“Kurrë nuk kemi dalë as prej viteve ’80 as prej viteve ’90, edhe pas çlirimit, pas UNMIK-ut, EULEX-it. Në sferën e kulturës, gjendja jonë bazike është gati sikur në vitet ’90 në kuptimin se kultura jonë bazohet në përpjekjet individuale ose grupore dhe është e vetorganizuar”, ka qenë njëri prej konstatimeve të filozofit e kritikut Shkëlzen Maliqi. Shkrimi i tij i vitit 2011 ka qenë si pikënisje në debatin publik “Kultura sot”. Skena e sotme e kulturës është cilësuar si skenë e një tranzicioni që s’ka mbarim, sukseset e së cilës janë rastësi dhe jo pasojë strukturash e politikash të qarta kulturore
Nëse do ta përkufizohej gjendja e sotme e kulturës në Kosovë, ndoshta do të ishte ai që artisti e profesori i filozofisë, Labinot Kelmendi e quan “Kulturpessimismus” duke iu referuar termit gjerman për pesimizëm kulturor, si pesimizëm i shëndetshëm e vetëdije kritike që na mbron nga iluzionet e optimizmit të verbër. Në panelin e diskutimit “Kultura sot” është konstatuar se optimizmi i tepërt ka çuar në katastrofa. Se kultura në vend duhet të analizohet kthjellët, jo veç të romantizohet.
Në kuadër të programit të debateve publike “Fuqizimi i kulturës” të kafe-galerisë “Hani i dy Robertëve”, të enjten mbrëma është zhvilluar debati i parë. Pikënisje për të është teksti i vitit 2011 “Kultura e pasluftës në Kosovë” i autorit Shkëlzen Maliqi që vjen si këndvështrim i gjendjes kulturore në Kosovë, e që reflekton edhe në gjendjen e sotme.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNga “Hani...” bëhet me dije se kjo seri debatesh synon të hapë një hapësirë për reflektim kritik mbi statusin e kulturës në tranzicion, mbi rolin e kritikës artistike, si dhe mbi domosdoshmërinë e ristrukturimit të politikave kulturore në përputhje me realitetin bashkëkohor.
Në të parin të zhvilluar është thënë se arritjet dhe të metat janë thuaja të njëjta.
“Kurrë nuk kemi dalë as prej viteve ’80 as prej viteve ’90, edhe pas çlirimit, pas UNMIK-ut, EULEX-it. Në sferën e kulturës, gjendja jonë bazike është gati sikur në vitet ’90 në kuptimin se kultura jonë bazohet në përpjekjet individuale ose grupore dhe është e vetorganizuar. Nuk kemi institucione, ato disi, jo që nuk kanë cilësi, por thjesht koha e tranzicionit është e tillë që nuk i kemi gjetur ende modelet e kulturës, vetëm i kemi trashëguar siç kanë qenë më parë”, ka thënë në panel filozofi e kritiku, Shkëlzen Maliqi.
Sipas tij, ka plot absurditete edhe në mënyrën se si veprojnë institucionet shtetërore kulturore.
“Ministritë lokale veç kanë provuar ta bëjnë ashtu si e kanë pasur, me pak mjete, as nuk kanë ditur të rregullojnë si duhet institucionet shtetërore si teatri e të tjera i cili ka qenë në gjendje kaotike. Në një mandat kam qenë në bordin e Teatrit Kombëtar dhe e di se çfarë telashesh ka pasur ta rregullojë ansamblin, financat e të tjera. Njëri prej problemeve kryesore ka qenë që shumën e shitjeve të biletave, ndoshta dy a tre mijë euro, t’ia kthenin Ministritë e pastaj të bënin kërkesë për t’ia kthyer ato. Absurde kanë qenë”, ka vazhduar Maliqi. Njësoj është edhe tash.
Artisti e profesori i artit, Mehmet Behluli, duke u bazuar në tekstin e vitit 2011 të Maliqit, ka thënë se asgjë nuk ka ndryshuar me skenën kulturore. Se arritjet dhe të metat kanë mbetur thuaja të njëjtat. Por se është njëfarë zhvillimi që, sipas tij, do të duhej të ishte më ndryshe.
“Kultura si tërësi, bashkë me institucione dhe pa to, duhet të jetë njëfarë bazamenti sipas të cilit, mund të funksionojmë. Unë vërtet besoj se të mos kesh ku të bazohesh nuk mund të jesh as kundër, as pro. Unë mendoj se ende jemi shoqëri parapolitike, parademokratike, parakulturore, jemi shoqëri në themelim e sipër. Shtetësia kërkon që institucionet të ndihmojnë të themelohen disa bazamente në të cilat pastaj mund të drejtohemi”, ka thënë Behluli.
Sipas tij, komunikimi i vazhdueshëm i artistëve me institucionet që nga viti 1999, shpesh ka rënë në vesh të shurdhër.
“Prej vitit 1999 e 2000 kemi provuar të komunikojmë me secilën ministri e pushtet që ka qenë, që të debatojmë, të ndajmë mendimet, por askush nuk na ka dëgjuar. As sot nuk na dëgjojnë, por nuk ka rëndësi. Ka shumë grupe të interesit dhe prandaj mund të krijohet njëfarë platforme kulturore e Kosovës”, është shprehur ai.
