Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Arben Idrizi, në garë për Çmimin Letrar të BE-së me rrëfimin e njeriut në luftë

Arben Idrizi

Shkrimtari Arben Idrizi është nominuar për Çmimin Letrar të Bashkimit Evropian. Vepra prozaike “Njeriu që habitej dhe tregime të tjera” e ka futur në garë për këtë çmim me traditë, i cili u hap dyer zërave krijues si një iniciativë për të forcuar kulturën evropiane, e që u nda për herë të parë në vitin 2009. Idrizi, është në mesin e 14 të nominuarve.

“Njeriu që u habit dhe tregime të tjera”, në ueb faqen zyrtare të Çmimi Letrar të Bashkimit Evropian përshkruhet si një vepër “që shqyrton dhunën, traumën dhe habinë si kushte ekzistenciale të jetës njerëzore përballë historisë”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Në qendër qëndron figura e Isak Kodrës, i mbijetuar i një masakre lufte, i cili, pasi ka dëshmuar të paimagjinueshmen, mbetet i ngrirë në një gjendje të përhershme habie. Nëpërmjet kësaj narrative dhe një serie tregimesh të lidhura tematikisht, libri ndërton një univers të errët në të cilin dhuna nuk është thjesht ngjarje, por një mënyrë e të menduarit, të kujtuarit dhe të ekzistuarit”, shkruhet në përshkrimin e veprës.  Po aty shkruhet se portretizimet e Arben Idrizit “paraqesin luftën, pushtimin, dëbimin, vrasjet arbitrare dhe absurditetin e historisë, duke lëvizur nga realiteti konkret historik drejt dimensioneve alegorike dhe metafizike”.

Në biografinë e poetit shkrimtarit e përkthyesit Idrizi, njëri prej zërave më unikë të brezit të tij, shkruhet se ai është autor i njëmbëdhjetë librave, dhjetë përmbledhje poetike dhe një vëllim me tregime të shkurtra. “Vepra e tij është botuar nga disa shtëpi botuese të njohura rajonale dhe pasqyron një angazhim të vazhdueshëm me rrymat bashkëkohore letrare evropiane. Përveç krijimtarisë së tij origjinale, Idrizi ka përkthyer në shqip vepra të rëndësishme të autorëve të njohur evropianë, përfshirë Valerio Magrelli, Tino Caspanello, Roberto Calasso, Giacomo Leopardi dhe Cesare Pavese”, shkruhet aty.