Kulturë

Çmimorja e re dyfishon shifrat, deri në njëzet mijë euro për rol kryesor

Diskutimi për hartimin e çmimores për industri të filmit

Diskutimi publik për hartimin e çmimores së re të industrisë së filmit ka mbledhur të martën në Teatrin Kombëtar të Kosovës artistë, autorë, punëtorët e filmit dhe industrisë audiovizuale. Qendra Kinematografike e Kosovës synon që nëpërmjet këtij procesi të hartojë një çmimore “që pasqyron realitetin aktual të punës krijuese dhe të prodhimit në këtë fushë, duke garantuar barazi, transparencë dhe qëndrueshmëri”

Nëse miratohet çmimorja e re, një aktor në rol kryesor do të mund të paguhet deri në 20 mijë euro, nga 10 mijë sa parashihte versioni i vjetër. Regjisori i një filmi të metrazhit të gjatë mund të paguhet deri në 27 mijë euro, në krahasim me 14 mijë euro sa ishte vlera maksimale në çmimoren e vitit 2016. Propozimi i hartuar nga Shoqata e Producentëve të Kosovës dhe i bërë publik për diskutim, synon ta rrisë ndjeshëm vlerësimin financiar për punonjësit e filmit, duke përfshirë për herë të parë edhe pozitat më pak të dukshme, por thelbësore për realizimin e një filmi. Që nga viti 2016, industria filmike në Kosovë ka funksionuar me një çmimore të papërditësuar

Në një sallë ku fjala ka shumë peshë, janë mbledhur zërat që e mbajnë gjallë kinemanë e vendit: regjisorë, producentë, aktorë e pjesëmarrës të tjerë të filmit. Të thirrur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, ata janë ulur përballë njëri-tjetrit të martën në amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, brenda Pallatit të Rinisë në Prishtinë, jo për të ndarë role, por për të kërkuar barazi. Me replika kryesisht të qeta, por nganjëherë edhe më të zëshme është përcjellë i gjithë diskutimi mes tyre për një çmimore të re që tenton të pasqyrojë realitetin ekonomik dhe dinjitetin profesional.

Që nga viti 2016, industria filmike në Kosovë ka funksionuar me një çmimore të papërditësuar, të ngrirë në kohë, derisa inflacioni, kostoja e jetesës dhe standardet rajonale kanë ecur përpara. Propozimi i ri, i hartuar nga Shoqata e Producentëve të Kosovës dhe i bërë publik për diskutim në këtë takim diskutimesh, ka synuar ta rrisë ndjeshëm vlerësimin financiar për punonjësit e filmit, duke përfshirë për herë të parë edhe pozitat më pak të dukshme, por thelbësore për realizimin e një filmi. 

Diskutimin për këtë propozim e ka udhëhequr filmbërësi Lum Çitaku, ish-ushtrues detyre i drejtorit të QKK-së, i cili në kuadër të këtij institucioni ka paraqitur në një projektor pasqyrën e çmimores së re dhe bashkë me Blerta Zeqirin, aktualisht drejtoreshë në QKK, producenten Valmira Hyseni, si dhe Liridon Cahanin, drejtor i Shoqatës së Producentëve të Kosovës, kanë qëndruar përballë të pranishmëve, gati për ta gjuajtur njëri-tjetrin me pyetje e me replika.

Në tabelën e re të propozuar, rritjet nuk janë vetëm simbolike. Ato reflektojnë përpjekjen për ta ngritur industrinë nga statusi i mbijetesës drejt një strukture që ofron siguri, meritë dhe profesionalizëm. Përveç kësaj, çmimorja e re përfshin vlera minimale të garantuara për çdo pozitë, duke synuar ta ndalë praktikën e pagave nën nivelin bazik dhe të krijojë një kuadër të drejtë pune për të gjithë pjesëmarrësit në prodhimin filmik.

