Arbëri

Kthehet përkohësisht kontrolli i dyfishtë në kufirin me Maqedoninë

Kufiri Hani i Elezit

Për shkak të problemeve me sistemin e Policisë në Maqedoninë e Veriut, është rikthyer përkohësisht kontrolli i dyfishtë në kufi.

Siç ka njoftuar Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, për shkak të rënies së sistemit, veturat që hyjnë në Maqedoninë e Veriut po regjistrohen mekanikisht dhe se si pasojë ka kolona të gjata të shkaktuara.

“Ju njoftojmë se sot është raportuar rënia e sistemit të Policisë së Maqedonisë së Veriut në gjithë territorin e saj. Si pasojë e kësaj ndërprerjeje teknike, autoritetet maqedonase kanë pezulluar përkohësisht hyrjen e automjeteve në territorin e RMV-së. Tani kanë filluar mekanikisht regjistrimin dhe deri sa të kthehet sistemi kufitar i MKDV- së është kthyer kontrolli i dyfishtë! Ka kolona të gjata  në territorin e RMV-së. Do t’u mbajmë të informuar në kohë reale për çdo zhvillim të mëtejmë lidhur me këtë situatë”, thuhet në njoftim të kësaj qendre.

Nga prilli, Kosova dhe Maqedonia e Veriut përuruan pikëkalimin e përbashkët kufitar Hani i Elezit – Bllacë. Nga ai moment ka pasur vetëm një ndalësë kontrolli në hyrje të shtetit pritës. E nga qershori një kontroll është edhe në pikëkalimin tjetër Glloboqicë-Jazhincë.

Ditëve të fundit, pikëkalimi në Han të Elezit është mbyllur përkohësisht në dy raste, si pasojë e zjarreve në Maqedoni.