Kulturë

Fituesi i “Eurovisionit” thërret për përjashtimin e Izraelit

Fituesi i “Eurovisionit” thërret për përjashtimin e Izraelit

“Është shumë zhgënjyese të shohësh Izraelin që ende merr pjesë në garë. Do të dëshiroja që gara e ardhshme e këngës ‘Eurovision’ të mbahej në Vjenë dhe pa Izraelin”, citohet të ketë thënë 24-vjeçari JJ, i cili të shtunën e kaluar e çoi në Austri trofeun e edicionit të 69-të të “Eurovisionit” (Foto: AP)

Organizatat propalestineze i kanë bërë thirrje Unionit Evropian të Transmetuesve që ta përjashtonte Izraelin nga gara e vitit 2025, por izraeliti Yuval Raphael, i cili i mbijetoi sulmit të 7 tetorit, ishte fitues me votat e audiencës televizive, duke përfunduar i dyti pas JJ. Por, një thirrje si kjo e ka bërë edhe fituesi i sivjetmë. Ai ka thënë se për vitin që vjen do të donte një edicion pa Izraelin, përderisa është i zhgënjyer për faktin se nuk është përjashtuar deri më tash

Këngëtari austriak JJ, i cili fitoi “Eurovisionin” e sivjetmë, ka bërë thirrje që Izraeli të përjashtohet nga “Eurovision Song Contest 2026” në Vjenë, për shkak të luftës në Gazë, raporton “Reuters”.

“Eurovisioni”, i cili thekson neutralitetin e tij politik, është përballur sërish me polemika të lidhura me luftën. Fushata ushtarake izraelite ka vrarë më shumë se 53.000 palestinezë në Gazë, kanë njoftuar autoritetet shëndetësore, që nga një sulm ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor 2023, në të cilin, sipas shifrave izraelite, u vranë rreth 1.200 njerëz.

Organizatat propalestineze i kanë bërë thirrje Unionit Evropian të Transmetuesve që ta përjashtonte Izraelin nga gara e vitit 2025, por izraeliti Yuval Raphael, i cili i mbijetoi sulmit të 7 tetorit, ishte fitues me votat e audiencës televizive, duke përfunduar i dyti pas JJ.

“Është shumë zhgënjyese të shohësh Izraelin që ende merr pjesë në garë. Do të dëshiroja që gara e ardhshme e këngës ‘Eurovision’ të mbahej në Vjenë dhe pa Izraelin”, citohet të ketë thënë 24-vjeçari JJ, raporton gazeta spanjolle “El Pais”.

Ambasada e Izraelit në Madrid nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së “Reutersit” për koment.

Me këngën e tij “Wasted Love”, këngëtari i operës – emri i vërtetë i të cilit është Johannes Pietsch – mori votat e jurisë së “Eurovisionit” në garën e mbajtur në Bazel të Zvicrës javën e kaluar.

Edhe pse “El Pais” nuk e përmendi luftën në intervistë, deklaratat e JJ përkojnë me thirrjen e kryeministrit spanjoll, Pedro Sanchez, të hënën, që Izraeli të përjashtohej nga ngjarjet kulturore si “Eurovision Song Contest” për shkak të konfliktit në Gazë.

Po ashtu JJ citohet të ketë thënë se sistemi i numërimit të votave duhet të rishikohet për të përmirësuar transparencën. Ai është fituesi i tretë austriak i “Eurovisionit”, i cili është bërë konkursi më i madh muzikor në botë, i ndjekur nga më shumë se 160 milionë njerëz.

Suksesi i Izraelit në votën e publikut në edicionin e sivjetmë të Garës Evropiane të Këngës ka nxitur reagime qysh të shtunën e kaluar pas finales, përderisa nga disa shtete kanë reaguar për çështjen e mënyrës së votimit.

Këngëtarja Yuval Raphael doli e para në votimin e publikut të shtunën me baladën “New Day Will Rise”, por në përgjithësi mbeti e dyta pas Austrisë kur u morën në konsideratë edhe votat e jurisë.

Transmetuesit në Irlandë, Holandë, Belgjikë, Spanjë, Islandë dhe Finlandë kanë shprehur pikëpyetje për votimin e publikut e disa kanë kërkuar edhe auditim.

Organizatorët e “Eurovisionit” nga Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) kanë thënë se votimi është verifikuar në mënyrë të pavarur, porse i marrin seriozisht shqetësimet e palëve.

Izraeli ishte i 14-i në votat e jurisë, por u ngrit në majë falë votimit me telefon dhe online.

Belgjika, Holanda, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar ishin në mesin e shteteve shikuesit e të cilave i ndanë pikët maksimale (12) Izraelit, ndërsa Irlanda dhe Finlanda ia ndanë nga 10.

Transmetuesi irlandez RTE ka kërkuar nga organizatorët analizë të plotë të votimit.

Kjo erdhi pasi transmetuesi spanjoll RTVE u shpreh se do të kërkojë hetim të rezultateve dhe rishikim të sistemit të televotimit.

Shikuesit mund të votonin deri në 20 herë përmes telefonit, mesazheve apo aplikacioneve.

“Një sistem në të cilin të gjithë mund të votojnë deri në 20 herë është ai që inkurajon manipulimin. Qoftë nëse ky manipulim ka ndodhur në shtetin tonë dhe në të gjitha shtetet pjesëmarrëse e jopjesëmarrëse, duhet të ketë hetim”, ka thënë deputetja belge Katia Segers.

Ndërkaq një zëdhënës i transmetuesit publik belg VRT ka thënë se nuk ka indikacione se ka pasur keqnumërim të votave të publikut, porse do të kërkojnë transparencë të plotë nga EBU-ja.