Sipas artistit Mehmet Behluli, në terrenin e brishtë të skenës kulturore në Kosovë ndodhin edhe mrekulli të pashpjegueshme, por të pashpjeguara janë, sipas tij, edhe sesi shpesh prioritet kanë artistët më pak profesionistë para atyre të etabluar në skenën artistike të vendit. Si shembull e ka marrë edicionin e 14-të të bienales “Manifesta 14 ” në Prishtinë në vitin 2022.
“Prej njëfarë bazamenti institucional nuk dalin shkëndijat të cilat njerëzit, përfshirë edhe unë, nuk dinë si t’i shpjegojnë. Për shembull, ‘Manifesta’ një ngjarje shumë e madhe që vjen në Prishtinë në vitin 2022 në konkurrencë me vende të mëdha. Vjen në bashkëpunim me institucionet dhe aty marrin pjesë shumë artistë para atyre që janë më të etabluar në skenën artistike”, është shprehur ai më tej.
Artistja Eliza Hoxha ka thënë se në Kosovë, skena kulturore shpesh reduktohet në dekor dhe jo si aspekt strukturor.
“Kultura vazhdon të jetë tek ne si një aktivitet i qejfit, i zbukurimit dhe jo si platformë ku njerëzit krijojnë kontekste të reja edhe shoqërore, edhe politike, edhe historike, por zhvillohen vetë dhe jetojnë nga puna që e bëjnë. Sidomos në dimensionet kulturore që lidhen me artin dhe prodhimin e kreativitetin, njerëzit e tillë janë akterë që dëshirojnë të krijojnë por edhe të jetojnë prej punës që e bëjmë. Kultura si tërësi është aspekt strukturor. Na definon si njerëz, i përfshin brenda vetes të gjitha dimensionet tona të qenësimit dhe lidhet edhe me gjeografinë ku jetojmë, edhe ku përkasim, prej çfarë familje vijmë”, është shprehur ajo.
Ka folur edhe për kulturën urbane duke marrë parasysh sfondin e saj prej arkitekteje.
“Kultura nuk është se nuk ka ekzistuar si prodhim, si dije, si traditë, si zanat, besim edhe në zonat rurale. Por është kapitalizuar dhe ka ardhur në një tjetër formë. Është muzeuar, interpretuar, diskutuar dhe është lartësuar, por edhe është vënë në pikëpyetje nga një gjeneratë tjetër për diçka më të re dhe për të ardhmen. Andaj qyteti e ka peshën e vet sepse është hapësira gjeografike ku ne rritemi dhe bëhemi këta që jemi në role të ndryshme”, ka thënë Hoxha më tej.
E sipas profesorit të filozofisë e artistit Labinot Kelmendi, duhet të ketë pesimizëm kulturore sepse optimizmi i tepërt ka çuar në katastrofa e tragjedi.
“Shprehja më e rëndësishme për mua për ta definuar kulturën është shprehja gjermane ‘Kulturpessimismus’. Mendoj se optimizmi i tepërt na ka çuar në Auschwitzc dhe Reçak. Doza e pesimizmit është e shëndoshë për të parë me distancë ndërmarrjet kulturore”, është shprehur ai duke komentuar edhe organizimin e ngjarjes.
“Shkëlzeni nuk ka hyrë në trendin e bashkëkohores, por me finesë na ka ftuar të flasim për kulturën sot. Duket se përvoja e tij në shoshitjen e arealeve kulturore në një nivel të përgjithshëm refleksiv dhe diskursiv e ka bërë atë të ndërgjegjshëm për implikimet që mund t’i ketë kjo grackë e matricave të ndryshme disiplinore. Nëse e bëjmë një ekspeditë në konceptin e kulturës, atëherë shohim se gjithmonë e ka përligj frymën intelektuale të kohës së cilës i ka takuar”, ka thënë ai.
Në kuadër të ngjarjes është hapur edhe ekspozita “Windfall” nga Kelmendi. Veprat e tij janë plot ngjyra. Pikturat shumëngjyrëshe ngjajnë edhe në animacione dhe kanë forma reale e edhe shkrihen në ato mistike. Punimet janë të këtij viti dhe të vitit të kaluar. Për të shkruhet se “shpreh frikën dhe rilindjen, shpresën dhe tragjedinë, reflektime të qeta dhe ekzaltime”.
Sipas tekstit të Maliqit me titull “Kultura e pasluftës në Kosovë”, shkruhet se “në Kosovën e pasluftës arti, letërsia, kultura në përgjithësi, kanë një status të paqartë dhe të degradimit të vazhdueshëm, të pauperizimit. As pushtetit e as shoqërisë nuk i është bërë vonë për kulturën”.
Planet për programin e debateve publike “Fuqizimi i kulturës” janë që të mbahen gjashtë të tillë deri në muajin maj dhe se fokusi është në problematikat kulturore.
Për kulturën në vend, në debatin me temë “Kultura sot”, është vlerësuar se progresi sado i vogël sot është më shumë shkëndijë e rastit sesa rezultat i një strategjie të mirëfilltë kulturore.