Kulturë

Komuna vazhdon betonimin e gjysmës së “Xhorxh Bushit” që mbetet pa leje

Sheshi "Xhorxh Bush"

Me histori përplasjesh midis Komunës së Prishtinës dhe autoriteteve të trashëgimisë kulturore e të Ministrisë së Kulturës, të cilat ende nuk kanë epilog, “Xhorxh Bushi” vazhdon të betonohet deri në kufirin që s’e prek zonën e mbrojtur. Në foto: “Xhorxh Bushi” të martën

Foto: KOHA

Veçmas në kohë fushate, punimet për sheshin “Xhorxh Bush” qenë zhvilluar hovshëm në pjesën që e kanë lejuar autoritetet e trashëgimisë kulturore, sipas zyrtarëve komunalë janë kryer 27 për qind të punimeve të projektit 18.1 milionë eurosh, se puna do të vazhdojë, ndërkaq as pas tetë muajsh nuk ka leje nga Instituti i Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Komuna e Prishtinës e pret atë përderisa as që u është përgjigjur kërkesave të IKMM-së. “Ne jemi duke punuar në pjesën e cila nuk interferon në të ashtuquajturën zonë mbrojtëse, ndërkohë po presim nga IKMM-ja të na lejohen punimet në pjesën tjetër. Nuk ka arsye të ndalohen më. Qytetarët kanë votuar për projektet dhe transformimin”, tha Gëzim Kastrati

Historia e punimeve në atë që njihet si sheshi “Xhorxh Bush” në Prishtinë ka hyrë në një tjetër etapë. Gjysma e rrugës që është matanë kufirit të zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës është në betonim e sipër. Alamet sipërfaqesh janë duke u mbushur me armaturë dhe beton. Sipas projektit, sipër do të ketë gurë. Por, ana tjetër mbetet e paprekur. Institucionet s’kanë kurrfarë komunikimi. Komuna pret që Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të miratojë projektin, kurse autoriteti i trashëgimisë kulturore është në pritje të plotësimeve që kaherë ia ka rekomanduar institucionit lokal. 

Historia e punimeve në “Xhorxh Bush” do të niste në mars të këtij viti, kur Komuna pa përfillur Ligjin për trashëgimi kulturore synonte punime midis pesë monumenteve dhe zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës. Komuna s’kishte marrë leje për ndërhyrje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve si i vetmi institucion me mandat për miratimin ose refuzimin e projekteve që prekin trashëgiminë arkitekturore. 

Çështja ka marrë karakter të fortë politik. Për Komunën politika e qeverisë qendrore është problemi. Kurse për institucionet e trashëgimisë kulturore dhe vetë Ministrinë e Kulturës kjo temë është krejtësisht ligjore. 

Kandidimi i ministrit në detyrë të Kulturës, Hajrulla Çeku, për kryetar të Prishtinës ishte përdorur për narracionin e krahut të Ramës. Por prej të dielës mbrëma është marrë vesh se kryetari aktual është zgjedhur që edhe për katër vjet ta drejtojë kryeqytetin. 

Përtej çdo deklarate a narracioni, çështja është krejt procedurale dhe ligjore. 

Mjetet e rënda bashkë me punonjësit e tri kompanive që janë bashkuar për të punuar në këtë projekt 18.1 milionë eurosh janë duke zhvilluar aktivitet në zonën e lejuar. 

Sipas të dhënave të ofruara nga zyrtarët komunalë, deri më tash punime janë bërë në 27 për qind të hapësirës dhe punëkryerësve u janë paguar 500 mijë euro. 

“Shumë më shumë është punuar sesa që janë paguar pozicionet. Arsyeja- bllokimi i buxhetit”, ka thënë drejtori i Drejtorisë së Transformimit në kryeqytet, Gëzim Kastrati. 

Ai ka thënë se janë duke vazhduar punët. 

“Ne jemi duke punuar në pjesën e cila nuk interferon në të ashtuquajturën zonë mbrojtëse, ndërkohë po presim nga IKMM-ja të na lejohen punimet në pjesën tjetër. Nuk ka arsye të ndalohen më. Qytetarët kanë votuar për projektet dhe transformimin”, ka thënë Kastrati tri ditë pasi Përparim Rama është konfirmuar edhe për një mandat qeverisës. Sipas tij, “gjërat janë të thjeshta dhe qytetarët e kanë vërtetuar këtë me votë”. 

