Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Fytyrat e lirisë” me portretet dhe kujtimet e paqeruajtësve

Fytyrat e Lirisë

Në muret e galerisë janë vendosur portrete bardhezi të realizuara nga fotografja holandeze Febe Meijnen. Secili protagonist paraqitet dy herë: në njërin portret me sytë e hapur, në tjetrin me sytë e mbyllur. Është një koncept i thjeshtë në dukje, por me ngarkesë të madhe emocionale. Midis këtyre dy çasteve – mes hapjes dhe mbylljes së syve – shtrihet një territor i padukshëm kujtimesh, emocionesh e reflektimesh. Aty ku fotografia zakonisht fikson një moment, “Fytyrat e lirisë” kaq diçka më të vështirë: kujtesën

Në Galerinë e Arteve të Prishtinës kujtesa vjen nëpërmjet fytyrave. Rrëfehet me shikime, heshtje dhe kujtime që vazhdojnë të jetojnë në ata që i kanë përjetuar. Ekspozita “Fytyrat e lirisë”, e organizuar nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë dhe e kuruar nga Yllka Fetahaj, sjell para publikut portretet e veteranëve holandezë që shërbyen në Kosovë në ditët e para të lirisë. 

Në muret e galerisë janë vendosur portrete bardhezi të realizuara nga fotografja holandeze Febe Meijnen. Secili protagonist paraqitet dy herë: në njërin portret me sytë e hapur, në tjetrin me sytë e mbyllur. Është një koncept i thjeshtë në dukje, por me ngarkesë të madhe emocionale. Midis këtyre dy çasteve – mes hapjes dhe mbylljes së syve – shtrihet një territor i padukshëm kujtimesh, emocionesh e reflektimesh. Aty ku fotografia zakonisht fikson një moment, “Fytyrat e lirisë” kaq diçka më të vështirë: kujtesën.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në dialog me këto portrete vijnë fotografitë dokumentare të fotografit Ferdi Limani, të cilat sjellin më të qartë kontekstin historik të Kosovës. Përmes kodeve “QR” dhe materialeve audio, vizitorët mund të dëgjojnë rrëfimet e vetë veteranëve, duke e bërë ekspozitën përtej përvojës vizuale, edhe takim me zërat e atyre që bartin kujtimet e luftës.

Sipas konceptit kuratorial të Yllka Fetahajt, ekspozita e zhvendos vëmendjen nga historia si fakt drejt historisë si përjetim. Ajo shtron pyetjen se çfarë mbetet pas një misioni ushtarak dhe si vazhdojnë përvojat e së kaluarës të jetojnë në fytyrat e atyre që i kanë bartur për dekada. Në vend të heroizmit tradicional, ekspozita flet për kujtesën, përgjegjësinë dhe gjurmët që historia lë tek individi.

Në hapjen e ekspozitës, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka lidhur temën e kujtesës me rrugëtimin e tij personal dhe me historinë e Kosovës.

“Si djalë i ri vija këtu, babai im ka qenë piktor. Ishte profesor në Akademinë e Arteve dhe çdo herë më sillte këtu. Si 16-vjeçar, m’u desh të largohesha nga vendi për shkak të problemeve dhe kurrë nuk e mendoja se do të kthehesha. Unë u shpërngula në Londër, jetova atje për 29 vjet, por në fillim ishte e vështirë të besoja se në një moment do të kthehesha këtu. Dhe falë ushtarakëve, veteranëve si ju, forcave të NATO-s dhe partnerëve, aleatëve tanë, që së bashku me luftëtarët këtu që luftuan për të çliruar shtëpitë e tyre në Kosovë, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dhe procese të tjera, procese të tjera paqësore, na sollën këtu ku jemi sot”, është shprehur kryetari Rama. 

Sa u përket portreteve të veteranëve, ka thënë se fuqia e ekspozitës qëndron pikërisht në momentin e kalimit nga kujtesa te shikimi.

