Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Besa Llugiqi si Mimi magjeps Bukureshtin, kritika e çon në piedestal

Besa Llugiqi në rolin e Mimisë nga “La Boheme” e Puccinit në Operën Shtetërore të Rumanisë, në Bukuresht

Besa Llugiqi në rolin e Mimisë nga “La Boheme” e Puccinit në Operën Shtetërore të Rumanisë, në Bukuresht

Nuk është e papritur që ajo të shkëlqejë në secilën skenë, dhe debutimi në skenën e Operës Shtetërore të Rumanisë është edhe një konfirmim i radhës. Sopranoja Besa Llugiqi me rolin e Mimisë në “La Boheme” të Puccinit ka dridhur Bukureshtin, e menjëhershme ka qenë kritika, njësoj sikurse ftesat e radhës. “Nuk është veç sukses individual, por edhe si dëshmi se edhe një shtet i ri si Kosova ka kapacitet që prezantohet nga një soprano e madhe si Llugiqi që kultivon trashëgiminë lirike të Evropës”, shkruan njëri. “Të them të drejtën jam befasuar, sepse po flasim për një institucion ku niveli artistik është absolutisht prej më të mirëve dhe kam qenë e rrethuar me artistë të atij niveli”, ka thënë Llugiqi për KOHËN

Në institucionin ku standardi artistik konsiderohet prej më të lartëve në rajon e përtej, zëri i sopranos Besa Llugiqi është kombinuar bukur me skenën madhështore të Operës Shtetërore të Rumanisë. Kritika vlerëson artikulim të saktë muzikor dhe pa të metë të interpretimit të saj e veshur në karakterin e Mimisë nga “La Boheme” e Puccinit. E ngrohtë dhe e brishtë, por edhe e fuqishme, ajo është vlerësuar si Mimi e natyrshme në skenë.

Paraqitja e suksesshme në Bukuresht e njërit prej zërave qendrorë të këndimit lirik në vend, është çelës për të hapur dyer të reja të suksesshme në karrierën e saj operistike.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Vetë Llugiqi e përjeton suksesin nga mbrëmja e debutimit të saj të enjten si shtysë për të ecur përpara. Reagimet e publikut, komentet pozitive dhe ftesat e reja për interpretimet e ardhshme për të janë jo veç vlerësim, por edhe përgjegjësi. Edhe motiv për të punuar edhe më fort.

“Mora edhe të tjera ftesa për interpretimet e ndryshme. Jemi në kontakt se për çfarë. Mendoj se ata u ndanë shumë të kënaqur, janë shumë pozitivë, sidomos për përgatitjen time teknike, mënyrën se si kam interpretuar, nuancimin, timbrin, vokalin e të tjera. Është gjë pozitive për mua e karrierën time dhe besoj që tutje do të vazhdoj me interpretime të roleve të tjera”, është shprehur Llugiqi në një bisedë me KOHËN, duke lënë të kuptohet se ky debutim është fillimi i një etape bashkëpunimesh me Operën Shtetërore të Rumanisë.

“Ka pasur kritika shumë pozitive. Të them të drejtën jam befasuar, sepse po flasim për një institucion ku niveli artistik është absolutisht prej më të mirëve dhe kam qenë e rrethuar me artistë të atij niveli. Kjo më ka bërë të ndihem shumë e privilegjuar dhe më ka inspiruar shumë të interpretoj akoma më mirë për shkak të energjisë që kam pasur përreth, nivelit artistik e profesionalizmit që ky teatër ka. Pesha ka qenë e madhe, por energjia pozitive, përgatitjet e mia gjatë gjithë kësaj kohe dhe jo vetëm, më kanë dhënë shumë besim që interpretimi dhe e gjithë performanca ime të vlerësohen pozitivisht, e që edhe ndodhi pastaj”, ka thënë Llugiqi nëpërmjet një telefonate nga kryeqyteti rumun.

Debutimi i sopranos nga Prishtina në këtë skenë, pos për karrierën e saj personale, ka shënuar moment të rëndësishëm edhe për njohjen e artistëve nga Kosova.

Sipas kritikës së sociologut rumun, Bogdan Bucur, fakti që një soprano e formuar në Kosovë performon në Bukuresht një nga rolet kanonike të repertorit italian, konfirmon forcën e rrezatimit të qytetërimit muzikor evropian. Sipas tij, prania e Llugiqit në Bukuresht nuk është veç sukses individual, por edhe si dëshmi se edhe një shtet i ri si Kosova ka kapacitet që prezantohet nga një soprano e madhe si Llugiqi që kultivon trashëgiminë lirike të Evropës.

Besa Llugiqi si Mimi dhe Andrei Petre në rolin e Rudolfos në “La Boheme” në Operën Shtetërore të Rumanisë, në Bukuresht

Sociologu rumun, Bogdan Bucur, e ka cilësuar ndërtimin e personazhit të Mimisë si “rigorozitet stilistik i patëmetë”, duke e vendosur sopranon në traditën autentike të lirikës puçiniane.

