Arbëri

Serbia pretendon për “frymë të re” në raportet me SHBA-në

Hanrahan

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se ekziston një “frymë e re” në raportet e Serbisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një njoftim për takimin me zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Brendan Hanrahan, Gjuriq ka thënë se kanë diskutuar për çështjet e bashkëpunimit bilateral, situatën në rajon dhe çështjet aktuale ndërkombëtare.

“Ka frymë të re në raportet tona bilaterale dhe vizita e z.Hanrahan në Beograd është shenjë jo vetëm e dialogut politik të intensifikuar dhe produktiv në nivelin e lartë, por edhe e së ardhmes së ndritur që shtrihet përpara për lidhjet Serbi-SHBA”, ka shkruar ai në X.

Pas Serbisë, Hanrahan do të qëndrojë në Kosovë. Ai në mbrëmjen e së shtunës pritet të takohet me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Hanrahan nuk ka karrierë të gjatë diplomatike, konsiderohet si person i besuar i Marco Rubios, sekretarit të Shtetit, dhe pritet të luajë rol kyç në ripërcaktimin e qasjes së Amerikës ndaj Evropës, përfshirë gadishullin ballkanik. Ardhja e tij do të jetë vizita e parë e një zyrtari të lartë amerikan në rajon që nga ndryshimi i qeverisë në SHBA në janar të këtij viti.

Presidentja Vjosa Osmani kishte zhvilluar takim me Hanrahanin para tre ditësh në Washington.