Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Fijet e rrëfimeve tragjike të dy nënave të Kosovës lidhen edhe në New York

“Një fije shprese, një fije shkrepëse” i Ag Apollonit është përuruar të enjten në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York

“Një fije shprese, një fije shkrepëse” i Ag Apollonit është përuruar të enjten në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York

“Një fije shprese, një fije shkrepëse” tashmë nuk njeh kufij në gjuhë dhe ka depërtuar deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës njashtu si emri i shkrimtarit Ag Apolloni. New Yorku ka qenë nikoqiri i radhës i përurimit të kësaj vepra e cila lidh rrëfimet tragjike të Pashkë Krasniqi-Markajt dhe Ferdonije Qerkezit

“Një fije shprese, një fije shkrepëse” me rrëfimet tragjike të dy nënave të Kosovës ka kohë që flet në gjuhët e botës. E, rrugëtimi i romanit të Ag Apollonit dhe takimet e drejtpërdrejta me lexuesin gjithandej, nuk ndalen. Stacioni i radhës: Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Botimi në anglisht i kësaj vepre, botuar me titullin “Glimmer of Hope, Glimmer of Flame” është përuruar në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York. Ka përkuar me trevjetorin e botimit në anglisht, përkthyer nga Robert Wilton, e holandishtja, gjermanishtja, malazezishtja, rumanishtja, frëngjishtja e sllovenishtja, janë gjuhët në të cilat tashme flet “Një fije...”. Emri i Apollonit është i njohur në qarqet akademike në SHBA, përfshirë edhe prestigjiozin Universitetin e Harvardit, ku shkrimtari e studiuesi nga Kosova ka qenë i ftuar të ligjërojë për një semestër. Pikërisht profesori i Harvardit, David Damrosch njëri prej studiuesve më në zë të letërsisë botërore, ka folur në përurimin e “Një fije...” në New York.

“Dje, në New York, u prezantua botimi anglisht i romanit tim ‘Një fije shprese, një fije shkrepëse’, për të cilin foli studiuesi i mirënjohur dhe profesori i Universitetit të Harvardit, David Damrosch, i cili me ligjëratat dhe studimet për letërsinë botërore prej vitesh ka qenë udhëzuesi më i mirë jo vetëm për mua, por edhe për shumë studiues dhe profesorë gjithandej nëpër botë. Ishte kënaqësi ta dëgjoja duke e interpretuar romanin tim në mënyrën e tij specifike”, ka shkruar Apolloni për këtë përurim. Ka përmendur edhe emra të tjerë të pranishëm.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Gjithashtu, isha i nderuar nga mysafirët që kishin gjetur kohë të vinin jo vetëm nga New Yorku, por edhe nga Bostoni dhe Detroiti. Gjithashtu, nga zonja Lori Damrosch, profesoreshë e së Drejtës Ndërkombëtare Publike, në Columbia University, pata kënaqësinë të pranoja një dosje të shkrimeve të saj për Kosovën, intervenimin e NATO-s, shpalljen e pavarësisë dhe Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, ka thënë Apolloni. Sipas tij, hapjen e takimit e ka bërë ambasadori Blerim Reka. Edhe caktimi i datës së përurimit ka një arsye. “...tha se promovimin e kishte caktuar pikërisht më 21 maj, sepse kjo datë korrespondon me masakrën e Stagovës, vendlindjen e babait tim, vëllai i të cilit kishte jetuar aty deri ditën kur ishte vrarë nga ushtarët serbë”. Apolloni ka thënë se ishte e çuditshme që një nga paragrafët që zgjodhi profesori Damrosch, ishte pikërisht ai të cilin e kishte ndjerë veçanërisht kur e kishte shkruar para gjashtë vjetësh.

