Zëra të njohur të letërsisë shqipe i kanë dhënë formë një mbrëmjeje që e shfaq fjalën e shkruar si përvojë të gjallë. Në festivalin e prozës artistike “Fiction Fest” proza dëgjohet ndryshe, jo si tekst i mbyllur, por si frymë që ndërmjetëson autorin me lexuesit. Në formën e një bashkëbisedimi me njëri-tjetrin, shkrimtarët, pos leximeve të pjesëve nga veprat e tyre, kanë shpalosur edhe përvojat e të shkruarit, atë që i shtyn të krijojnë sikurse edhe raportin me lexuesit
Vargjet dhe interpretimi i tyre janë kthyer në ngjarje letrare të martën mbrëma, në kuadër të festivalit të prozës artistike “Fiction Fest”, që sivjet organizon edicionin e pestë. Në një restorant në qendër të Prishtinës, zërat e bashkëbisedimeve dhe leximeve janë përzier me zhurmën e pjatave e gotave prej kuzhinës pranë. Qendra për kulturë dhe edukim “Sheshi” ka mbledhur sërish zëra të njohur të letërsisë shqipe për t’i dhënë formë një mbrëmjeje që e shfaq fjalën e shkruar si përvojë të gjallë.
Proza, në këto dy net që shënojnë festivalin, dëgjohet ndryshe, jo si tekst i mbyllur, por si frymë që ndërmjetëson autorin me lexuesit. Mbrëmja e parë ka sjellë përballë publikut autorë që kanë ndërtuar universin e tyre letrar mbi reflektimin, përvojën dhe eksperimentin: Rita Petro, Mark Pashku, Bardhyl Zaimi, Suad Arilla dhe Shpresa Qeriqi. Secili prej tyre ka sjellë një mënyrë të veçantë të të rrëfyerit, duke e bërë “skenën” të ngjasojë me një punëtori të gjuhës dhe imagjinatës.
Komunikimi nuk ka qenë në formë paneli. Më shumë një bashkëbisedim me njëri-tjetrin. Është moderuar nga Jehona Gashi, e cila një nga një i ka ftuar pesë pjesëmarrësit e natës së parë për një bisedë të shkurtër para se të lexonin secili nga një pjesë të shkëputur prej shkrimeve të tyre.
E para që e ka marrë fjalën ka qenë Rita Petro, një nga emrat më të njohur të letërsisë bashkëkohore shqiptare, poete dhe prozatore që prej tri dekadash provokon me imazhe të guximshme dhe me temat që thyejnë tabu. Autorja e romanit “Lindur së prapthi”, e nominuar për Çmimin Evropian të Letërsisë (EUPL) në vitin 2024, ka sjellë një reflektim të hapur mbi mënyrën se si lexohet letërsia e saj dhe si perceptohet figura e shkrimtares në hapësirën publike.
“Është hera e parë që në një aktivitet letrar shoh më shumë burra sesa gra”, tha ajo me një ton të çiltër, duke kujtuar periudhën kur lexuesit ishin të etur për letërsinë botërore dhe më pak për atë shqiptare.
Për Petron, procesi krijues është i lidhur fort me spontanitetin dhe simbolikën e fjalës. Ka folur edhe për mënyrën se si lindin titujt e veprave të saj, shpeshherë të lidhur me idetë provokuese që e kanë bërë të njohur.
“Lexuesit kanë krijuar në kokën e tyre që Rita bën vetëm letërsi provokative, pyesin ‘Çfarë titulli e ke?’ Gjithmonë interesohen për titujt e mi. Unë i lë të më vijnë spontanisht, kështu siç ishte edhe libri ‘Lindur së prapthi’. Është hera e parë që bëj një libër që titulli është i pari dhe titulli i paraprin komplet romanit”, ka thënë ajo teksa ka vazhduar ta lexojë një copë të këtij romani.
Pas saj, Mark Lucgjonaj, i njohur për lexuesin si Mark Pashku, ka sjellë një qasje filozofike ndaj kuptimit të letërsisë dhe rolit të lexuesit. Autori i romaneve “Ligji i maskave” dhe “Humbja” – ky i fundit edhe fitues i çmimit “Rexhai Surroi”, i përkthyer në disa gjuhë – e sheh letërsinë si një proces që nuk mund të përkufizohet nga sistemet kritike apo institucionet.
