Botë

Kryeministri kanadez i kërkon falje Trumpit për reklamën që i prishi bisedimet tregtare

Donald Trump dhe Mark Carney

Foto: Associated Press

Kryeministri kanadez, Mark Carney, ka thënë se i kishte kërkuar falje presidentit amerikan, Donald Trump, për reklamën politike anti-tarifore dhe se i kishte kërkuar kryeministrit të Ontarios, Doug Ford, që të mos e transmetonte atë. 

Carney, duke folur me gazetarët pasi mori pjesë në samitin e Azi-Paqësorit në Korenë e Jugut, tha se i kishte kërkuar falje privatisht Trumpit, kur të dy morën pjesë në një darkë të organizuar nga presidenti i Koresë së Jugut të mërkurën. 

"I kërkova falje presidentit", tha Carney, duke konfirmuar komentet e Trumpit të bëra të premten.

Carney konfirmoi gjithashtu se e kishte shqyrtuar reklamën me Ford para se të transmetohej, dhe tha se kishte kundërshtuar përdorimin e saj. Reklama, e porositur nga Ford, një politikan konservator që ndonjëherë krahasohet me Trump, përdori pjesë të fjalimit të ish-presidentit amerikan, Ronald Reagan i cili thoshte se tarifat shkaktojnë luftëra tregtare dhe katastrofa ekonomike. 

Në përgjigje, Trump njoftoi se po rriste tarifat për mallrat nga Kanadaja si dhe ndaloi bisedimet tregtare me të. As kërkimfalja nuk e ka bërë të ndryshojë mendje presidentin amerikan.