Komuna pa leje kishte nisur punimet në mars për të zbatuar projektin që, sipas kontratës, ka kosto 18.1 milionë eurosh. Punimet i ishin ndalur më 12 mars. Më pas më 16 prill. Dhe për të tretën herë më 29 prill. Inspektorati për këtë rast kishte ushtruar kallëzim penal në Policinë e Kosovës. Pas ndaljes së punimeve për herë të parë në mars, Komuna kishte bërë kërkesë në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për pajisje me leje.  Në ditën e 16-të të prillit, Komuna ishte njoftuar se projekti nuk i ishte miratuar. 

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka dhënë rekomandime duke kërkuar sqarime shtesë, siç janë analiza e kontekstit urbanistik e historik. Shkresa e IKMM-së e konfirmon edhe një synim të projektit: ndërtesat e reja që ngrihen midis monumenteve. Kjo zbërthehet te shkresa, ku Komunës i kërkohet që të interpretohen ndërtesat e reja të parapara me projekt.  Konstatimi se projekti cenon integritetin e monumenteve është po ashtu brenda shkresës që IKMM-ja ia ka përcjellë Komunës së Prishtinës. IKMM-ja ia ka bërë të ditur Komunës së Prishtinës se nëpërmjet këtij projekti trajtohen shtatë sheshe si: ai i Katedrales, i shkollës “Faik Konica”, sheshi komercial i rrugës “Garibaldi”, ai “Xhorxh Bush”, sheshi i koncerteve, i rekreacionit dhe ai i studentëve. Pesë prej këtyre shesheve, sipas komisionit të IKMM-së, gjenden brenda hapësirës së kufijve të zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës, si dhe brenda perimetrit të zonave të  mbrojtura të monumenteve si: Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Rektorati i Universitetit të Prishtinës, Radio-Kosova, hoteli “Grand” dhe Banka Qendrore e Kosovës. Projekti, sipas shkresës, është kthyer në plotësim me gjashtë rekomandime. 
Në shkresë bëhet e ditur se projekti parasheh ndërhyrje në aspekt urban dhe arkitektonik, në perimetër dhe zonë mbrojtëse të monumenteve si Rektorati i UP-së dhe Radio-Kosova, “duke cenuar integritetin hapësinor të këtyre monumenteve, respektivisht duke penguar kuadrin e dukshëm të përjetimit të tyre nga sheshi aktual dhe si të tilla nuk janë në pajtueshmëri me politikat për konservim dhe zhvillim të perimetrit dhe zonës mbrojtëse të monumenteve”.

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve është në pritje të plotësimeve të projektit që më pas do t’u adresohet për shqyrtim. 

“Ne nuk kemi marrë më asnjë shkresë e as projektin nga Komuna pas rekomandimeve që kemi bërë”, ka konfirmuar ky institucion në përgjigje me shkrim. 

Komuna lëndën e kishte dërguar në gjykatë duke kërkuar pezullimin e vendimit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore e më pas edhe shqyrtim të ligjshmërisë së ndalimit të punimeve. Gjykata e ka refuzuar pezullimin dy herë radhazi. Edhe pasi Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim. 

Në arsyetim Gjykata ka cituar pikën e 8-të të nenit të 3-të të Ligjit për trashëgimi kulturore, i cili përcakton se “dhënia e lejes (lejimi) për ndërtim ose veprimtari të tjera që mund të ndikojnë në vlerat ose ndryshojnë tërësinë ose strukturën e objektit të trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, bëhet vetëm me miratimin me shkrim të institucionit kompetent”. Komuna nuk ishte pajisur me leje nga IKMM-ja. 

Komuna i ka po ashtu punimet e ndaluara edhe për projektin “Ishulli Urban Arbëri – Pallat i Rinisë”, projekt që ka kosto 6.4 milionë euro e edhe në rrugën “Qamil Hoxha”. 

Zyrtarët komunalë në krye me kryetarin Përparim Rama e kontestojnë kufirin e zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës, e përfshirë në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përkohshme prej vitit 2020. Komuna i referohet studimit të fizibilitetit dhe planit të menaxhimit për Qendrën Historike të Prishtinës që ende është duke u hartuar dhe thotë se institucionet e trashëgimisë kulturore po bazohen në një draft-dokument. Por, sipas institucioneve të trashëgimisë kulturore, kufijtë e zonës së mbrojtur të QHP-së janë miratuar bashkë me propozimin e vitit 2020, kur QHP-ja ka fituar statusin e monumentit nën mbrojtje të përkohshme.

 

Lexo edhe: