“Në ekspozitën impresive ‘Dhëmbë të fortë’ të Brilant Milazimit, në Pavijonin e Kosovës në Bienalen e Venecias 2026, pritja nuk paraqitet si një gjendje pasive apo e zbrazët. Ajo është tension i mbajtur në trup, i ruajtur në nofull, i shtypur në zmalt. Figurat që popullojnë pikturat e tij nuk rrinë duarkryq apo nuk ëndërrojnë diku tjetër...”, është përshkrimi i veprës së Brilant Milazimit, që do ta përfaqësojë Kosovën në edicionin e 61-të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia të vitit që vjen. Përzgjedhja e tij në mesin e shtatë aplikimeve, sipas jurisë, ka qenë unanime
Në thelb ka pritjen dhe për Brilant Milazimin pritja ia ka vlejtur. Ai është përzgjedhur ta përfaqësojë Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia. Vepra që ka propozuar ai titullohet “Dhëmbë të fortë” dhe me të e ka bindur jurinë që në edicionin e 61-të të ngjarjes më madhore të artit pamor në botë, që mbahet vitin që vjen, ai të jetë artisti që hap kapitullin e radhës për shtetin. Votat për të kanë qenë unanime. Vendimi është bërë publik të mërkurën pasdite nëpërmjet një njoftimi nga Ministria e Kulturës, e cila tok me vendimin ka përcjellë edhe arsyetimin e jurisë dhe detaje të tjera.
Milazimi, artist i gjeneratës së re, ka qenë në mesin e shtatë konkurrentëve, emrat e cilëve nuk janë bërë publik.
Bazuar në përshkrimin që ia bën juria – e përbërë nga Inke Arns, Erëmirë Krasniqi, Christine Macel, Valentine Umansky dhe Rein Wolfs – propozimi “Dhëmbë të fortë” ka tis politik. Te propozimi i Milazimit ka vlerësuar qartësinë e vizionit, gjuhën e fuqishme vizuale dhe angazhimin e tij me mediumin e pikturës.
“Ekspozita synon të ngjallë një reagim të thellë emocional përmes atmosferës dhe pranisë. Në një ambient zhytës, të zymtë dhe të çuditshëm, vizitorët do të përballen me figura të pezulluara në një tension të qetë, që mishërojnë gjendje të pazgjidhura pritjeje, qëndrueshmërie dhe përmbajtjeje. Këto përvoja pasqyrojnë gjendje të paqarta politike, siç është edhe vetë njohja e pjesshme e Kosovës në skenën ndërkombëtare, ndërsa rezonojnë edhe globalisht në epokën e krizave të migrimit, ngërçit burokratik dhe pasigurisë kolektive”, shkruhet në arsyetim. Projekti, sipas jurisë, ndërtohet rreth konceptit të pritjes, e cila, sipas aplikacionit, “është një gjendje e formësuar nga pushteti, politika dhe presioni, një përvojë e jetuar që përcakton jo vetëm çfarë na lejohet të bëjmë, por edhe kush na lejohet të bëhemi”. Kurator i Pavijonit të Kosovës do të jetë José Esparza Chong Cuy.
Edicioni i 61-të i Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, në vitin 2026, mbahet prej 9 majit deri më 22 nëntor. Tema e Bienales, kuruar nga Koyo Kouoh, është “In the Eye of the Storm – Chronicles of the Minor Key”. Kouoh vdiq papritur në majin e sivjetmë në moshën 57-vjeçare. Ishte një nga figurat kryesore të botës së artit dhe avokuese e pakompromis e krijuesve afrikanë. E lindur në Kamerun, Kouoh ishte në kulmin e karrierës së saj. Kosova thirrjen për përfaqësim shtetëror e kishte hapur po në maj. Sipas ftesës për aplikim të Ministrisë së Kulturës, thirrja ishte e hapur për projekt-propozim të përbashkët artist-kurator apo edhe kolektiv, për realizimin e një ose më shumë veprave të reja artistike. Në thirrje shkruhej se projektet mund të jenë të formave të ndryshme, përfshirë ekspozita personale, grupore apo ekspozita tematike. Afati i fundit i aplikimit ka qenë 20 qershori.
Në edicionin e kaluar, më 2023, Kosova ishte përfaqësuar me “Heshtjet kumbuese të metalit dhe lëkurës” të artistes së gjeneratës së re, Doruntina Kastrati, nën kurimin e Erëmirë Krasniqit e me komisionere Hana Halilaj. Ishte përfaqësimi i gjashtë i Kosovës në Bienalen e Artit që kulmoi me sukses. Pavijoni i Kosovës në garë me 80 shtete mori “Mirënjohje Speciale” në edicionin e 60-të, ku “Luanin e Artë” e mori Australia. Aktualisht Venecia është e pushtuar nga Bienalja Ndërkombëtare e Arkitekturës, edicioni i 19-të i së cilës zgjat deri në nëntor. Kosova përfaqësohet me veprën “Lulebora nuk çel më. Asamble në shpërfaqje”, një instalacion ndijor i arkitektes Erzë Dinarama.
