Arbëri

Tensione në Theth, banorët përplasen me autoritetet për shembjen e ndërtimeve pa leje

Një banor zbriti nga karroca me rrota dhe u përpoq të ndalonte ekskavatorin e IKMT-së. Foto: Emi Kalaja

Një banor zbriti nga karroca me rrota dhe u përpoq të ndalonte ekskavatorin e IKMT-së. Foto: Emi Kalaja

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka nisur këtë javë një aksion për shembjen e disa ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur të Thethit, në veri të Shqipërisë. Ndërhyrja ka shkaktuar tensione me banorët lokalë, disa prej të cilëve kanë kundërshtuar veprimin e autoriteteve duke kërkuar ndalimin e prishjes së objekteve që, sipas tyre, shërbejnë për zhvillimin e turizmit familjar.

Sipas IKMT-së, ndërtimet e shembura dhe ato që do të shemben kanë qenë në kundërshtim me ligjin, pasi janë kryer pa leje ndërtimi në një zonë të mbrojtur natyrore, pjesë e Parkut Kombëtar të Alpeve Shqiptare. Autoritetet deklarojnë se këto ndërhyrje janë të domosdoshme për të ruajtur integritetin ekologjik dhe për të parandaluar shndërrimin e Thethit në një “zonë pa kriter” ndërtimi.

Ndaj këtij aksioni ka pasur reagime të forta nga banorët, të cilët pretendojnë se janë ndërtime të vogla që përdoren për akomodim turistik, pa dëmtuar natyrën, dhe që janë të vetmet burime të ardhurash për familjet në zonë. Disa prej tyre akuzojnë institucionet për mungesë transparence dhe për trajtim selektiv të rasteve. Ata madje kanë gjuajtur me molotovë pajisjet e rënda që po kryejnë shembjet.

Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur aksionin e IKMT-së, duke theksuar se qeveria nuk do të lejojë ndërtimet pa leje në zona të mbrojtura.

“Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë tolerim për ndërtime të paligjshme në parqet tona kombëtare. Thethi është një pasuri kombëtare, jo një hapësirë për të ndërtuar sipas qejfit, duke shkatërruar natyrën dhe imazhin e zonës”, u shpreh Rama në një postim në rrjetet sociale.

Ai shtoi se zhvillimi i turizmit duhet të bëhet me planifikim dhe në përputhje me ligjin, dhe se janë të mirëpritur investimet që respektojnë standardet mjedisore dhe arkitekturën tradicionale.

Ndërhyrja në Theth ka nxitur debat publik, mes atyre që kërkojnë ruajtjen e parkut si një pasuri natyrore dhe atyre që e shohin zhvillimin e turizmit lokal si prioritet. Ekspertë të mjedisit dhe arkitekturës kanë theksuar se mungesa e planeve të qarta rregulluese dhe legalizimeve në kohë po krijon tensione të panevojshme në komunitete që jetojnë në zona të mbrojtura.

Për momentin, IKMT ka paralajmëruar se aksioni do të vijojë edhe në ditët në vazhdim, dhe se janë në shqyrtim edhe raste të tjera ndërtimesh të paligjshme në zonën e Thethit dhe më gjerë në Alpet Shqiptare.