Rreth 60 piktura, skulptura, vizatime e grafika janë bërë bashkë në një përzgjedhje që bart brenda vetes një histori të tërë të artit figurativ vendor. Fondi i veprave të artit ka marrë jetë qysh në ditët e para të themelimit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës gjysmë shekulli më parë, kur krijuesit e brezit të parë kanë dhuruar vepra si gjest miqësor kulturor, ndërsa më vonë janë blerë edhe përmes buxheteve institucionale. Fillimisht, synimi ka qenë pasurimi estetik i ambienteve të ASHAK-ut, por me kalimin e kohës fondi është shndërruar në një arkiv referent të artit pamor të Kosovës, që dokumenton zhvillimin, sfidat dhe përafrimin me tendencat bashkëkohore
Rrjedhën e historisë së arteve pamore në Kosovë shpesh e kanë bartur jo vetëm librat, dokumentet e institucionet, por edhe veprat artistike të ruajtura në hapësira institucionale, të ekspozuara rrallë e me kujdes. Pikërisht këtyre veprave u është hapur udha mesditën e së mërkurës, kur në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës është prezantuar ekspozita që përmbledh fondin e saj të koleksionit, të krijuar përgjatë pesë dekadave. Rreth 60 piktura, skulptura, vizatime e grafika janë bërë bashkë në një përzgjedhje që bart brenda vetes një histori të tërë të artit figurativ vendor.
Ky koleksion ka marrë jetë qysh në ditët e para të themelimit të Akademisë, kur krijuesit e brezit të parë kanë dhuruar vepra si gjest miqësor kulturor, ndërsa më vonë janë blerë edhe përmes buxheteve institucionale. Fillimisht, synimi ka qenë pasurimi estetik i ambienteve të ASHAK-ut, por me kalimin e kohës fondi është shndërruar në një arkiv referent të artit pamor të Kosovës, që dokumenton zhvillimin, sfidat dhe përafrimin me tendencat bashkëkohore. Lufta, represioni dhe shpërngulja e institucioneve në vitet ‘90 kanë lënë gjurmë edhe mbi fondin e veprave, mirëpo paslufta ka rikthyer idenë e sistemimit, katalogimit dhe zgjerimit të tij.
Kuratori i ekspozitës, akademik Eqrem Basha, ka rikujtuar se kjo nuk është hera e parë që koleksioni del para publikut, por kësaj here ekspozita ka një simbolikë të dyfishtë.
“Një ekspozitë si kjo është organizuar pesë vjet më parë me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Kosovës. Ata që i frekuentojnë më shpesh këto objekte, tashmë i kanë ndeshur disa nga tablotë e ekspozuara këtu. Ideja e krijimit të një fondi me koleksionin e veprave të artit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës është dëshmuar që në themelimin e saj këtu e 50 vjet më parë”, ka thënë ai, duke mbajtur një fjalim para audiencës së përbërë nga akademikë, artistë e artdashës.
Sipas Bashës, fondi aktual, megjithëse modest në numër, përfshin një vijë të qartë zhvillimore të historisë së artit në vend.
“Është arritur të krijohet një fond modest me rreth 60 piktura, skulptura, vizatime e grafika, të cilat shënojnë një diagonale domethënëse të zhvillimit të arteve te ne. Organizimi i kësaj ekspozite vjen në vigjilje të festës së pavarësisë së shtetit shqiptar dhe pak ditë para aktiviteteve të tjera që do të shënojnë jubileun e artë, 50-vjetorin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës”, ka theksuar ai.

Në hapësirat e Akademisë, vizitorë, artistë e të ftuar shihen duke biseduar para pikturave të ekspozuara, duke shfletuar katalogët dhe duke vëzhguar veprat nga afër. Në mes të sallës është vendosur një skulpturë bashkëkohore portokalli – “Meditimi”, vepër e punuar me metal nga Ismet Jonuzi – që tërheq vëmendjen e kalimtarëve, ndërsa pikturat e rreshtuara në mure krijojnë një qark të qetë lëvizjeje e reflektimi.
