Kandidati për kryetar të Dragashit dhe kandidat i LDK-së në këtë komunë, Bexhet Xheladini, kandidati i PDK-së, Shaban Shabani, ai i VV-së, Filiz Mustafa dhe Usmen Baldzi nga Koalicioni Vakat janë përballë njëri-tjetrit për planet e tyre për katërvjeçarin e ardhshëm.

Baldzi: Dragashi është shembull i bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve

2 o. më parë / 16 sht 2025 22:15
Usmen Ballshi

Kandidati i Koalicionit Vakat për Dragashin, Usmen Baldzi, ka thënë se kjo komunë është shembull i bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve dhe se kjo komunë ka një përparësi të veçantë që e dallon nga të tjerat në Kosovë.

“Dragashi përbëhet nga dy regjione dhe ka një bukuri tjetër që komunat e tjera nuk e kanë – të kuptuarit e gjuhëve. Shqiptarët, boshnjakët, goranët e turqit këtu komunikojnë shumë mirë mes vete, pa pengesa, dhe kjo është një pasuri e madhe për ne”, ka thënë Baldzi.

Ai theksoi se Dragashi është një komunë e bukur, e njohur në gjithë Kosovën për harmoninë ndërmjet komuniteteve, dhe se tri sfidat kryesore për zhvillim mbeten ekonomia, turizmi dhe infrastruktura.

“Sipas meje, problemi kryesor është zhvillimi ekonomik, që duhet të mbështetet nga turizmi, bujqësia e blegtoria, por edhe nga infrastruktura, e cila është thelbësore për t’i dhënë hov turizmit. Dragashi ka potencialin më të madh në Kosovë për këtë fushë”, deklaroi Baldzi.

“Sharri, qytet i turizmit malor” – misioni i kandidatit të LVV-së për Dragashin

2 o. më parë / 16 sht 2025 22:05
Filiz Mustafa

Kandidati për kryetar të Dragashit nga radhët e LVV-së, Filiz Mustafa, ka bërë thirrje që të shfrytëzohet sa më shumë bashkëqeverisja Komunë - Qeveri qendrore, që të arrihet zhvillimi ekonomik i kësaj komunë.

Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË – Debati për Dragashin”, Mustafa ka thënë se "Sharri qytet i turizmit malor” është misioni i tij si kandidat për këtë komunë.

Sipas tij "Sharri qytet i turizmit malor gjithësezonal” është një plan ambicioz i cili përfshinë infrastrukturën bazike që nënkupton rrugë, trafo elektrike.

"Kjo do të ndikojë në zhvillimin ekonomik lokal, do të krijohen edhe shtigje të reja, të ecjes dhe vrapimit, ju e dini që shumë prej klubeve të ecjes vendim më të preferuar e kanë Bordin. Brodi me qeverisjen tonë do të jetë fshat turistik, me një infrastrukturë më të rregulluar", ka deklaruar Mustafa

Mustafa po ashtu ka shpalosur programin e LVV-së edhe në aspektin e shëndetësisë, arsimit dhe fushave të tjera.

Shabani: Dragashi po përballet me largim të banorëve

3 o. më parë / 16 sht 2025 21:55
Shaban Shabani

Kandidati për kryetar i PDK-së në Dragash, Shaban Shabani, ka thënë se komuna e Dragashit është duke u përballur me probleme të shumta, por që më kryesoren e ka cilësuar largimin e banorëve nga komuna e Dragashit.

Në emisionin "Zgjedhjet në KOHË - Debati për Dragashin", Mustafa ka thënë se ata duhet të bëjën gjithçka për të ndaluar largimin e tyre, sepse kjo po shkakton probleme edhe në fusha tjera.

"Po përballemi me situatë të pafavorshme për shkak se kemi edhe largim të popullates nga vendbanimet tona. Këtë e këmi problematikën kryesore që na shkakton edhe sfida të tjera që lidhen edhe me arsim edhe me shëndetësin", ka thënë Shabani.

Sipas Shabanit, zhvillimi ekonomik i komunës së Dragashit, do të jetë prioritet i PDK-së.

Xheladini i LDK-së: Me kontratat kolektive, Qeveria na ka marrë edhe paratë e bursave

3 o. më parë / 16 sht 2025 21:49
Bexhet Xheladini

Kandidati për kryetari i LDK-së për komunën e Dragashit, Bexhet Xheladini, ka fajësuar qeverinë në detyrë, se përmes kontratave kolektive po ua merr parat që janë të dedikuara për zhvillim të komunës së Dragashit.

Xheladini që njëherësh është edhe kryetar aktual i Dragashit, në debatin zgjedhor "Zgjedhjet në KOHË", ka kërkuar nga qeveria që të hartojë një plan për të ndihmuar komunat rurale në zhvillim ekonomik.

"Qeveria jo që na ka ndihmuar por na ka penguar, sidomos te kontrata kolektive duke na i marr mjetet nga investimet kapitale, nga të hyrat vetanake bile edhe nga bursat. Për çdo vjet që tri vite ne ballafaqohemi me këtë problem edhe pse shumë herë kemi pasur takime edhe me kryeministrin por nuk kemi mundur ta zgjidhim", ka thënë Xheladini

Xheladini tutje ka shtuar se si kandidat i LDK-së, do të fokusohet në zhvillimin ekonomik të Dragashit, duke shfrytëzuar resurset dhe pasurite natyrore të vendit, që banorët të vetëpunësohen.