Kulturë

Galeria me dhjetë ekspozita në vitin e rikthimit në objektin e rinovuar

Objekti i Galerisë Kombëtare të Kosovës

Objekti i Galerisë Kombëtare të Kosovës është në rinovim tash e 253 ditë

Për Galerinë Kombëtare të Kosovës, viti 2026 shënon një kapitull të ri, jo vetëm në zgjerimin e kapaciteteve fizike, “por edhe për përpjekjet e vazhdueshme për të rikonfiguruar dhe sfiduar narrativat margjinalizuese dhe patriarkale që kanë shënuar fillimet dhe zhvillimin e tij”. Teksa ka shpalosur programin me dhjetë ekspozita, ka paralajmëruar edhe rihapjen e objektit “me hapësira të rinovuara ekspozuese dhe një hapësirë të re të përkushtuar për ruajtjen e koleksionit dhe arkivave”. Rinovimi prej 1.4 milion eurosh nisi në majin e vjetëm dhe për atë vit GKK-ja e tkurri programin kur u zhvendos në “Galerinë e vogël”

Ekspozita retrospektive e akademik Xhevdet Xhafës dhe ajo personale e Doruntina Kastratit janë kryefjala e Galerisë Kombëtare të Kosovës në programin e institucionit për këtë vit. Për të dyja, përgatitjet kanë nisur në vitin 2025. Për 2026-n, GKK-ja synon që të kthehet në ndërtesën e saj që gjendet në fazë të restaurimit ku përfshihet edhe zgjerimi i hapësirave të punës dhe atyre për fundus. E pjesa tjetër e programit do të zërë vend në atë që ishte Galeria e Ministrisë së Kulturës e që prej vitit të kaluar është shndërruar në një zgjatim të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Gjithsej planifikohen dhjetë ekspozita. 

Nëpërmjet një njoftimi për media, GKK-ja ka bërë të ditur se programi për vitin 2026 përfshin ekspozita që trajtojnë kontekstin kompleks bashkëkohor përmes çështjeve gjinore, klasore, migrimit dhe ballafaqimit me të kaluarën. Sipas institucionit, ky vit shënon një kapitull të ri në historinë e GKK-së, jo vetëm në zgjerimin e kapaciteteve fizike, “por edhe për përpjekjet e vazhdueshme për të rikonfiguruar dhe sfiduar narrativat margjinalizuese dhe patriarkale që kanë shënuar fillimet dhe zhvillimin e tij”. 

“Pas një viti pune intensive, objekti qendror i GKK-së do të rihapet me hapësira të rinovuara ekspozuese dhe një hapësirë të re të përkushtuar për ruajtjen e koleksionit dhe arkivave. Rihapja shënon një fazë të rëndësishme në zhvillimin institucional duke krijuar kushte të reja dhe të përmirësuara për prezantimin, ruajtjen dhe studimin e trashëgimisë artistike vizuale. Kjo fazë e re inaugurohet me një ekspozitë grupore që vendos në dialog veprat nga koleksioni i GKK-së me ato të artistëve të rinj bashkëkohorë, duke vënë në pyetje narrativat mbizotëruese të artit në Kosovë dhe rikonceptimin e tyre nga perspektiva e së tashmes”, shkruhet në njoftimin ku shpaloset programi. Ekspozita grupore e kuruar nga Hana Halilaj, planifikohet të sjellë një hapësirë reflektimi kritik mbi vazhdimësitë dhe ndërprerjet në historitë e artit, si dhe mbi rolin e koleksionit si një fushë aktive hulumtimi dhe interpretimi. 

E, programi në objektin qendror të Galerisë Kombëtare të Kosovës do të vazhdojë më tutje me prezantimin e dy ekspozitave personale të Xhevdet Xhafës dhe Doruntina Kastratit. 

“Ekspozita e Xhevdet Xhafës është duke u zhvilluar që nga viti i kaluar, në bashkëpunim të ngushtë me familjen e artistit. Kjo ekspozitë retrospektive përmbledh opusin e gjerë të punës së frytshme të artistit, e cila artikulohet si dëshmi e realitetit shoqëror dhe politik të vendit, e ndërtuar mbi përvojat e drejtpërdrejta të jetës, rrethit dhe historisë së Kosovës”, shkruhet në njoftim. Sipas GKK-së, pas përfaqësimit tejet të suksesshëm të Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Venecias 2025, ku u nderua me “Mirënjohje të veçantë”, GKK prezanton ekspozitën personale të Doruntina Kastratit, të kuruar nga Natasa Petrešin-Bachelez. 

“Ekspozita sjell një përzgjedhje të veprave të saj të mëparshme, të ndërthurura me punë të reja, të komisionuara posaçërisht për këtë rast. Praktika e Kastratit përqendrohet në trupin si hapësirë, duke shqyrtuar tensionin dhe rezistencën brenda biopolitikave të pushtetit, duke artikuluar me ndjeshmëri çështjet shoqërore dhe politike të punës në kontekstin global”, shkruhet në njoftim. 
Në program sivjet rikthehet edicioni i 15-të i ekspozitës ndërkombëtare “Muslim Mulliqi”, e bashkëkuruar nga May Makki dhe Ana Janevski. 