Në ekspozitë janë përfshirë emra që kanë lënë gjurmë në artin figurativ shqiptar e kosovar, nga akademikët Muslim Mulliqi, Tahir Emra e Agim Çavdarbasha, Rexhep Ferri te Xhevdet Xhafa e Rrahim Buja, e deri te brezi më i ri i autorëve që sot po e shoqërojnë artin kosovar në galeri e në qendra bashkëkohore.
Për piktoren Zake Prelvukaj kjo përzgjedhje bart karakteristika të rëndësishme dokumentare. Për të, rëndësi ka kontinuiteti, pavarësisht dallimeve kohore e stilistike.
“Këto vepra që janë këtu të ekspozuara janë natyrisht një ditar jo i shkruar, një ditar fizik dhe optik që tregon edhe kohën kur kanë jetuar këta krijuesit tanë, prijësit tanë. Këta janë ata që e kanë themeluar edhe fakultetin dhe kanë ekspozuar në terrene të ndryshme, sepse kanë studiuar në kohën e ish-Jugosllavisë. Nuk janë të ndara në periudha kohore, është kronologji e kohës dhe e botimeve të ndryshme, mirëpo çka është e mirë, është se jemi art i ri në Kosovë, nuk jemi sa Shqipëria të vjetër, mirëpo mund të shihen kontinuiteti, shpirtërorja dhe fuqia e absorbimi i çdo kohe në këtë ekspozitë”, ka thënë ajo.
Edhe artisti Ismet Jonuzi e sheh ekspozitën si përfaqësim të sinqertë të arkivit artistik të ASHAK-ut, i cili është ndërtuar gradualisht, me dhurime e blerje të reja.
“Kjo ekspozitë është një pasqyrë reale e asaj që disponon Akademia, me vepra që disa janë dhuruar e disa janë blerë nga Akademia. Zakonisht çdo vit blihen nga dy-tre autorë deri në 5 autorë, varësisht prej buxhetit. Kjo është një pasqyrë reale e kulturës vizuale te ne, duke filluar prej artistëve që kanë krijuar njëfarë emri shumë të madh e që para tyre nuk ka pasur asgjë; prej Muslim Mulliqit, Ibrahim Kodrës e deri tek artistët më të rinj që ka Kosova”, ka thënë ai për KOHËN.
Ka theksuar se kjo ngjarje shënon dy momente të rëndësishme për vendin, duke theksuar ambicien që fondi të pasurohet më tej.
“Po tentojmë që në të ardhmen ta pasurojmë fondin me vepra të reja dhe kur ta bëjmë ekspozitën tjetër të radhës, unë mendoj se nuk do të jetë asnjë nga veprat që janë aktuale, por të jenë të gjitha që nuk janë parë në opinion publik. Arsyeja pse është bërë kjo ekspozitë, është për ta shënuar 28 Nëntorin si festë dhe 50-vjetorin e formimit të ASHAK-ut. Mendoj se kjo është një vlerë kombëtare, në emër të të cilit i ka Kosova, kanë dhënë një kontribut shumë të madh dhe kanë një vlerë të jashtëzakonshme”, ka shtuar ai.
Ekspozita, përtej paraqitjes muzeale dhe gjetjes së një estetike kuratoriale, çon përpara një mesazh institucional: kujdesi për trashëgiminë vizuale të vendit nuk lidhet vetëm me muze të specializuar, por edhe me institucione akademike. Fondi i ASHAK-ut, siç potencohet edhe në katalogun shoqërues të ekspozitës, është menduar të shndërrohet në një koleksion model, i cili jo vetëm i pasqyron arritjet e artistëve kosovarë, por edhe e zgjeron rrjetin e tyre me emra të rinj, duke dokumentuar energjinë krijuese të çdo periudhe.
Me këtë ekspozitë, Akademia, përveç një jubileu institucional, shënon edhe një gjysmë shekulli të marrëdhënies së saj me artin. Në mur, në korniza, në bronz e në letër, gjendet një histori që ende po shkruhet, ndërsa misioni për ta ruajtur, sistemuar dhe bërë publike, ka marrë një hap më tej drejt së ardhmes.