“Frazimi kontrollohet, frymëmarrja dozohet mirë, dhe timbri i ndritshëm dhe homogjen, shmang çdo tepricë duke iu dhënë përparësi koherencës së vijës melodike dhe ekspresivitetit të brendshëm. ‘Sì, mi chiamano Mimì’ bëhet kështu jo vetëm një arie prezantimi, por edhe një mikro-fjalim i vërtetë identik, në të cilin rrezikshmëria e personazhit artikulohet përmes mjeteve të sakta muzikore, jo nga efektet e lehta”, ka vlerësuar Bucur.

Edhe kritiku i artit Tudor-Costin Sicomaș e ka vlerësuar lart performancën e saj, duke e quajtur Llugiqin “një Mimi natyrale”.

“Ajo rrezaton ngrohtësi dhe brishtësi që në hapin e parë në skenë. Edhe pse tejet i fuqishëm dhe me një ngjyrë të veçantë, zëri i saj arrin të shprehë ëmbëlsinë e këtij karakteri dhe ti e ndien se e tërë qenia jote shkrihet në momentin kur ndien bujarinë, butësinë dhe kapacitetin e dashurisë së vajzës së re që i dha jetë Besa Llugiqi. Forca e karakterit vjen natyrshëm nga mënyra në të cilën sopranoja përcillte një gamë kaq të gjerë emocionesh të rolit, duke kombinuar teknikën e përsosur vokale me një lojë skenike sa më natyrale”, ka vlerësuar ai.

Besa Llugiqi ka qenë në Bukuresht për prova me regjinë prej së dielës, pasi rolin e ka perfeksionuar kaherë. Vepra është gati e rregullt në programet vjetore të Llugiqit, fituese e çmimit “Grand Prix” në konkursin ndërkombëtar “Elena Nikolai” në Bullgari, në vitin 2013. Ky çmim shpërblente fituesin me një rol operistik. Kësisoj, sopranos së lindur në Prishtinë iu dha mundësia për ta jetësuar Miminë në Operën Shtetërore të Stara Zagorës. Prej asaj kohe e ka pasur në repertor gati çdo vit me të njëjtin institucion.

Roli i Mimisë njihet për ndjeshmërinë e thellë emocionale dhe kërkesat e larta vokale. Është një nga figurat më ikonike të repertorit operistik botëror dhe për të kërkohet interpretim që ndërthur teknikën, ndjeshmërinë dhe dramën. Krejt këto bëhen një në paraqitjen e Llugiqit duke qenë e brishtë, poetike dhe thellësisht emocionale për dy orë e gjysmë.

Salla magjepsëse në të cilën ka interpretuar është e stilit klasik me kate dhe korridore me kapacitet prej 952 ulësesh. Ndërtesa e Operës Rumune në Bukuresht është e listuar në Regjistrin Kombëtar të Monumenteve Historike të Rumanisë.

Por pos magjisë e bukurisë së skenës, akustikës së duhur, mjeshtërisë së performuesve, e veçantë ka qenë edhe energjia e kastit dhe instrumentistëve.

“Raporti mes nesh u bë sikur njiheshim shumë më gjatë, jo qe tri-katër ditë. Bëri të vijë gjithçka shumë natyrshëm, jo e sforcuar. E kemi shijuar skenën, nuk e kemi ndier presionin e interpretimit. Duket sikur të futesh në një botë tjetër dhe gjithçka funksiononte. Është e magjishme kur ke mundësinë të rrethohesh me një atmosferë të tillë dhe të funksionosh me një sintezë midis artistësh. Është e rrallë, sinqerisht. Mbrëmë ka pasur një energji të tillë e që ka reflektuar edhe te publiku, sipas komenteve të shumta që kemi marrë”, është shprehur Llugiqi.

Mjeshtri i shquar rumun, Daniel Jinga e drejton pjesën muzikore, ndërsa regjinë e ka përsipër Ionel Pantea.

Roli i Llugiqit ka përcjellë historinë e dashurisë, por edhe tragjedinë që i ngjan në rini. Për dy orë e tridhjetë minuta, prezenca në skenë e Llugiqit si Mimi ka qenë në qendër bashkë me protagonistin tjetër Rudolfo, që e ka luajtur tenori rumun, Andrei Petre.

Shfaqja lirike me katër akte çon publikun në Paris, duke kthyer kohën prapa për më shumë së një shekull. Së pari herë u shfaq në Torino në vitin 1896 dhe që atëherë është pjesë e pashmangshme e repertorit operistik. Është një prej veprave më të luajtura në botë.

Në rolin kryesor të saj, zëri i sopranos Besa Llugiqi nuk ishte vetëm interpretim, por edhe afirmim i mjeshtërisë së saj.

VIDEO: