashura jonë, nana, Luljeta Kujtimi-Goranci”, shkruhet në njoftimin e Sivona Goranci-Sveçlës, vajzës së të ndjerës. 

Karikaturistja Kujtimi-Goranci është varrosur po të enjten rreth orës 17:00 në qytetin e Prizrenit. 
Me karrierë prej mbi pesë dekadash, me artin e saj reflektonte nga përditshmëria e gjer në realitetet e shoqërisë. Trajtonte temat feministe e politike dhe jo vetëm. Qe gruaja e parë në vend që preku karikaturën. Qe viti 1974 kur në të përditshmen “Rilindja” do t’i botohej karikatura e parë e prej asaj kohe artit të nëntë nuk do t’i ndahej më. 

Për miqtë e bashkëpunëtorët, Luljeta Kujtimi-Goranci do të mbahet mend për krijimtarinë e saj të pasur e guximin për t’u shprehur me art. 

Karikaturisti Gani Sunduri ka thënë se e madhe është humbja e saj për skenën artistike.

“Ajo ka qenë pjesëmarrëse në disa festivale si dhe në atë që e organizoj unë. Jo veç si artiste, por e kam çmuar edhe si person. Kemi bashkëpunuar në shumë festivale ku kemi qenë bashkë, si në Ferizaj e në festivale në Shqipëri. Më vjen shumë keq që ka ndërruar jetë. Është humbje e madhe për artin dhe në përgjithësi për karikaturën e Kosovës, meqë nuk kemi shumë artiste, kemi disa artistë, por jo artiste të karikaturës”, ka thënë Sunduri, organizator i disa festivaleve të karikaturës në të cilat Kujtimi-Goranci pati marrë pjesë. 

Ka thënë se kishte stil unik të punës së saj artistike. 

“Ajo ka pasur një stil të veçantë. Punonte me ngjyra të ujit dhe ishte shumë perfekte. Ka pasur punime kryesisht për të drejtat e grave dhe ne gjithmonë e kemi pasur pjesë në programet e festivaleve e në katalogët tanë”, ka thënë Sunduri, mik i së ndjerës. 

Pos nga aspekti profesional, e ka vlerësuar edhe për virtytet e saj.

“Luljeta ishte dhe do të jetë një ndër artistet më të mira të karikaturës. Kemi humbur një artiste shumë të madhe, jo veç të karikaturës. Ajo ka qenë edhe piktore e mirënjohur”, ka thënë më tej Sunduri në një bisedë për KOHËN.

Për 25 vjet,  Luljeta Kujtimi-Goranci punoi mësimdhënëse e artit figurativ

Prej ekspozitave të fundit të karikaturistes Luljeta Kujtimi-Goranci, ishte edhe ajo me titull “Katër petalet”. Vizatime në letër e në porcelan, piktura e karikaturë, ishin katërkëndëshi i saj në nëntor të 2023-tës në njërin prej edicioneve të Festivalit të Karikaturës të organizuar nga shoqata e karikaturistëve “Hithi” në Ferizaj. 

“Pos që është marrë me karikaturë, është marrë edhe me pikturë, e ka pasur veçanti vizatimin në porcelan, në qeramikë. Parvjet e ka pasur një ekspozitë personale në Ferizaj, të cilën e pati titulluar ‘Katër petalet’. Kjo ka qenë një simbolikë për lulet që zakonisht i kanë tri petale e kjo me katër, si lule e fatit e si prezantim i katër llojeve të artit të saj”, ka thënë drejtori i shoqatës “Hithi”, karikaturisti Imri Musliu. 

Ka treguar se në këtë shoqatë ka qenë edhe anëtare nderi për kontributin e saj të palodhshëm në edukimin e brezave. 

“Çdoherë ka dhënë kontribut si për ne, si për të rinjtë, e sidomos për fëmijët këtu në Prizren, ku ka punuar me fëmijët me sindromën Down pa kurrfarë kompensimi. Edhe pse i ka pasur problemet e veta shëndetësore, asnjëherë nuk është kursyer. Gjithashtu ka punuar edhe me fëmijët e shkollave fillore në periferi të Ferizajt. E kemi pasur një takim me fëmijët në qytet, ku ajo ka vizatuar e ka punuar gjithë ditën me ta”, ka thënë Musliu. 

