Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Apeli ia ul dënimin për krime lufte Millosh Pleskoviqit

Millosh Pleskoviq

Foto: Driton Paçarada

Gjykata e Apelit ia ka ulur dënimin nga 15 në 10 vjet burgim, Millosh Pleskoviqit, i akuzuar për veprën penale “krime lufte kundër popullsisë civile” të cilat i ka kryer në Prizren.

Pleskoviq akuzohej nga Prokuroria Speciale, se në bashkëkryerje me persona të tjerë ka kryer vrasjen e tre personave, përfshirë dy djemtë e Mihrije Daçajt.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas Apelit, dënimi prej 10 vjet burgim konsiderohet proporcional, i drejtë e i mjaftueshëm për të arritur qëllimin e dënimit.

Pretendimin e mbrojtjes së të akuzuarit Pleskoviq se dënimi i shqiptuar është i ashpër dh se rrethanat lehtësuese nuk janë marrë parasysh ne mënyrë të duhur, kolegji i Gjykatës se Apelit e ka vlerësuar si të bazuar.

Sipas aktgjykimit të shkallës së dytë, në vlerësimin e rrethanave lehtësuese, ka thënë se Gjykata e shkallës së parë nuk gjeti asnjë rrethanë lehtësuese në rastin konkret. Ndërsa si rrethana rënduese, Gjykata e shkallës së parë e vlerësoi rrezikshmërinë dhe vlerën e mbrojtur shoqërore, mënyrën e kryerjes së veprës, faktin se i akuzuari këtë vepër e ka kryer nga cilësia e pjesëtarit të angazhuar në forcat serbe, edhe pse nuk ka qenë polic ose ushtarë i rregullt, si dhe faktin se viktimat nuk i kanë kontribuar fare veprës, ata ishin civilë.

Sipas aktgjykimit të shkallës së dytë, ekzistojnë rrethana me karakter lehtësues qe ndikojnë drejtpërdrejt në shkallën individuale të përgjegjësisë penale të të akuzuarit.

“Së pari, përgjegjësia penale e të akuzuarit është konstatuar në formën bashkëkryerjes, çka nënkupton pjesëmarrje në një grup prej 7 – 8 persona të armatosur dhe jo kryerje personale të aktit final. Mungesa e të provuarit se i akuzuari vetë ka ndërmarrë veprimin konkret që ka shkaktuar vdekjen e viktimave ka peshë juridike në procesin e matjes së dënimit, pasi, në përputhje me parimin e individualizimit, përgjegjësia penale duhet të vlerësohet sipas kontributit konkret dhe rolit real të tij në bashkëkryerje, dhe jo vetëm në bazë të pasojës përfundimtare të veprës. Në këtë kuptim, pjesëmarrja në një veprim të përbashkët nuk barazohet automatikisht, në aspektin e dënimit, me kryerjen personale të aktit që ka shkaktuar vdekjen, por kërkon vlerësim të diferencuar të shkallës individuale të përgjegjësisë”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Në vendim thuhet se Gjykata e Apelit merr parasysh edhe rolin e të pandehurit në kuadër të bashkëkryerjes.

“Nga provat e administruara nuk është vërtetuar se i pandehuri ka pasur rol organizues, drejtues apo komandues, as se ka udhëhequr apo urdhëruar bashkëkryerësit. Përgjegjësia e tij lidhet me pjesëmarrjen në bashkëkryerje, por jo me ushtrim të autoritetit apo rol udhëheqës, rrethanë që sipas parimit të individualizimit të dënimit ka rëndësi në përcaktimin proporcional të lartësisë së dënimit”, thuhet në aktgjykimin e shkallës së dytë.

Sipas Apelit, në aktgjykimin e Themelores nuk janë konstatuar rrethana të veçanta rënduese individuale që do të tregonin intensitet të shtuar të fajësisë personale.

Sipas Gjykatës, si rrethanë relevante e ka vlerësuar edhe faktin se i akuzuari, në kohën e kryerjes së veprës ka qenë në moshe të re, përkatësisht 19 vjeçar, rrethanë që sipas standardeve të individualizimit ndikon në vlerësimin e pjekurisë dhe shkallës së autonomisë në vendimmarrje dhe në lartësinë e dënimit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, e ngritur më 7 qershor 2024, Millosh Pleskoviq mbahet përgjegjës për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.

Në aktakuzë thuhet se familjareve u ishte lejuar t’i merrnin trupat një javë pas vrasjes dhe se dy prej viktimave ishin vendosur njëri mbi tjetrin. Po ashtu në aktakuzë thuhet se njërit prej viktimave i është prerë koka e tjetrit këmba.

Millosh Pleskoviq ishte dënuar më 15 vjet burgim, në korrik të vitit 2025.

Pleskoviqi ishte arrestuar më 29 shtator të 2023-s nga Policia e Kosovës. Prokurori Special, Ilir Morina, pati nxjerrë aktvendimin për fillimin e fazës së hetimit ndaj Pleskoviqit, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se më 1 shtator të 1998-s, në afërsi të lagjes “Hoqa Mahalla” në Prizren, gjatë kohës së luftës, i mobilizuar dhe i armatosur, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, ka kryer krim të luftës kundër popullatës civile të nacionalitetit shqiptar, me ç’rast, bashkë me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, ka vrarë tre civilë shqiptarë.