“Historia” e Kosovës me Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia nisi më 2013, me Petrit Halilajn, që ishte paraqitur me instalacionin “Jam i untë me të pasë ngat. Po du me i gjetë fjalët që më ngopin, por në fund s’mbetet tjetër pos nji qark i mbyllun. Ironia asht që ti nuk je këtu, asni gja nuk asht këtu”.
Më 2015-n, përfaqësuese e Kosovës ishte artistja Flaka Haliti me veprën “Speculating in the blue” (Spekulim në të kaltër). Më 2017 ishte Sislej Xhafa me veprën “Lost and Found”, një thirrje e fuqishme për fatin e të zhdukurve gjatë luftës. Me histori lufte, Kosova ishte përfaqësuar edhe më 2019-n nga Alban Muja me “Family Album” (Albumi familjar). Më 2022, Jakup Ferri do të trajtonte “Monumentalitetin e përditshmërisë”.
Me “Dhëmbë të fortë” të Brilant Milazimit në mot do të jetë hera e parë që Kosova do të përfaqësohet me pikturë. Këtë fakt e ka theksuar edhe juria kur ka bërë përshkrimin e propozimit të artistit të lindur më 1994 në Gjilan e që jeton dhe vepron midis qytetit të tij të lindjes dhe Prishtinës.
“Në ekspozitën impresive ‘Dhëmbë të fortë’ të Brilant Milazimit, në Pavijonin e Kosovës në Bienalen e Venecias 2026, pritja nuk paraqitet si një gjendje pasive apo e zbrazët. Ajo është tension i mbajtur në trup, i ruajtur në nofull, i shtypur në zmalt. Figurat që popullojnë pikturat e tij nuk rrinë duarkryq apo nuk ëndërrojnë diku tjetër. Ato presin me dhëmbë të shtrënguar”, ka shkruar juria, e cila ka nënvizuar se anëtarët e saj i ka tërhequr mënyra se si propozimi e paraqet pritjen jo si një gjendje pasive, por si një hapësirë ku tensioni grumbullohet.
“Duke inskenuar atë që projekti e përshkruan si ‘përballje më e qetë’, shtjellohen pyetjet: çfarë i ndodh një personi, një trupi, një kombi, kur është pafundësisht në lëvizje? Çfarë zakonesh formohen në qetësi? Çfarë tensionesh grumbullohen gjate pauzës?”, ka shkruar juria. Përgjigjeve si këto Milazimi do t’u përgjigjet në ngjarjen më të madhe të artit. E, juria që e ka përzgjedhur, duke pasur parasysh kohën në dispozicion për zhvillim të mëtejshëm, ka shkruar “se beson se projekti do të përbëjë një paraqitje kombëtare të fuqishme”.
“Gatishmëria e artistit për bashkëpunim, së bashku me kuptimin e thellë të kuratorit për praktikën e tij, i japin mbështetje të mëtejshme realizimit të suksesshëm të këtij projekti në Ekspozitën e 61-të Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venecias, në vitin 2026”, ka shkruar juria pesanëtarëshe.
Te përshkrimi i artistit që shoqëron raportin e jurisë dhe vendimin e ministrit në detyrë të Kulturës, Hajrulla Çeku, shkruhet se Brilant Milazimi e përkthen perceptimin e tij për botën që e rrethon në imazhe që janë njëkohësisht të hidhura, qesharake, të ndjeshme e të çuditshme. “I shtyrë nga makineria e pavetëdijes dhe i frymëzuar nga imagjinatat e universeve fiktive, ai gjen forma shprehjeje që janë njëkohësisht poetike dhe të errëta për të përballuar realitetin e shoqërisë ku jeton: fizionomitë e ekzagjeruara dhe simbolizmi i theksuar i dhëmbëve apo tiparet e kafshëve janë manifestime vizuale që i referohen së tashmes dhe konflikteve të saj”, shkruhet për artistin, i cili studimet për art i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës. Ekspozitat e tij të fundit personale përfshijnë ato në: “LambdaLambdaLambda”, Prishtinë (2023, 2019); Stacion – Qendrën për Art Bashkëkohor (2024-2025; 2020-2021); “Paul Soto”, Los Angeles (2023), “La Maison de Rendez-Vous”, Bruksel (2022), dhe “Ermes-Ennes”, Romë (2021). Në vitin 2020 ka marrë çmimin “Artistët e së Nesërmes” e vjet ka qenë artist rezident në “Art Explora Foundation”, në bashkëpunim me “Cite internationale des arts”, Paris.
E, José Esparza Chong Cuy është kurator, shkrimtar, redaktor dhe arkitekt nga Meksika. I lindur më 1984. Në biografinë e tij shkruhet se ai ka mbajtur role të ndryshme institucionale në nivel ndërkombëtar dhe ka bashkëpunuar me dhjetëra artistë në mbarë botën. “Është bashkëredaktor i librit të ardhshëm ‘Empty Plinths: Monuments, Memorials,and Public Sculpture in Mexico’, i cili do të botohet në vitin 2026 nga ‘Harvard Design Press’ në Harvard University”, shkruhet në biografinë e tij.
Për të dy, Bienalja e Venecias është arritje kulmore dhe do të maten me “Dhëmbë të fortë”.
Lexo edhe: