Historia njeh kryevepra që lindën në kohë përballjesh me të keqen. Nëse ato ishin një lloj katarsisi, është çështje debati. Por, është e dukshme që sot janë mundësi për tërheqje paralelesh. Se si ndikon në krijimtari gjendja e tanishme e përballjes me pandeminë, përgjigjen përkthyes, shkrimtarë dramaturgë e muzikantë. Anila Xhekaliu i rikthehet “Murtajës” së Camusit, shkrimtari Gëzim Aliu thotë se tronditjet e mëdha gjithnjë kanë nxjerrë vepra të mëdha artistike. Për Memli Kelmendin “jeta e kompozitorit është një karantinë…”. “Ai ‘ankthi’ i fillimit ngadalë është zvetnuar dhe tani abnormalja ka nisur të bëhet normale”, thotë dramaturgu Jeton Neziraj. Për jazz-pianistin Ilir Bajri, arti “edhe në fund e tejkalon çdo kufizim fizik”
Kakofonia e pacaktuar e zërave, e gjithë zallahia e qyteteve shqiptare është ndërprerë si pas një gjëme apokaliptike. Por, në këtë heshtje duket sikur “flasin” zëshëm mendime, përsiatje, arratisje e krijime.
“Kjo kohë është e përshtatshme për leximin e librave më shumë sesa për krijimtarinë, sado që në dukje të ngacmon krijimin”, thotë Anila Xhekaliu.
Studiuesja e letërsisë dhe përkthyesja, ditët në karantinë po i shfrytëzon për të rilexuar “Murtajën” e Albert Camusit, që për të është një mundësi për të reflektuar edhe më shumë për gjendjen e vetizolimit.
“Po e jetoj si lexuese e një libri”, tregon ajo për përshtypjet mbi romanin e shkrimtarit francez, tek i cili gjen “shumë pikëtakime, për të mos thënë, që përkojnë që nga fillimi deri në fund”. “Jemi të gjithë personazhe të qytetit të Oranit, kemi po ato frika e mëdyshje, endemi mes një ekzistencializmi e absurdi po të njëjtë, ndajmë të njëjtat ndjesi e abstraksione, me të vetmin ndryshim se nëse personazhet e Camusit nuk kishin teknologjinë e sotme të komunikimit, kishin të vetmen formë komunikimi me të afërmit e largët telegramet, ne mund të komunikojmë me të gjithë botën në çast”, raporton KOHA.
“Banorë të një qyteti neutral…”
Për përkthyesen e Barthesit, Modianos, Louisit e shumë emrave të tjerë nga “republika” franceze e letrave, sot ne jemi “banorë të një qyteti neutral”, ku e gjithë bota është si një qytet që lexohet vetëm në një libër.
Citon vetë Camusin që e kishte përshkruar si “qytet pa trazira, pa bukuri e pa shpirt, që pak nga pak nis e të duket çlodhës e të zë gjumi”. Edhe vetë syrgjynosja, sipas shkrimtarit francez të lindur në Algjeri, kishte diçka të veçantë se secili qe syrgjyn në shtëpinë e vet.
“Në syrgjynin universal, ata ndiheshin më të syrgjynosurit”. Camus i kishte ftuar lexuesit e tij për ta lexuar “Murtajën”, si metaforë që aludonte me përhapjen e fashizmit dhe nazizmit teksa po konsolidonin pushtetet e tyre: Musolini në Itali, Hitleri në Gjermani dhe Franko në Spanjë.
Një kronikë që jep rezistencën dhe mosrezistencën e popujve kundrejt pushtimit.
“E megjithatë, duke na i treguar ngjarjet nga këndvështrimi i njerëzve të thjeshtë, na përafron dhe humanen. Na le të kuptojmë dhe situatën politike të kohës. Dhe si roman që përfshihet te romanet e ciklit të revoltës në krijimtarinë e tij, nënkupton dhe luftën kundër absurdit të kësaj bote për t’i dhënë kuptim jetës sonë. Pra, përballjen me këtë absurd. Në njëfarë mënyre, a nuk po përballemi!?”, thotë Xhekaliu.
E pasionuar pas letrave franceze e universit filozofik të më të mëdhenjve atje, ajo thotë se kjo periudhë evetizolimit është e mirë për të reflektuar më fort për veten dhe të tjerët, për hapësirën dhe kohën, për sistemet ku jetojmë, harmoninë dhe prishjen e saj. Si rimë paralele me ditët tona, Camus te “Murtaja”, duke satirizuar babëzinë për paranë, kishte shkruar se “bashkëqytetarët tanë punojnë shumë, por gjithmonë për t’u pasuruar”.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar.