Për pak minuta përmes brushës realizoi lehtë e pa sforcim një portret: mes vijash të trasha me ngjyrë të kaltër u ravijëzua autoportreti i tij. Nga atelieja e tij e vogël në pjesën veriore të Mitrovicës, Rasim Rexhepagiq ka shpalosur rrëfimin e tij personal, ëndrrat e pasionet e tij.
Në pasditen e së enjtes, videoja e tij online ka shënuar ditën e gjashtë me radhë të “Javës së Evropës”, e bashkorganizuar nga Zyra e BE-së dhe “Shtëpia e Evropës” në Prishtinë. 25-vjeçari nga Mitrovica – i cili aktualisht është student i vitit të katërt në Degën e pikturës – e ka nisur rrëfimin e tij me një biografi në vetën e parë. E enjtja e “Javës së Evropës” është përmbyllur me historinë e pianistes së shquar Ardita Statovci. Fëmijëria e Rexhepagiqit në Mitrovicën e izoluar
Fëmijërinë e tij në qytetin e ndarë, Rasim Rexhepagiq e ka krahasuar me karantinën e sotme, por me “disa arsye pak më banale”. Duke iu referuar Ditës së Evropës, piktori i talentuar nga Mitrovica ka veçuar momentet se si Evropa kishte ndikuar në zhvillimin e tij artistik. Pasi një organizatë holandeze kishte hapur para shumë vjetëve Shkollën e Rockut, Rexhepagiqi do të niste të luante me bateri si pjesë e grupit “Fanky Pop Project”.
“Qëllimi i shkollës në atë kohë ishte të bashkonte të rinjtë për t’i edukuar me muzikë e t’i largonte nga rruga e asaj karantine banale, në mënyrë që së bashku të luajmë, të shoqërohemi e t’i thyejmë në njëfarë mënyre të gjitha paragjykimet”, ka thënë ai.
Njohja me shumë artistë nga Evropa kishte pasuruar përvojën e të riut mitrovicas: muzikantë e artistë holandezë do t’i rrëfenin atij për Rembrandtin e Vincent van Goghun. Mu në këto bashkëbisedime kishte lindur edhe dashuria në pikturë – kjo bëri që të regjistrohej në Akademinë e Arteve të Bukura.
“Për fat të keq nuk kam udhëtuar shumë në Evropë, por kam bërë shumë hulumtime përmes internetit dhe librave. Edhe në shumë festivale kam takuar njerëz nga pjesë të ndryshme të Evropës, të cilët m’i përshkruanin disa pjesë specifike të cilat i kam parë në internet”, ka thënë piktori e muzikanti mitrovicas.
Ndërsa ka shprehur padurimin për ditën kur do të udhëtojë drejt Evropës për t’i parë qytetet, muzetë, urat e kështjellat e saj, ai ka porositur fëmijët që internetin ta shfrytëzojnë në dobi të tyre, sepse, siç ka thënë ai, “ndoshta do të zbulojnë talentin për të cilin i pret Evropa”.