Për katër minuta e gjysmë, Urtina Hoxha me animacionin “Kush mytet kapet për shkume” shfaq copëza nga përjetimet e një gruaje gjatë luftës. E kapërthen atë nëpërmjet historisë së Ola Sylës (65- vjeçare).
Flet për një kohë ku asgjë nuk ishte e zakonshme. Njëlloj, si kërkesa e Sylës për familjarët e saj që të cakërronin gotat me verë me shpresë se njashtu do të bënin edhe vitin e ardhshëm, ani pse ishte Bajram e luftë. Animatorja e re ka dashur që përmes animacionit t’i japë jetë rrëfimit të Sylës, të cilën ajo e kishte shpalosur para pesë vjetësh në platformën “Oral History Kosovo”, shkruan sot “Koha Ditore”.
Me mjaft mjeshtëri Hoxha ka vizualizuar edhe pjesë të qytetit që nuk janë më. Është përpjekur që t’i qëndrojë besnike historisë së Sylës, por edhe pamjes që kishte kryeqyteti gjatë asaj periudhë. Animacioni i cili u shfaq të mërkurën në “Dit’ e Nat’” fokusohet në kohën e bombardimeve të NATO-s.
Ola Syla, me prejardhje nga Istogu, banore e Prishtinës, para 20 vjetësh i vishte rrobat më të shëmtuara që mund t’i gjente, aso që nuk binin në sy, duke iu ikur ngjyrave të ndezura, dhe dilte që të blinte bukë e gjëra ushqimore për familjen e saj. Përmes animacionit ajo shihet duke pritur para radhëve të gjata ku kishte edhe të atillë që mbesnin duarbosh. Syla – e lindur më 1955 në Istog, e që studioi juridikun e gazetarinë në Universitetin e Prishtinës, për t’u marrë me aktivizëm që nga viti 2000 – shpërfaq një pjesë të jetës së vështirë që kishin gratë gjatë asaj kohë. Përkundër rrezikut e frikës se çfarë ngjante nëse do t’i ndalte policia, dilnin nëpër qytet për ta mbajtur gjallë familjen.
“Tërë ditën burri im me djem rrinte i mbyllun në shtëpi. Unë isha ajo e cila delsha me furnizu’ shtëpinë. Blejsha bukë, miell, vaj, sheqer, t’u mendu që rrijmë në shtëpi, s’guxojmë me dalë, e bile t’kanë fmitë çka me hangër”, janë fjalët që shqiptohen nga aktorja Rebeka Qena e që shoqërohen me animacion.
Urtina Hoxha, e cila e ka realizuar këtë film të shkurtër të animuar, ka thënë se ka qenë një proces i cili i ka marrë kohë deri te produkti final. Mirëpo, me gjithë punën e mundin, ajo është krenare me rezultatin. Me mburrje thotë se është animacioni i saj i parë, ani pse kishte provuar edhe më herët diçka të tillë në këtë fushë.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)