Për të vetë puna e karikaturistes ka qenë humanizëm. 

“Çdoherë ka punuar në atë drejtim, por ka punuar edhe për miqtë e Kosovës. Ka bërë portrete në qeramikë për ata që kanë kontribuar për Kosovën sa i përket luftës së fundit. E ka punuar gjeneralin Clark dhe të tjerët dhe ua ka dorëzuar punimet me vetëdëshirë, vetëm e vetëm t’u falënderohet për kontributin e tyre për çlirimin e Kosovës. Ka qenë person i qetë, komunikatave me të gjithë. I ka njohur disa gjuhë dhe neve na ka shërbyer edhe si përkthyese. Gjithmonë kemi kaluar shumë mirë me të”, është shprehur Musliu pak çaste pas varrimit të së ndjerës. 

Ka bërë të ditur se nesër mbahet komemoracion për të. 

Luljeta Kujtimi-Goranci u lind në Prizren më 11 janar të vitit 1951. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në Prizren. Shkollimin e vazhdoi në Prishtinë dhe diplomoi në Shkollën e Lartë Pedagogjike. Në vitin 1977 u regjistrua në Akademinë e Arteve – Dega e Pikturës.

Pas diplomimit në pikturë u punësua në arsim dhe punoi 25 vjet mësimdhënëse e artit figurativ. Punoi portrete, ilustrime, karikatura, ornamente në qeramikë e të tjera. Ilustroi mbi 20 libra, kopertina librash dhe u angazhua në përgatitjen e Fjalorit të Gjuhës Rome, ku i realizoi 700 ilustrime.  Veprat e saj trajtojnë tematika feministe, politike dhe shoqërore, e përfshijnë edhe reagime të ndjeshme ndaj zhvillimeve globale si pandemia apo ngrohja klimatike. Sipas biografisë së afishuar edhe nga Galeria Kombëtare e Kosovës, ajo ka ekspozuar në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Vojvodinë dhe më gjerë. 

Galeria Kombëtare e Kosovës ka konsideruar se ajo “u nda nga jeta duke lënë pas një trashëgimi të çmuar kulturore e shpirtërore në kujtesën kolektive të një shoqërie që ajo e sfidoi dhe e preku përmes artit”. 

“Përveç kontributit të saj si artiste, Goranci ishte edhe një mentore dhe aktiviste e përkushtuar. Ajo i mësoi vullnetarisht për shumë vjet fëmijët me aftësi të veçanta, duke vepruar gjithmonë me frymën e Nënës Terezë, të cilën e kishte udhërrëfyese jetësore. Ajo besonte thellësisht se arti nuk duhet të ushqejë urrejtje, por të ngjallë tolerancë, dashuri dhe frymëzim”, shkruhet në postimin e GKK-së në rrjete sociale. 

Aty shkruhet se karikaturisten nga Prizreni e frymëzonte qyteti i saj për veprat e saj. 
“Për më shumë se pesë dekada, ajo i kontribuoi skenës artistike me një praktikë multidisiplinare, duke i dhënë formë dhe ngjyrë realitetit ku vepronte dhe zërit të grave përmes karikaturës, ilustrimit, qeramikës dhe pikturës. Lindur dhe rritur në Prizren, qytet që mbeti frymëzim i përhershëm për krijimtarinë e saj, Luljeta shprehej: ‘Prizreni është motivi im i përjetshëm. Sa herë mendon që e ke kapur tërësinë e tij, hapen edhe dhjetëra rrugë e motive të reja’”, shkruhet më tej aty. 

“Karikatura për mua është pasion, mjeshtëri. Ajo më relakson e më përmbush në veprimtarinë time artistike”, do të thoshte Luljeta Kujtimi-Goranci, karikaturistja pioniere që artin e bëri mision.