“Dhe dielli prapë lind” është motoja e sivjetme e festivalit “Polip” e hapja me shfaqjen “Hija e gjatë e Alois Brunner” që në thelb ka historinë e kriminelit nazist, por në fakt trajton fatin e shkrimtarit e të artistit dhe mat peshën e artit, ka qenë përzgjedhje e duhur. Shfaqja zhvendoset gjeografikisht në Siri – aty ku regjimi strehoi një kriminel – zbardhja e historisë së tij, u bë kërcënim për ekipin e shfaqjes dhe rrëfimet personale plotësojnë “Hijen e gjatë…”. Është një thirrje universale që dëshmon rezistencën ndaj regjimeve dhe fshehjes së krimeve
Shfaqja “Hija e gjatë e Alois Brunner” me autor sirianin Mudar Alhaggi nën regji të Omar Elerianit është më shumë sesa gjurmim në historinë e një prej kriminelëve nazistë më të kërkuar në histori. Një rrëfim i shpëtimit të dënimit për deportimin e mbi një qind mijë hebrenjve në kampe të përqendrimit, shkon edhe në prapaskenat e ndërtimit të rrëfimit.
Zhdukja e shkrimtarit, përjetimet dhe bashkëpunimi me ekipin i vijnë publikut si mozaik. Aty është i gjithë procesi i punës dhe në një formë tjetër reflekton edhe në temën e sivjetme të edicionit të 15-të të festivalit “Polip”, që zyrtarisht është hapur të enjten mbrëma dhe zgjat deri të shtunën, në edicionin e tij të dytë në version të formatuar, duke lënë prapa edicionet si festival i letërsisë.
Thirrja për shpresë dhe solidaritet
Me titull “Dhe prapë dielli lind” dhe nëntitull “Artikulimi kreativ i rezistencave nëpër histori e gjeografi, përtej mureve”, edicioni sivjet është formë shërimi nga censura, siç është shprehur Aurela Kadriu, drejtoreshë e programit në qendrën “Multimedia”.
“Programi i sivjetmë i cili thërret për shpresë dhe solidaritet ka qenë edhe njëfarë forme e jona, e qendrës ‘Multimedia’ të shërohemi. Nuk e kemi pasur një vit shumë të mirë, në kuptimin e ballafaqimit me krejt çfarë po ndodh në botë. Gjithçka ndodh thërret për solidaritet, sot riprodhon nevojë të përditshme për solidaritet, mirëpo e kemi bërë këtë temë të festivalit me idenë që jemi bashkë për agime më të mira dhe dielli prapë do të lind”, është shprehur ajo në ceremoninë modeste të hapjes që i ka paraprirë shfaqjes.
Ka përmendur specifikisht ndalimin e shfaqjes “Të gjashtët kundër Turqisë” në teatrin e qytetit të Prizrenit si dhe tentativat për ndalim në Bosnjë-Hercegovinë, muajin e kaluar.
“Si artistë, si krijues, edhe ne jemi ballafaquar me censurë të shfaqjes tonë ‘Të gjashtët kundër Turqisë’ dhe me ndalesa të shfaqjes në Kosovë, kështu që tema e sivjetme na ka ftuar të shohim, të kthehemi prapa në histori dhe të shohim shokët e shoqet tona të viteve të mëparshme, të vendeve të ndryshme të botës, që janë ngritur kundër regjimeve shtypëse, ashtu siç bëjmë ne me artin tonë”, është shprehur Kadriu.

Rezistenca përballë censurës e diktaturës
Introja e shfaqjes i dedikohet prezantimit të dy aktorëve. Ata nuk kanë emra personazhesh, por gjithë kohës përdorin emrat e tyre të vërtetë: Wael Kadour dhe Mohamad Al Rashi. Që në hyrje fati i shfaqjes lihet në mëdyshje duke shkruar një mesazh zyrtar ndaj stafit të shfaqjes për dorëheqje nga pozitat e tyre si aktorë në projektin të cilin janë angazhuar. Krejt kjo ka veç një arsye: zhdukja e autorit Mudar Alhaggi.
