Disa lule gjigante të punuara nga një kornizë delikate e çeliktë dhe me pëlhurë të ngjyrosur, janë më shumë sesa një manifestim delikat i dashurisë në të gjitha format e saj.
Në edicionin e sivjetmë të “Quadriennale di Roma” lulet e realizuara nga artisti kosovar Petrit Halilaj punës bashkë me partnerin e tij Álvaro Urbano, janë edhe një manifestim i një modaliteti të ri të të qenit familje, që tejkalon limitet e identitetit dhe kombësisë, shkruan KOHA.
Madje, vepra (7 prill 2020) e Halilaj dhe Urbanos bashkë me 300 vepra nga 43 artistë të përzgjedhur nga kuratorët Sarah Cosulich dhe Stefano Collicelli Cagol, kanë si qëllim që të ofrojnë edhe një rrugë alternative për të kuptuar artin italian që nga vitet e ’60 e deri më sot.
Ftesë për të menduar jashtë kornizave
Lulet e Petrit Halilajt dhe Álvaro Urbanos – zambaku i dhuruar për propozimin e martesës – që duhej të ishte mbajtur këtë vit në Spanjë – , “Non ti scordar di me” (lule e bardhë) dhe lulet e ftoit të dhuruara gjatë karantinës zënë vend në shkallët e katit të dytë në “Palazzo delle Esposizioni” që shërben si hapësirë ekspozuese, qendër kulturore dhe njëkohësisht edhe muze. Objekti i ndërtuar në vitin 1883 në Romë është nikoqir i edicionit të sivjetmë të “Quadriennale di Roma” që nisi më 29 tetor dhe përfundon më 17 janar të vitit që vjen. Ngjarja që mbahet çdo katër vjet që nga janari i vitit 1931, këtë vit ka ardhur nën titullin “FUORI” (Jashtë). “Quadriennale di Roma” organizohet nga institucioni me të njëjtin emër, e që ka për qëllim promovimin e artit italian bashkëkohor.
“Është një ftesë për të menduar jashtë kornizës, për të marrë një qëndrim ekscentrik - jashtë qendrës -për të miratuar një vështrim të pjerrët, bazuar në një marrëdhënie të ndërsjellë me të tjerët. ‘FUORI’ është një çlirim nga çdo shtrëngim ose kategori që kanë shfrytëzuar artin dhe individët: “Quadriennale di Roma” dëshiron të jetë jashtë mendjes, jashtë mode, jashtë kohe, në shkallë, në lojë, në çdo gjë, jashtë vend, përmes punimeve dhe hulumtimeve të artistëve pjesëmarrës”, është përshkrimi i temës së sivjetmë në komunikatën e lëshuar për media.
Në të njëjtën, kuratorja e sivjetshme Sarah Cosulich ka thënë se përmes ekspozitës kanë dashur që të lidhin imagjinatën e artistëve të rinj dhe atyre të gjeneratës së mesme me eksperimentet e pioniereve të cilët jo çdoherë kanë gjetur vend në rrëfimin për artin italian.
“Ka artistë që vazhdimisht janë konfrontuar me disiplina të ndryshme si vallëzim, muzikë, teatër, kinema, modë, arkitekturë dhe dizajn, duke u dhënë jetë rrugëve ndonjëherë të ndërprera që pasurojnë vështrimin e së kaluarës sonë artistike dhe forcojnë veprat që realizohen në të sotmen”, është cituar të ketë thënë ajo.
Eksplorimi i dëshirave
Në anën tjetër, kuratori Stefano Collicelli Cagol ka treguar se për të realizuar një ekspozitë vizionare ata janë inspiruar nga disa pika kyçe: shprehja e dëshirës dhe opsesionit, eksplorimi i asaj as që nuk thuhet e nuk matet, hulumtimi i tensionit në mes të artit dhe fuqisë.