“Ekspozita do të zhvillohet në formatin e thirrjes së hapur për artistë nga Kosova dhe rajoni, duke prezantuar praktika dhe mediume të ndryshme artistike që i përgjigjen konceptit kuratorial, i cili do të shpallet gjatë vitit”, shkruhet në njoftim. Aty bëhet me dije se në hapësirën GKK-QAFA, do të prezantohen për herë të parë në këtë institucion me ekspozita personale artistet: Bora Baboçi, Laureta Hajrullahu, Albe Hamiti, Anita Muçolli dhe Stephanie Rizaj. Po ashtu do të mbahet edhe edicioni i dytë i programit “Shtëpi” në bashkëpunim me Cité Internationale des Arts. 

“’Imazhe Migruese’ nga Bora Baboçi, e kuruar nga Erëmirë Krasniqi, shqyrton qarkullimin, materialitetin dhe virtualitetin e imazheve në trashëgiminë kulturore shqiptare. Përmes muraleve, murit modular dhe strappo-s, veprat krijojnë një hapësirë dinamike dhe ndërvepruese, ku imazhet migrojnë fizikisht dhe konceptualisht. Projekti evidenton marrëdhëniet shoqërore dhe tensionet që përcaktojnë kuptimin dhe funksionin e imazheve brenda historisë dhe kulturës, duke nxitur bashkëbisedim me publikun”, shkruhet në njoftim. “Të zhbësh, të shpërbëhesh, të zhdukesh” nga Laureta Hajrullahu, kuruar nga Michalina Sablik, sipas GKK-së do të sjellë një instalacion multimedial i cili adreson marrëdhëniet në mes të agjencisë njerëzore dhe sistemeve teknologjike, si dhe ndikimin e kufijve gjeografikë, algoritmikë dhe simboleve mbi ndjenjën tonë të vendit. 

“’Çfarë mbajmë në vete’ nga Albe Hamiti, e kuruar nga Sandra Teitge, vazhdon hulumtimin konceptual të projektit ‘Mother, not an Artist. Artist, not a Mother’”, shkruhet në njoftim. Bëhet e ditur se ekspozita krijon një hapësirë ndërmjet personale dhe kolektive, duke shqyrtuar rolin e gruas dhe mëmësisë në kontekstin shoqëror të Kosovës. Kurse  “Gjithë të dashurve të tyre” nga Stephanie Rizaj, sipas GKK-së, shqyrton ndërveprimin midis kushteve të prodhimit, marrëdhënieve të pushtetit dhe përkatësisë shoqërore. 

“Instalacioni përdor etiketat e veshjeve dhe udhëzimet e larjes si bartëse informacioni, të riprodhuara dhe transformuara përmes teknikave analoge dhe digjitale. Puna evidenton standardizimin dhe anonimizimin e proceseve globale të prodhimit dhe konsumit, duke nxjerrë në pah implikimet estetike dhe politike të prodhimit masiv”, shkruhet në komunikatë. E “Urat” nga Anita Muçolli, kuruar nga Hana Halilaj, fokusohet në përvojat e ndërmjetme dhe në efektet e një gjendjeje të vazhdueshme pezullimi, duke reflektuar mbi distancën emocionale dhe politike nga ideja e shtëpisë. Institutioni më i latë i artit pamor në vend do të vazhdojë zhvillimin e programeve të edukimit dhe hulumtimit që synojnë afrimin e publikut me artin, përmes punëtorive, ligjëratave, diskutimeve dhe programeve të ndërmjetësimit. Në kuadër të këtij programi, GKK do të prezantojë projektin “Punk, Fotografi, Video dhe Arkiva Vizuale në vitet 1980: Sllovenia dhe Kosova” nga Marina Gržinić dhe Elisa Maxhuni në bashkëpunim me Slavcho Dimitrov. 

“Projekti do të hulumtojë politikat e vizuales në Jugosllavinë socialiste të vonë, duke analizuar se si imazhet, trupat dhe praktikat mediatike sfiduan ideologjinë shtetërore. Hulumtimi e sheh punkun si një lëvizje solidariteti ndër-republikane në ish-Jugosllavi, të lidhur ngushtë me konfliktet politike, shtypjen shtetërore dhe mobilizimet qytetare të fundviteve 1980”, shkruhet në komunikatë. 

GKK-ja për këtë vit synon edhe disa bashkëpunime të tjera, ligjërata e hulumtime. Programi i miratuar nga Këshilli Drejtues i kryesuar nga Renea Behluli, dhe i përbërë nga anëtarët Linda Gusia, Agron Blakçori, Somer Şpat, Guri Çavdarbasha dhe Bariu Zenelaj, lë jashtë synimet e GKK-së për të përvetësuar vepra arti nga artistët vendorë. Sivjet, bazuar në komunikatë, GKK as që do të shikojë mundësinë që t’i kthehet synimit nëpërmjet të cilit ktheu prapa 400 mijë euro më 2024 pasi shkaku i organizimit të brendshëm s’ia doli t’i blejë veprat për të cilat kishte negociuar me artistët.

Lexo edhe: