Kandidati i Koalicionit Vakat për Dragashin, Usmen Baldzi, ka thënë se kjo komunë është shembull i bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve dhe se kjo komunë ka një përparësi të veçantë që e dallon nga të tjerat në Kosovë.
“Dragashi përbëhet nga dy regjione dhe ka një bukuri tjetër që komunat e tjera nuk e kanë – të kuptuarit e gjuhëve. Shqiptarët, boshnjakët, goranët e turqit këtu komunikojnë shumë mirë mes vete, pa pengesa, dhe kjo është një pasuri e madhe për ne”, ka thënë Baldzi.
Ai theksoi se Dragashi është një komunë e bukur, e njohur në gjithë Kosovën për harmoninë ndërmjet komuniteteve, dhe se tri sfidat kryesore për zhvillim mbeten ekonomia, turizmi dhe infrastruktura.
“Sipas meje, problemi kryesor është zhvillimi ekonomik, që duhet të mbështetet nga turizmi, bujqësia e blegtoria, por edhe nga infrastruktura, e cila është thelbësore për t’i dhënë hov turizmit. Dragashi ka potencialin më të madh në Kosovë për këtë fushë”, deklaroi Baldzi.