Lulet gjigante fillimisht ishin paraqitur në ekspozitën personale të artistit kosovar “Një korbi dhe uraganet që nga vendet e panjohura rikthejnë erëra të njerëzve të dashuruar” që është hapur më 16 korrik në Pallatin e Kristaltë në Madrid. Halilaj që ka nënshtetësi edhe italiane e kishte shndërruar hapësirën një fole gjigante duke eksploruar temat si shtëpia, kombi, dashuria dhe identiteti kulturor. Atëherë për Kohën kishte treguar se frymëzimi fillestar për lulet kishte ardhur nga një histori personale, kremtimi i lidhjes së tij me artistin Alvaro Urbano.
“Në fakt, ekspozita flet për shtigjet e rënda dhe shpeshherë dramatike që duhet t’i ndjekim për të arritur te pika ku mund ta dashurosh dikë, për ta ndier njohjen e dashurisë sonë, së pari nga vetë ne dhe pastaj nga familja dhe miqtë dhe më pas nga e gjithë shoqëria”, kishte thënë ai për ekspozitën që hapi dyert e Pallatit, pas mbylljes për shkak të pandemisë dhe mbyllet më 28 shkurt të vitit që vjen.
Po ashtu, lulet e Petrit Halilaj dhe Álvaro Urbano, qëndrojnë të ekspozuara edhe në Berlin, në klubin “Berghain” që ndryshe konsiderohet edhe tempulli i teknos. Kur jeta e natës ra në qetësi për shkak të koronavirusit, vendi legjendar u kthye në një galeri arti me ekspozimin e veprave të artistëve si Tacita Dean, Olafur Eliasson, Ëolfgang Tillmans dhe dyshes Halilaj-Urbano. Në qoshe e “Panorama bar”, ku zakonisht zënë vend DJ-të, dyshja kanë instaluar lulet e tyre. Është i njëjti vend ku dy burrat e ri janë takuar një mëngjes të hershëm në janar të vitit 2010. Për “The Guardin” ata kishin treguar se “Berghain” ishte një hapësirë për të ëndërruar. “’Berghain’ është një vend ku ju ndani gjera që normalisht nuk di i ndanit me të tjerët”, thotë Alvaro. Dyshja kishte në plan që të martohej këtë vit, mirëpo kanë anuluar planet për shkak të pandemisë.
Simbolika e shtypjes
Arsyeja kryesore për statusin e veçantë të klubit ka të bëjë me faktin se në Berghain nuk lejohet që të bësh fotografi. Të dera, sigurimi, vend ngjitës në kamerat e telefonit dhe të gjithë ata që shihen duke u përpjekur që ta largojnë, dëbohen nga vendi. “Nga kjo vijnë edhe mitet”, ka thënë për “The Guardian”, Halilaj. “Ju mund vetëm të tregoni, por jo të dokumentoni se çfarë ndodh brenda”.
Kuratorja italiane, Vanina Saracino në përshkrimin kuratorial që u ka bërë veprave që ekspozohen në “Berghain” ka shkruan se lulet, organet gjinore të bimëve, zakonisht çelin ku energjia diellore dhe të tjera burime janë me bollëk.
“Duke e zgjeruar në një alamet madhësi në aktin e rimarrjes së hapësirës për dashuri brenda gjinisë, lulja e ftoit qëndron për të gjitha format e dëshirës, intimitetit, afërsisë dhe identitetit, por veçmas për ata që janë orë e çast të nëpërkëmbur apo shtypur nga politikat regresive dhe normat shoqërore”, ka shkruar ajo për projektin e dyshes.
Halilaj ishte artisti që përfaqësoi Kosovën në pavijonin e parë të shtetit për Bienalen e 55-të të Venedikut (2013) dhe po ashtu ka marrë pjesë në Bienalen e 6-të të Berlinit (2010) dhe në Bienalen e 15-të të Lionit (2019). Ai ka paraqitur veprat e tij në ekspozita personale në muze dhe qendra artistike të rëndësishme sikur Hangar Bicocca (Milano, 2015), Bundeskunsthalle (Bon, 2015) dhe New Museum (Nju-Jork, 2017), ndër të tjera. Në tetor të vitit të kaluar, Halilja bashkë me partnerin e tij Alvaro Urbano fillon që të ligjërojë në shkollën kombëtare të arteve “Beaux-Arts” në Paris.