“Nuk ka letërsi të keqe, lexuesi e përcakton atë, dikush e fryn, dikush e shtyn përpara shkrimtarin dhe shtëpitë botuese. Më së miri e kemi rastin e komunizmit që i ka fryrë shkrimtarët dhe sot askush nuk e di se kush janë. Kështu që, edhe letërsia e Malit të Zi është e bukur në mënyrën e vet, në rrjedhat e veta”, ka thënë ai duke theksuar se pengesat më të mëdha për zhvillimin e letërsisë nuk janë krijuese, por politike. Ka vazhduar të lexojë një pjesë të shkrimeve të tij.
Bardhyl Zaimi nga Maqedonia e Veriut ka sjellë në “Fiction Fest” reflektimin e një autori që e ka kaluar jetën midis gazetarisë kulturore dhe krijimit letrar. I njohur për librat e tij me ese e tregime, nga “Fuga e fjalëve” e deri tek “Avlëmendi i pritjes”, ai ka shpjeguar se pas viteve ’90, në Maqedoni ka nisur një paradigmë e re letrare që lidhet ngushtë me Prishtinën.
“Në Maqedoni e kemi një hapje tjetër ndaj një paradigme tjetër letrare, kryesisht nga të rinjtë, të cilët përsëri bëjnë një ndërlidhshmëri me Prishtinën”, ka thënë Zaimi, duke kujtua0r se në të kaluarën ishin revistat letrare ato që e mbanin gjallë jetën kulturore, një hapësirë që sot është zëvendësuar nga interneti. Për publikun e pranishëm ka lexuar dy pjesë të shkurtra nga shkrimet e tij.
Një tjetër zë që ka sjellë ndjeshmëri të re në këtë mbrëmje ishte Suad Arilla, prozator nga Shkodra, autor i romaneve “Libri i kujtimeve dhe i harresës” dhe “Zanafilla”. Ai ka folur për përvojën e tij gjatë qëndrimit si shkrimtar rezident në Prishtinë, ku nisi ta shkruajë “Ditarin e rezistencës”.
“Gjatë kësaj kohe kam marrë disa shënime, të cilat i kam konceptuar si një ditar në formën e përsiatjeve, mendimeve, kujtimeve dhe i kam titulluar ‘Ditari i rezistencës’. Vetë Prishtina për mua do të jetë si një ëndërr, sepse është në nivelin e asaj që vështirë kthehet, jo vetëm emri, por edhe koha që e kam kaluar. E di që fillon një jetë e vrullshme, prandaj do të mbesë në nivel të lartë”, ka thënë Arilla, duke e përshkruar qytetin si një hapësirë që do t’i mbetet kujtim dhe frymëzim, teksa ka lexuar edhe ai një fragment nga romani i tij “Zanafilla”.
Shpresa Qeriqi, që në vitin 2020 kishte debutuar pikërisht në “Fiction Fest”, është rikthyer me një rrëfim të brendshëm për fillimet e saj në letërsi dhe arsyet që e shtyjnë një shkrimtar dhe personalisht atë, për të shkruar, para se të lexojë si pararendësit një pjesë të veprës së vet.
“Vjen prej dashurisë së madhe që e krijojmë prej fëmijërisë sonë kur jemi në mësime, pasioni i madh për letërsinë dhe dëshira për të krijuar edhe vetë ato jetë paralele dhe një botë më të madhe edhe për ne, për t’ia zbukuruar pak vetes jetën dhe për t’i dhënë pak më shumë ngjyra. Kjo s’ka mbetur veç si dëshirë për mua, për të krijuar jetë të tjera. Ankthin e kam që e kam përjetuar luftën në Kosovë dhe ankthi që është kthyer me gjithë to, është bërë një ankth që ma ka pamundësuar ta mbys dhe më ka shtyrë të shkruaj për luftën dhe vuajtjet”, është shprehur ajo, duke përmendur se letërsia për të është një formë e mbijetesës shpirtërore.
Nata e dytë dhe përmbyllëse e këtij edicioni të pestë sjell të mërkurën edhe një seri prej pesë shkrimtarësh: Besnik Mustafajn, Sali Bashotën, Bardh Frangun, Shpëtim Selmanin dhe Dhurata Hotin, të cilët do të marrin pjesë në bashkëbisedim dhe do të sjellin pjesë nga shkrimet e veta, për t’i lexuar para të pranishmëve.