Me kërkesë të mbrojtjes është shtyrë seanca ndaj Ramadan Morinës, i akuzuar për krime lufte në Malishevë. Avokati i tij, Arianit Koci, ka kërkuar që Prokuroria Speciale t’ia dorëzojë deklaratën e një dëshmitari anonim, duke thënë se dëshmia e tij, do të jetë pjesë integrale e fjalës hyrëse. Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Rrahman Beqiri, e ka obliguar prokurorinë që në afat prej 3 ditësh t’ia dorëzojë mbrojtjes deklaratën e dëshmitarit
Seanca e parë e shqyrtimit gjyqësor kundër Ramandan Morinës, i akuzuar për krime lufte, është shtyrë për në tetor.
Arsye për shtyrje ishte kërkesa e mbrojtjes që ta ketë deklaratën e dëshmitares së mbrojtur “D1”, meqë sipas avokatit Arianit Koci, ajo do të jetë pjesë integrale e fjalës hyrëse.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Nuk është hera e parë që e bëj këtë kërkesë, nuk e kam deklaratën e dëshmitares së mbrojtur ‘D1’, për këtë edhe e kam bërë një kërkesë për hedhje të aktakuzës, vazhdimisht e kam përmendur, nuk ma keni dërguar deri tani dhe kërkoj që të më dërgohet”, ka thënë avokati i të pandehurit Morina, Arianit Koci.
Pas kësaj trupi gjykues ka marrë vendim që Prokuroria Speciale në afat prej 3 ditësh t’ia ofrojë këtë deklaratë mbrojtjes dhe ka vendosur që seanca të shtyhet për në muajin shtator.
Por paraprakisht, nga mbrojtja është identifikuar një gabim, që sipas gjykatës është i “natyrës teknike’.
Avokati Koci është revoltuar që në ftesën për seancën që është dashur të mbahej të martën, është shkruar se është siguruar përkthimi nga serbishtja në shqip.
“Nëse Gjykata më quan mua serb dhe e quan klientin tim serb, unë normal që kam me komentu. Kjo tregon se nuk e keni marrë seriozisht. Ma keni dërgu ftesën dhe thoni se gjatë rrjedhës së shqyrtimit gjyqësor do të përkthehet nga gjuha shqipe në gjuhën serbe dhe anasjelltas, duke marrë parasysh që mbrojtësi jam unë. Këtu shkruan Arianiti dhe i akuzuari Ramadani, edhe ky është shqiptar”, ka thënë Koci.
Toni i Kocit gjatë shprehjes nuk i ka pëlqyer kryetarit të trupit gjykues, Rrahman Beqiri. Andaj edhe ia ka ndalur fjalën.
“Avokat ta ndërpres fjalën. Meqë Gjykata ia dha fjalën, i tërhiqet avokatit Arianit Koci për të tretën herë radhazi, pasi përkundër që gjykata ia dha mundësinë që të deklarohet, toni i tij është jashtëzakonisht i lartë”, ka thënë gjyqtari Beqiri.
Sipas tij, gabimi në ftesë është i natyrës teknike, meqë sipas tij, numri më i madh i të akuzuarve për krime lufte në Kosovë, janë të komunitetit serb.
“Gjykata e ka parasysh që ky është një shqetësim me vend, natyrisht që është një gabim i natyrës teknike. Dhe se kjo ka mbetur nga fakti se pothuajse shumica e rasteve në këtë gjykatë që gjykohen për krime lufte janë të komunitetit serb, prandaj të gjitha planifikimet bëhen që të sigurohet përkthimi”, ka thënë Beqiri.
Sipas Prokurorisë Speciale, Morina ngarkohet se gjatë periudhës 1998-99, në kohën e luftës në fshatin Burim të Malishevës, në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka marrë pjesë në vrasje, dëbime, arrestime e keqtrajtime fizike.
Në aktakuzë thuhet se, nga gratë dhe fëmijët i kanë ndarë 35 burra civilë shqiptarë, duke i detyruar të rreshtohen, ndërsa të tjerët janë detyruar që të largohen nën përcjelljen e kërcënimin e armëve. Më pas, sipas organit të akuzës, një pjesëtar i forcave policore serbe ka shtirë rafal me një pushkë duke vrarë 34 civilë.
I akuzuari Ramadan Morina është arrestuar në gusht të vitit të kaluar në Prishtinë për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.