Është aso shfaqje më shumë e ngarkuar me tekst, pak performancë skenike dhe ku aktorët veprojnë natyrshëm. Kjo pasi në shumicën e kohës janë duke rrëfyer edhe historitë e tyre të vërteta të censurës e ndalimit në një shtet me sundim diktatorial. Për shkaqe të tilla, dy aktorët jetojnë në Francë ndërsa dramaturgu në Gjermani.
Aktori Mohamad Al Rashi e portretizon austriakun Alois Brunner, ish-oficerin nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore, i cili luajti rol të rëndësishëm në zbatimin e Holokaustit duke mbledhur dhe deportuar mbi 100 mijë hebrenj në Austri, Greqi, Francë dhe Sllovaki.
Brunner arriti t’i shpëtonte kapjes dhe iku nga Gjermania Perëndimore në vitin 1954, së pari për në Egjipt, pastaj në Siri, ku qëndroi deri në vdekjen e tij. Në shtetin diktatorial iu dha azil dhe udhëheqësi i shtetit atëkohë, Hafez al-Assad i ndihmoi në mënyrë që të trajnonte shërbimin sekret duke marrë model praktikat e torturës naziste.
Historia e jetës së tij është përplot drama dhe vështirë se të përfshihet në një shfaqje të vetme. Në mungesë, u dënua në Gjermani, ndërsa në Francë u dënua me vdekje për krime kundër njerëzimit. Atentate iu bënë nga inteligjenca izraelite në vitet 1961 dhe 1980 si rrjedhojë e letrave bombë që iu dërguan. Fillimisht humbi njërin sy, e më pas tre gishtërinjtë e dorës së majtë.
Ishte raportuar disa herë se ka vdekur, por burime të besueshme thuhet se e kishin parë. Provat e një hetimi njohin dhjetorin e vitit 2001 si kohë e vdekjes së tij, por sipas agjencisë gjermane të inteligjencës, ai vdiq në vitin 2010. Data dhe vendi i saktë i vdekjes së Brunnerin mbesin të panjohura. Ai ishte i gatshëm të vriste veten duke pirë një shihe helm, të cilën e mbante përherë me vete, në rast se do të binte në dorë të atyre që janë në kërkim të tij. Assesi s’do të dorëzohej.
Një pjesë e këtij rrëfimi, e përmbledhur shkurt, vjen nga aktori Mohamad Al Rashi që e sjell portretin e tij me syze që dëshmojnë mbulimin e syve të tij dhe me dorën që shfaq mungesën e gishtërinjve.
Është ajo skenë ku Brunner, një prej kriminelëve më të kërkuar në botë, shkon për të blerë CD filmash dhe bie në konflikt me shitësin për demokratiken e diktaturën. I pari shprehet se i pëlqen filmi “Lamtumirë Leninit” me arsyetimin se i pëlqejnë skenarët e vërtetë që duken si trillim.
Si rezultat Brunner përfundon duke shpërthyer në rrëfimin e historisë së tij që duket larg e imagjinueshme dhe absurde.
Artistët e përndjekur në kërkim të së vërtetës
Aktori Mohamad Al Rashi e shfaq atë të ftohtë e të ashpër, shumë ndryshe nga perspektiva e njerëzve që e rrethojnë. Por në shfaqje vjen edhe rrëfimi i vetë aktorit, se si në funeralin e 16 të rinjve si pasojë e konfliktit kundër Bashar Al-Assad, kishte bërë thirrje për rrëzimin e pushtetit të tij. Ai tregon se u përndoq, u kërcënua, u arrestua dhe se jeta e tij nuk qe më kurrë e njëjtë.
