Vitet që po vargoheshin njëri pas tjetrit po e bënin të veten. Duke u ronitur po vinte edhe dufi i dikurshëm për mjeshtërinë e profesionit të regjisorit. Ishte nga pak sfilitëse të qëndroje me orë të tëra në këmbë, duke marrë e dhënë gjithfarë andrallash të tjera.
Rikard Ljarja, ai i cili kishte pushtuar zemrat e publikut si hero i filmave të kinostudios “Shqipëria e Re”, po bëhej më meditativ me moshën. Është thënë se tradita shqiptare e filmit nuk mund të kuptohet pa emrin, fjalën, gjestin, zërin dhe profilin e tij unik. Mbi 25 role, ku përmenden mes tjerash edhe ai i Skënder Gurit (“Dueli i heshtur”, 1967), Naimit (“Plagë të vjetra”, 1969), Deda (“Rrugë të bardha”, 1974), Rikard Ljarjën e përjetësuan si një nga emrat e përveçëm të kinematografisë shqiptare. I thjeshtë e madhështor në modestinë e tij, siç e kanë vlerësuar disa nga miqtë e tij, ai megjithatë nuk e kishte braktisur botën e artit.
Prej vitesh, letërsia ishte bërë vokacion shprehjeje për të. Romani i tij i parë më 1999, “Në një humbëtirë këtej rrotull” nuk mund të quhej bash debutim i mirëfilltë në botën e letërsisë. Ai kishte çdo të drejtë ta shihte kalimin në botën e letërsisë si fare të natyrshëm pa shkallmuar mëdyshje brenda vetes. Kishte bërë skenarin e plot filmave e shfaqjeve, prandaj nuk do të mungonin as situata të tilla kur ndonjë lexues mbyllte vrikthi librin, sepse atë që po e lexonte e kishte parë diku me një film të vetë autorit, shkruan KOHA.
Letërnxirja e skenarëve, sipas artistit shkodran, ishte një “letërsi e veçantë që duhet të shihet, meqë flet me figurë”. “Letërsia ka një lidhje me kinemanë duke huazuar prej njëratjetrës. Sot është një letërsi që vërtet ndikohet prej kinemasë duke folur thuajse me figurë”, kishte shpjeguar Ljarja në një intervistë me gazetaren Arta Marku, dhënë për RTVSH-në më 15 janar 2016.
Pas një “dueli” të pamundur me një sëmundje të rëndë, artisti Rikard Ljarja vdiq mbrëmjen e së hënës, 19 ditë pasi kishte mbushur 77 vjet. Njeriut që nuk ishte shkëputur nga kinemaja e teatri që nga viti 1965, vetëm pak njerëz arritën t’ia jepnin lamtumirën e fundit. Jo bora, acari apo peripecitë e tjera që i viheshin përpara në filmat e tij të njohur, por “regjimi” i pandemisë nga virusi COVID-19 bëri që kortezhi i tij të përcillej vetëm nga familja e ngushtë dhe pak miq. Në vend të vajeve e homazheve, duartrokitjet e fqinjëve nga blloku në zonën e ish-ekspozitës në Tiranë ishin përshëndetja e fundit me artistin e dashur. Ashtu siç kishte qenë amaneti në të gjallë të tij, Varrezat e Rrmajit në Shkodër u zgjodhën si vendprehja e përjetshme e trupit të tij.
Mehmetaj: “Një njeri i gjithanshëm”
Viti 1992 ishte i tjetërsojtë për Shqipërinë. Ajo që kishte nisur fillimisht si regëtimë me protesta studentore po i avitej një kthese vendimtare. Regjimi komunist, dhe një botë e tërë bashkë me të, po shembej për të lënë pas vetes një trashëgimi të dhimbshme me plagoma të rënda shoqërore. Më shumë sesa çmallje, ardhjen në Tiranë po e shijonte për diçka tjetër. Gazetari i “Rilindjes”, Gani Mehmetaj, po bëhej gati të takonte Rikard Ljarjën, që deri atëherë e kishte njohur vetëm përmes ekranit. “Me Rikardin kam ndenjur shpesh e kemi biseduar për probleme nga më të ndryshmet”, zë e kujton fare nostalgjik Mehmetaj.
Vetëm disa ditë pas vdekjes së mikut të tij, ai është i prerë në vlerësimin e tij: Rikardi ishte ndër aktorët më të mirë të kinematografisë shqiptare, me namin edhe të regjisorit e skenaristit.
“Ishte një fatkeqësi që në këtë kohë pandemie, ku nuk mund t’i bëjmë nderet e fundit, vdiq një aktor i madh”, shton ai. Interpretimet e artistit herë si fillrojtësi Dedë në filmin “Rrugë të bardha” (1974), si partizani Dritan Shkabaj në “Komisari i dritës” (1966) apo Perlati në “Ngadhënjim mbi vdekjen” (1967), ndiqeshin me interesim edhe në Kosovë. “Shumicën e filmave të tij i kam parë kur ishte e ndaluar dhe më kanë pëlqyer. I kam rishikuar edhe më vonë dhe sërish më patën bërë përshtypje të njëjtit”, thotë Mehmetaj.
Nëntorin e kaluar në Tiranë ai ishte pushtuar nga marazi kur miku i tij regjisor, Saimir Kumbaro, i kishte thënë se Rikardi kishte zënë shtratin. Kjo e prapësoi nga vizita që kishte ndërmend t’i bënte, se nuk i bënte zemra ta shihte në atë gjendje.
“Ishte një njeri i gjithanshëm edhe nga interpretimi, regjia e skenari, por edhe nga letërsia”, thotë Mehmetaj.
Pa fshehur përshtypjet e thella për mikun e tij shkodran, dramaturgu nga Prishtina sërish ka treguar për takimin e vitit 1992, gjatë të cilit kishte realizuar edhe një intervistë me Rikardin. “Është një intervistë që kur e rilexoj ende më duket shumë aktuale dhe interesante dhe i qëndron kohës. Janë mendimet e një artisti të madh që flet edhe për krijimtarinë e vet artistike, edhe për regjinë, sidomos ka konsiderata ndaj kolegëve të tij regjisorë, si Dhimitër Anagnosti e Viktor Gjika”.