Sipas draftit të ri të paraqitur nga Shoqata e Producentëve të Kosovës, vlerat e kompensimit për pozitat kyçe janë rritur ndjeshëm. Regjisori i një filmi të metrazhit të gjatë mund të paguhet deri në 27 mijë euro, në krahasim me 14 mijë euro sa ishte vlera maksimale në çmimoren e vitit 2016. Po ashtu, roli kryesor i një aktori propozohet të paguhet deri në 20 mijë euro, nga 10 mijë sa parashihte versioni i vjetër. Rritje të konsiderueshme janë paraparë edhe për drejtorin e fotografisë (deri në 17 mijë e 500 euro), montazherin (14 mijë euro), apo mjeshtrin e zërit (7 mijë euro). Ndërkohë, çmimorja e re përfshin edhe një kategori të re për vlerat minimale, të cilat garantojnë një pagë bazike të pakalueshme për secilën pozitë, masë që synon t’i ndalë praktikat e nënvlerësimit dhe shfrytëzimit profesional brenda kësaj industrie.

Përveç pozitave udhëheqëse, çmimorja e re adreson për herë të parë me qartësi edhe rolet teknike dhe ndihmëse që shpesh mbeten në hije, por që janë jetike për një produksion filmik. Asistenti i parë i regjisorit propozohet të paguhet deri në 8 mijë euro, ndërsa asistenti i dytë deri në 5 mijë e 300 euro. Një montazher zëri apo një kolorist në post-produksion mund të arrijë deri në 13 mijë 200 euro, ndërsa pozita si grimeri, rekuiziteri apo flokëtari kanë shifra që variojnë nga 4 mijë e 300 deri në 6 mijë e 100 euro. Për herë të parë, janë propozuar të caktohen qartë edhe pagesat ditore për figurantët, dublerët, rolet episodike e madje edhe për kaskaderët, duke krijuar një strukturë më gjithëpërfshirëse dhe më të drejtë në shpërndarjen e fondeve.

“Pse po insiston në atë 6000?”, ka qenë pyetja në lidhje me vlerën minimale të pagesës së aktorëve, të cilën aktori Astrit Kabashi ia ka drejtuar Liridon Cahanit, drejtor i Shoqatës së Producentëve të Kosovës. 

“Sepse është dy për qind e 300,000 euroshit”, ka qenë përgjigjja e tij. 

Kjo minimale nuk duket t’i ketë kënaqur të gjitha kategoritë e filmit, ndonëse, sipas producentes Valmira Hyseni, në çmimoren e re pikërisht aktorët kanë pësuar rritjen më të madhe, andaj pakënaqësia e shprehur nga ta nuk është e drejtë.

“Filmi është sport i shtrenjtë, e dimë krejt, edhe ka nevojë në krejt departamentet të investohet shumë dhe kur e ke mundësinë të kursesh diçka, ta qesësh në një departament tjetër, e bën, është për të mirën e filmit. Kur punon për shembull si producent, projekti është para teje, para shoqërisë, para krejt të tjerave është projekti, është më i rëndësishmi dhe duhet të mundohesh ta bësh më të mirën prej projektit, por kryesisht pati (diskutime) prej aktorëve më shumë, që mendoj se s’janë shumë të drejta, pasi rritjet më të mëdha që i kemi bërë në çmimoren e re, janë pikërisht tek aktorët”, ka thënë Hyseni për KOHËN pasi u është dhënë fund diskutimeve.

Ajo pretendon se është përcaktimi i vlerës minimale te kjo pasqyrë, ajo që nuk ua lejon filmbërësve të shkojnë përtej shifrave të caktuara.

“Ishte te vlera minimale më shumë që prapë, vlera minimale për një rol kryesor të cilin e kemi caktuar ne është shumë fer, për arsye se asnjë producent as kurrkush nuk do të mundet më pak se ajo, domethënë e garanton aktorin ose secilin punëtor të filmit e garanton që nën këtë shifër nuk do të shkohet”, ka shtuar producentja Hyseni tutje.

Drejtoresha e QKK-së, Blerta Zeqiri, ka theksuar rëndësinë e tubimit për këtë diskutim, duke qenë se deri tash është punuar me çmimoren e vitit 2016, që për ditët e sotme nuk është aspak aktuale.

“Realisht ky propozim ka ardhur kaherë prej komunitetit të filmit dhe prej Shoqatës së Producentëve, sepse ne kemi punuar deri tash me një çmimore shumë të vjetër të vitit 2016, e cila nuk përkon me realitetin aktual të prodhimit të filmit, kështu që kjo ka qenë një kërkesë e tyre dhe mandej ne e kemi parë të udhës që është mirë t’i biem të gjithë punëtorët e filmit bashkë dhe ta bëjmë një diskutim, të paktën të parin për këtë çështje dhe ta shohim se si qëndrojnë mendimet e tyre krahas punës dhe pagesave që i bëjnë”, ka thënë ajo.

Ka shtuar edhe se çmimoret e këtilla obligohet të përditësohen çdo dy vjet, por këtë e sheh si sfidë për institucionin që ajo e udhëheq, pa pasur ndihmën edhe të akterëve të tjerë të industrisë së filmit, andaj ajo e ka mirëpritur propozimin e Shoqatës së Producentëve për të ofruar zgjidhje për çmimoren e re.

“Ne e kemi për obligim që çdo dy vjet realisht ta ndërrojmë çmimoren, apo ta përditësojmë, për t’ia përshtatur tregut, por në të njëjtën kohë domethënë është diçka që është shumë e vështirë dhe nuk mund të bëhet vetë, duhet të bëhet në komunikim me të gjithë industrinë e filmit. Më pëlqeu pa masë propozimi që erdhi nga producentët dhe nga të pranishmit këtu që të krijohet në njëfarë mënyre një komision apo një grup punues, i cili do ta vazhdonte këtë punë tutje, për ta shikuar më thellësisht dhe për të ardhur me një rekomandim se çfarë çmimore duhet të jetë çmimorja e QKK-së”, ka treguar Zeqiri.

Ajo në njëfarë mënyre i ka përjashtuar kërkesat e aktorëve për pagesa, duke thënë se këto aspirata nuk mund të arrihen.

“Ne si Qendër Kinematografike e Kosovës jemi të vetëdijshëm se këto punë bëhen me subvencionim dhe në të njëjtën kohë nuk mund të kemi aspirata që të jenë pagesa shumë shumë të larta. Duhet të përkojnë me vendin tonë, me Kosovën, me çmime tona të jetesës dhe gjithçka, kështu që një punë e këtillë duhet të bëhet, pati shumë rekomandime të mira, tash do të provojmë sa më shpejt të reagojmë, për të ardhur deri te një çmimore që është – nëse jo ideale – e kënaqshme për të gjithë, duke qenë më e mirë se kjo që e kemi tash”, ka shtuar Blerta Zeqiri.

Pakënaqësitë për këto pagesa, duket se aktorët nuk i orientojnë direkt te kjo pasqyrë e çmimores së re. 

Aktorja Irena Aliu ka theksuar se interesi i shoqërisë së aktorëve është që të rritet buxheti i filmit në tërësi, të paktën në njëfarë mase sa është në vendet e rajonit.

“Jo veç unë, por të gjithë ne që merremi me këtë punë jemi shumë të interesuar që buxheti i filmit të rritet, të jetë pak më i madh, të jetë përafërsisht si i vendeve të tjera në rajon, bile t’u afrohet vendeve të tjera në rajon, që të mund të funksionojmë edhe ne si punëtorë që jemi pjesëmarrës të filmit. Po flas për krejt njerëzit që janë pjesëmarrës të filmit, edhe të mund ta kemi njëfarë komoditeti në punë dhe t’i kemi disa të drejta dhe disa të mira që i kanë edhe vendet e tjera”, ka thënë për KOHËN aktorja Aliu.

Diskutimi ka qenë një përballje me nevojën për standardizim, për dinjitet pune dhe për një përkujdesje institucionale që i mungon prej kohësh artit filmik në Kosovë. Rritja e çmimeve është vetëm një segment i barazisë në këtë fushë: më e rëndësishme është të ndërtohet një klimë ku krijimtaria nuk është sakrificë, por profesion i qëndrueshëm.