“Flasim për jetën tonë dhe gjithashtu aty ka dramë. Është diçka e re që mundohemi ta bëjmë, të përziejmë dramën me dokumentim. Dhe po, gjithë rrëfimin që e them në fund është historia ime”, ka thënë aktori Mohamad Al Rashi.
Në shfaqje rrëfehet edhe ajo se si hulumtimi i Mudar Alhaggit për ta shkruar tekstin kishte nxitur jo pak reagime. Ai ishte kërcënuar e po i ndodhnin gjëra të çuditshme. Kërkon ndihmën e policisë, por zyrtarët nuk i besojnë dhe e drejtojnë te një psikolog.
Aktori sirian Wael Kadour, i cili e ka punuar edhe dramaturgjinë, e sjell këtë rol.
“Roli im në shfaqje, pasi e kam punuar edhe dramaturgjinë, është reflektim në punën e shkrimtarit. Mundohem të luaj, të përmbush pjesët të cilat janë të zbrazëta. Gjithashtu bashkëpunoj me aktorin tjetër. Mundohesha, shumicën e kohës të prezantoj reflektimin e shkrimtarit që zhduket”, është shprehur ai.

Mozaiku ndërtohet edhe nga transmetimi i letrave të shkruara nga Alois Brunner për miqtë e tij në të cilat ka hasur gjatë hulumtimit. Ato mbajnë vulën e pseudonimit të tij të cilin e mbante në Siri – George Fischer.
Autori i shfaqjes, Mudar Alhaggi, ka thënë se në të përfshihet i gjithë procesi i projektit.
“Nga ideja fillestare kur dëgjuam për kriminelin nazist i cili u zhvendos në Siri dhe u bë refugjat atje, se si ishte mbështetur nga diktatori Hafiz Al-Assad në atë kohë. Dëgjuam për këtë histori dhe vendosëm të shkruajmë një shfaqje për këtë. Pastaj, gjatë procesit u përballëm me vështirësi për çdo artist që jeton jashtë vendit”, është shprehur ai.
Dramaturgu Mudar Alhaggi ka thënë se krejt puna për shfaqjen ka qenë proces i komplikuar, i vështirë dhe se ka ndikuar në tekst e në kushtet e prodhimit.
“Shkuam deri në momente ku vendosëm ta anulojmë shfaqjen, por pastaj vendosëm të vazhdojmë dhe t’i tregojmë publikut rrëfimin se si e krijuam rrëfimin. Më shumë flet për kushtet në të cilat e kemi bërë shfaqjen sesa për kriminelin e luftës”, ka thënë ai.
Kjo shfaqje ka qenë aktiviteti i parë i edicionit të 15-të të festivalit “Polip” që, si zakonisht, është mbajtur në teatrin “Oda” në kryeqytet. E aktiviteti i festivalit do të vazhdojë edhe për dy ditë të tjera.
Sjell edhe panele diskutimi si ai i së premtes “E kaluara që përndjek të ardhmen: Artikulim kreativ i momenteve historike” edhe me protagonistët e shfaqjes – i zhvendosur prej “Burgut të idealit” në teatrin “Oda” për shkak të motit, pasuar prej filmit “Letra të hapura” nën regji të Katherine Domonice, një rrëfim për gjeneratën e parë të “gastarbajterët” nga Kosova në Zvicër në “Kino Armatë”.
Në ditën e mbylljes të shtunën, në shëtitoren e “Burgut të idealit” është paraparë të mbahet diskutimi në temën “Sindroma e (jo) karakterit kryesor? Përfaqësimi i grave në letërsinë e Ballkanit” e më pas, në qeli të burgut do të ketë lexime me temën “Tregime të ish-të burgosurve/ave politikë/e nga Kosova”. Festivalin e mbyll shfaqja “Bëje ose vdis” me tekst të Jeton Jezirajt dhe nën regji të Blerta Neziralt, në shëtitoren e “Burgut…” i rihapur në verën e vitit 2022, si muze në ish-Burgun e Prishtinës.