“Prej atëherë, kur njerëzit që njihja e me të cilët rrija, vriteshin e s’i shihja më, kam një ndjesi të çuditshme: si është e mundur që ata janë vrarë e unë jam gjallë? Mos është e kundërta: unë jam i vdekur dhe ata janë gjallë? Ndoshta njeriu thjesht nuk është i vetëdijshëm se ka vdekur, dhe vazhdon sikur të jetë gjallë. Ndoshta ai atje lart ma simulon një jetë të ngjashme, derisa një ditë të vendosë të më tregojë se, në fakt, unë kam vdekur më 1999, dhe se të gjithë ata që i konsideroja të vdekur janë gjallë. Kjo mund të duket marrëzi, por unë e mendoj shpesh si mundësi. Kush nga ne është i gjallë? Një Zot e di”, ka qenë paragrafi. E, Apolloni, pyetjes së tij nëse ende ndihej ashtu, ka thënë se i është përgjigjur duke i thënë se as sot nuk mund ta besojë që është këtu dhe ata s’janë më. “Është një ndjesi që duket se do të më shoqërojë gjithmonë”, ka thënë ai.

“Një fije shprese, një fije shkrepëse” u botua në anglisht në majin e vitit 2023. Kishte përkuar pikërisht me 20-vjetorin e vetëflijimit të njërës prej personazheve në jetën reale dhe të romanit – Pashkë Krasniqi-Markajt

“Një fije shprese, një fije shkrepëse” u botua në anglisht në majin e vitit 2023. Kishte përkuar pikërisht me 20-vjetorin e vetëflijimit të njërës prej personazheve në jetën reale dhe të romanit – Pashkë Krasniqi-Markajt. Ajo kishte djegur veten pas kthimit të mbetjeve të të dy bijve të saj të vrarë në Masakrën e Mejës. Nëna Pashkë dhe Ferdonije Qerkezi janë heroinat e këtij doku-romani i cili ka bërë bujë gjithandej. Ky botim gjendet edhe në gjigantin “Amazon”, që veprën e Apollonit e vlerëson si “zë unik nga vendi më i ri i Evropës, i rrënjosur në traditat e tij më të vjetra letrare”.

“Një mozaik i fateve të liga të luftës dhe pasojave të dhimbshme të paqes, romani u bën jehonë të vërtetave të përjetshme të tragjedisë së lashtë greke, ndërsa tregon dhimbjet e luftës moderne. Ai eksploron kuptimin e mëmësisë, të familjes dhe të shtëpisë”, shkruhet në platformën globale të blerjeve online “Amazon”. Apollonin e cilëson si njërin prej shkrimtarëve të dalluar shqiptarë të brezit të tij, i admiruar për prozën e tij bashkëkohore më eleganten deri më tash dhe për larminë e pasur të referencave. Doku-romani i shkruar me një stil të veçantë, ku bashkëjetojnë fakti e fiksioni, rrëfen për pasojat e luftës së fundit në Kosovë. Teksa ndërlidhet me një sërë faktesh e statistikash reale të luftës së fundit në Kosovë, romani rrëfen edhe vuajtjet e dy nënave, të cilave ua kishin vrarë djemtë në luftë; atë të Ferdonije Qerkezit dhe Pashkë Markut.

Po në SHBA, një tjetër vepër e Apollonit, mori vëmendje muajin e kaluar. Universiteti i Harvardit, 23 prillin Ditën Botërore të Librit zgjodhi ta shënojë edhe me prezantimin e romanit “Kësulëkuqja – Përrallë për të rritur”, i botuar në shqip nën nëntorin e vitit 2022 ka për temë bosht dhunën seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në dorën e lexuesit shqiptar ka qenë prej nëntorit të vitit 2022. Prezantimi në atë që listohet në top-pesëshen e universiteteve më të mira në botë, Apolloni do ta cilësonte si vlerësim të gjerë për gjuhën dhe letërsinë shqipe.

“Pa dyshim, ky është një nder që i bëhet letërsisë shqipe dhe për këtë u jam mirënjohës. Harvardi udhëheq diskutimin e sotëm mbi letërsinë botërore dhe fatin e letërsive të gjuhëve të vogla, kështu që promovimi aty është një formë e integrimit në hartën e letërsisë botërore”, kishte thënë shkrimtari Apolloni për KOHËN.

Lexo edhe: