Ndryshe nga qytetet e tjera, që kanë ndërtuar tradita të përvitshme, Gjakova ka pasur kryesisht ngjarje sporadike, të cilat nuk kanë arritur të lënë gjurmë të thella apo të kthehen në identitet të vetin festiv. Ky boshllëk simbolik e praktik e bën edhe më të domosdoshëm një projekt si festivali “Ditët e shqiptarit”, që synon ta rikthejë qytetin në hartën e dinjitetshme të festivaleve kulturore kombëtare. Edicioni i dytë i këtij festivali, prej 18 korrikut deri më 10 gusht, rikthen pulsin e vlerave autentike me 22 koncerte e ngjarje të tjera
Gjakova do të transformohet për herë të dytë në epiqendrën e kulturës shqiptare me festivalin “Ditët e shqiptarit”, i organizuar nga “Fondacioni për Gjakovën”. Prej 18 korrikut deri më 10 gusht rikthen pulsin e vlerave autentike me 22 koncerte, gara sportive tradicionale dhe gatime të pasura të traditës së Gjakovës dhe jo vetëm, si dhe panele diskutimesh, debate dhe prezantime të profilit të lartë kulturor. Dikur një nga qendrat më të gjalla të kulturës shqiptare, Gjakova sikur ka mbetur nën hije vitet e fundit, në pritje të një ringjalljeje të qëndrueshme artistike.
Mungesa e festivaleve me karakter të përhershëm dhe program të strukturuar ka bërë që jeta kulturore e qytetit të zbehet në krahasim me potencialin që bart. Ndryshe nga qytetet e tjera, që kanë ndërtuar tradita të përvitshme, Gjakova ka pasur kryesisht ngjarje sporadike, të cilat nuk kanë arritur të lënë gjurmë të thella apo të kthehen në identitet të vetin festiv. Ky boshllëk simbolik e praktik e bën edhe më të domosdoshëm një projekt si festivali “Ditët e shqiptarit”, që synon ta rikthejë qytetin në hartën e dinjitetshme të festivaleve kulturore kombëtare.
“Skenat” e Çarshisë së Madhe, parku “Ali Podrimja” dhe “Çarshia e Jupave” do të jenë disa nga lokacionet që fundjavave me ditët e nxehta të verës do të frymojnë nën influencën e plotë të muzikës shqiptare. Përveç koncerteve, publikun e presin aktivitete tradicionale, prej sporteve tek ushqimet, diskutime profesionale e bashkëbisedime me publikun.
Si për ta ringjallur traditën e frymëmarrjes kolektive përmes ngjarjeve kulturore, ky festival vjen me program të pasur, tërësisht shqip, për t’ia spikatur Gjakovës vlerat tradicionale autentike dhe me këtë motiv edhe ka nisur festivali.
“Kjo është arsyeja pse bëhet në fakt. Bëhet në mënyrë që jeta kulturore e artistike e qytetit të pasurohet dhe qyteti të kthehet në një lloj qendre të turizmit kulturor, sepse e përbashkëta e të gjitha aktiviteteve është fakti që janë të gjitha 100 për qind shqip, kështu që kjo është ajo që po përpiqemi të bëjmë, që Gjakova të nxjerrë në pah më tutje vlerat e veta tradicionale dhe elementin e fortë autokton shqiptar që ka dhe patjetër që aktivitetet e këtilla janë të rëndësishme, sepse pikërisht këtë e realizojmë”, ka thënë për KOHËN, Ermal Hasimja, pedagogu nga Tirana që ka prejardhje gjakovare.
Ai është kryetar bordi i “Fondacionit për Gjakovën”.
Mes artit dhe zhvillimit kulturor evidentohet rëndësia e thellë e këtij festivali për identitetin lokal dhe kombëtar. Vitin e kaluar, kur festivali e kishte edicionin inaugurues, në Gjakovë qe sjellë një program i pasur me ngjarje që qenë shtrirë nëpër fundjava. Në skenat e hapura të Çarshisë së Gjakovës qenë mbajtur koncerte nga grupe e artistë si “Jericho”, Shpat Deda dhe “Offchestra”, ndërsa publiku kishte pasur mundësi të ndjekë edhe shfaqje filmash dhe recitime poetike. Pjesë e veçantë e festivalit kanë qenë edhe panairet e gastronomisë tradicionale, si dhe ekspozitat artizanale që kanë nxjerrë në pah mjeshtëritë vendore. Ky kombinim i muzikës, artit dhe traditës kishte krijuar një atmosferë të ngrohtë, duke e kthyer qytetin në një qendër të gjallë kulturore për disa ditë me radhë.
Tani ky edicion i dytë do të sjellë akoma më shumë aktivitete, më të gjalla dhe më të fuqishme.
Grupi “Marigona”, Eugent Bushpepa, Vlashent Sata, Hersi Matmuja, “Jericho”, “Endrit Xërxa dhe Band”, “Blla Blla Blla”, “ART Orchestra”, “Offchestra”, Grupi “NA”, Suad Mehmeti dhe “Djemtë e Ulqinit”, “Kuarteti Amati”, Eda Zari, “Gocat Frymore”, Shpend Lleshi, Elina Duni dhe “Rob Luft Band” do të jenë vetëm disa prej protagonistëve të netëve gjatë këtij edicioni.
Aktivitetet kulturore dhe sportive do të shpërndahen mbi katër fundjava, derisa emra të njohur do të marrin pjesë edhe në panele diskutimesh e këshillimesh me artistët e rinj. Një tjetër dimension i festivalit është një eksperiencë praktike për artistët, ku sopranoja shqiptare me famë botërore Ermonela Jaho sjell eksperiencën e saj profesionale duke shtjelluar një dimension në edukimin dhe mentorimin për të ardhmen kulturore të rajonit.
“Përgatitjet po shkojnë shumë mirë, në fakt kanë filluar shumë herët, janë shumë aktivitete, 22 koncerte, plus disa aktivitete sportive tradicionale, për sporte tradicionale, pastaj janë gatimet tradicionale të Gjakovës, por jo vetëm. Ka dhe panele diskutimi, debate, si dhe do ta kemi një prezantim nga sopranoja e famshme, Ermonela Jaho, e cila do të na sjellë disa këshilla për karrierën e artistëve të rinj, pastaj e kemi edhe Kim Mehmetin të ftuar më datën 2 gusht, kështu që ka plot aktivitete në shumë përmasa”, ka thënë Hasimja.
Edicioni i dytë, ashtu si debutuesi, varet nga përkushtimi i vullnetarëve, bizneseve lokale dhe qytetarëve pa interes financiar, por me përkushtim të sinqertë: ta shpërndajnë vlerën shqiptare të kulturës dhe ta promovojnë Gjakovën si destinacion turistik kulturor.
Organizatorët njoftojnë se festivali nuk mbyllet me fundin e gushtit, një vazhdim në formën e “Ditëve të nëntorit” pritet në nëntor, me disa aktivitete të planifikuara, dy prej të cilave mbeten surprizë për publikun.
“Në çdo fundjavë ka aktivitete, domethënë aktivitetet janë të shpërndara në të gjitha fundjavat midis datave 18 korrik dhe 10 gusht, pastaj në nëntor e kemi atë që quhet ‘Ditët e nëntorit’ dhe që janë të grumbulluara pak a shumë rreth ditës dhe festës së 28 Nëntorit. Edhe atje do të jenë të paktën nja 7-8 aktivitete të tjera, dy prej tyre janë aktivitete madhore, por akoma nuk i kemi bërë publike, sepse do të jenë ngjarje shumë të rëndësishme, jo thjesht për Gjakovën, por edhe për Kosovën në përgjithësi”, ka shtuar Hasimja tutje.
Me 22 koncerte, gara sportive, prezantime profesionale, dhe një sezon në nëntor, për ta vazhduar ecurinë kulturore, edicioni i dytë i “Ditëve të shqiptarit” premton ta sjellë lajmërimin e sukseseve që pritet ta forcojnë Gjakovën si qendër të trashëgimisë dhe të turizmit kulturor.