“Është një mrekulli që na është dhënë, që ne sot e kemi dhe e gëzojmë. Dhe kjo ekspozitë, vetëm duke parë këto fytyra. Është shumë i fuqishëm, ai moment midis mbylljes së syve, kujtesës dhe pastaj hapjes së syve. Dhe pyetja vjen: a doni vërtet të mbyllni sytë dhe të mendoni, ta riktheni atë kujtim? E di që kaq shumë njerëz kanë vuajtur nga trauma, çrregullime të stresit post-traumatik, dhe ata vazhdojnë të vuajnë në shoqërinë tonë, por të mos harrojmë se të njëjtën gjë duhet të keni kaluar edhe ju si veteranë, si njerëz që keni ardhur këtu për të mbrojtur paqen dhe për të na ndihmuar ta ndërtojmë atë”, ka thënë Rama më tej. 

Zëvendësambasadori i Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Ronald Goldberg, ka thënë se ekspozita përfaqëson një bashkëpunim të veçantë ndërmjet institucioneve dhe artistëve nga të dyja vendet.

“Një ekspozitë e bashkuar me bashkëpunimin e dy fotografëve, por më shumë me bashkëpunimin ndërmjet ambasadës sonë dhe ambasadës së Kosovës në Hagë, me të cilën kemi një marrëdhënie të fortë dhe që e ka lehtësuar këtë ekspozitë”, ka thënë Goldberg.

Ekspozitën e ka konsideruar si homazh për ushtarakët holandezë që shërbyen në një nga periudhat më të ndjeshme të historisë së Kosovës.

“Kjo ekspozitë është më shumë se një koleksion fotografish. Është një homazh për burrat dhe gratë holandeze që shërbyen në Kosovë në momentin përcaktues të historisë së Kosovës dhe kontributi i të cilëve ndihmoi në sjelljen e paqes, sigurisë dhe shpresës për familje të panumërta në këtë vend”, është shprehur zëvendësambasadori i Holandës në Kosovë, Ronald Goldberg. 

Veterani holandez Christian Zorge, i cili është edhe një nga personazhet e ekspozitës, ka kujtuar ardhjen e tij në Kosovë në vitin 1999. Ka folur për përballjen me pasojat e luftës dhe për përfshirjen e tij në procesin e identifikimit të viktimave në atë kohë. 

“Kemi qenë në Kosovë në vitin 1999. Unë kam qenë djalë i ri, edhe me veteranët e tjerë edhe me të gjitha fytyrat e tjera këtu, që e kemi marrë misionin për të shkuar në Kosovë. Nuk e kishim idenë se si ishte. Kështu që erdhëm në Kosovë dhe ishte e ishte e vështirë. Pamë shtëpi të shkatërruara, shumë masakra kishin ndodhur këtu”, ka kujtuar Zorge. 

Ka treguar se puna në varreza masive, megjithëse e rëndë, kishte sjellë një formë drejtësie për familjet që kërkonin të afërmit e tyre.

“Gjetëm varre pa emra. Pas identifikimit, i gjetëm edhe emrat, kthyem shpresë, u kthyem varret familjeve”, ka thënë ai. 

Për Zorge, lidhja me Kosovën nuk ka përfunduar me misionin e tij këtu. Ai ka bërë me dije se vjen çdo vit. 

“Kur u ktheva në shtëpi, filluan shumë gjëra, krijimi i familjes, martesa, shoqëria, lindën fëmijët. Por nuk harrova gjithë ato nëpër të cilat kaluam. Tetë vjet më parë isha përsëri këtu. Unë u ktheva dhe mirësia e popullit shqiptar të Kosovës ishte shumë e madhe. Dashuria lindi përsëri. Dhe tash kthehem çdo vit në Kosovë për të vizituar disa miq, për të vizituar familjet, por edhe për të ndihmuar disa fondacione për njerëzit e varfër”, ka bërë me dije ai. 

E hapur në ditët kur Kosova shënon përvjetorin e 27-të të Çlirimit, “Fytyrat e lirisë” rikthen në qendër të vëmendjes historinë e ndërhyrjes ndërkombëtare dhe kontributin e forcave paqeruajtëse, por edhe dimensionin njerëzor të saj. Në këto portrete, liria shfaqet në fytyra që bartin kujtime dhe në sy që mbyllen për t’u kthyer në të kaluarën.