Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

“Të paktën një vend ku të vendosen lulet” - tre martirë të masakrës së Kralanit rivarrosen në Klinë

Masakra e KRalanit - Masar Dushi, Fadil Elezi, Bali Gashi,

Nën përcjelljen e pjesëtarëve të FSK-së dhe në prani të familjarëve e qytetarëve të shumtë, janë rivarrosur në Klinë tre të zhdukurit me forcë në Masakrën e Kralanit. Një ditë pas identifikimit të mbetjeve të tyre mortore e pak ditë para 27-vjetorit të masakrës, familjarë të të rivarrosurve thanë se tani të paktën e kanë një vend për t’i nderuar më të dashurit e tyre

27 vjet pas luftës, mbetjet mortore të Masar Dushit, Fadil Elezit e Bali Gashit, të zhdukur me forcë gjatë masakrës së Kralanit, janë rivarrosur të premten në Varrezat e Dëshmorëve në Klinë.

Trupat e tyre u identifikuan në prag të shënimit të 27-vjetorit të masakrës, pasi u  zhvarrosën nga varreza masive në Bishtazhin të Gjakovës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Para ceremonisë së rivarrimit, familjarët pritën qytetarë të shumtë në Qendrën e Kulturës në Klinë, që bënë homazhe në nderim të martirëve. Arkivolet e tyre u mbuluan me flamuj kombëtarë, ndërsa pranë tyre qëndruan ushtarë të FSK-së.

U mbajt më pas edhe një akademi përkujtimore.

Aty, kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, tha se pas afro tri dekadash pritje, tre martirët do të pushojnë në vendlindje.

“Ky rivarrim nuk e shuan dhimbjen, as nuk i kthen pas vitet e pritjes së gjatë, por u jep familjeve një vend ku të vendosin një lule për më të dashurit e tyre. Nga 140 persona të pagjetur nga Komuna jonë, 66 janë identifikuar si të vrarë, ndërsa për 74 të tjerë ende nuk dihet fati. Këto nuk janë thjesht shifra. Janë emra, janë histori, janë familje që çdo mëngjes zgjohen me të njëjtën pyetje të pazgjidhur”, tha Elezaj.

Përfaqësues të Shoqatës së Personave të Zhdukur me Dhunë të Komunës së Klinës përmendën personat që ende figurojnë të pagjetur.

“Sot kanë mbetur edhe afër 1.500 varre të hapura, që nëse nuk janë të hapura në tokë, janë në zemrat tona, që presin kaq gjatë mbetjet e më të dashurve tanë. Një trup i gjetur do të thotë një varr i mbyllur, do të thotë ndërrim nga dhimbja, nga ankthi i pafund, një fund të dhembshëm që megjithatë do të thotë një lehtësim sado i vogël”, u shpreh Ramë Manaj nga Shoqata e Personave të Zhdukur të Komunës së Klinës.

E Florinda Gashi, mbesë e Bali Gashit, që foli në emër të tri familjeve, i kujtoi idealet e xhaxhait të saj për Kosovën e lirë.

“Diku ai e kishte shkruar një fjalë që sot jehon më fort se kurrë. Liria ka me ardhë në vitin 2000, po unë a do të jem gjallë. Ky nuk ishte veç një dyshim personal, po ishte zani i një brezi që u detyru me u përballë me pasiguri shumë herë, një brez që nuk kishte frikë nga e ardhmja, por që e dinin që e ardhmja nuk ishte e garantuar. Ai s’e dinte a kishte me pa lirinë dhe paqen. Po sot liria e Kosovës merr frymë falë tij, falë Fadilit, Masarit e shumë të tjerëve për të cilët ende nuk dihet fati i tyre”, tha ajo.

E, Naxhie Dushi të premten e rivarrosi djalin e axhës, Masarin, porse ende nuk di gjë për fatin e vëllait të saj, Nazmiut.

Ai ishte 26 vjeç kur u zhduk me dhunë nga forcat serbe dhe ende mbetet i pagjetur.

E motra, Naxhia thotë se ankthi i pritjes prej afro tri dekadash ka qenë shumë i vështirë për familjen.

“Shpesh si motër e tij qaj me zë, po kam nevojë ta di të paktën eshtrat e tij, të paktën ta qaj e të bisedoj me të sikur kam biseduar dikur kur ishte gjallë, kur ishte në jetë. Sepse e kam pasë një shok të mirë vëllain tim dhe më kujtohen ato ditë se gjithmonë, çdo gjë që kam pasë në jetë veç me të e kam nda. E tash është kah më mungon shumë. Nëse i gjejmë eshtrat e tij, të paktën të vij dhe të qaj me të bashkë”, u shpreh Naxhie Dushi.

Dhimbjen e njëjtë e ndan edhe motra tjetër, Remzija, që shpreh pikëllim se prindërit e saj vdiqën me mallin për fëmijët.

“Këtë dhimbje deshta ta shtoj se më kanë ndërru jetë prindërit, me mall të vëllezërve që na shkuan. Thojke bile ta kisha ditë varrin ku e ka, një lule t’ua qojmë. E sot unë po them se e gjetëm Masarin, po tash na ka mbetë edhe Nazmia që të paktën një ditë ta dimë edhe varrin e tij. Mirëpo dhimbja më e madhe se prindërit, axhallarët e gratë e axhallarëve kanë shku me mall të tyre se nuk kanë ditë ku e kanë varrin”, tha Remzie Dushi.

Rivarrosja në Klinë e mbetjeve mortore të tre martirëve, 27 vjet pas masakrës së Kralanit, u solli lehtësim sado të vogël familjarëve.

“Pa dyshim që është dhimbje por më në fund pasi ky ankth përfundoi, megjithatë shpresoj që tash ndihem pak më lehtë se ndodhi qysh ka ndodhë, prandaj edhe pavarësisht prej tyre, më në fund përfundoi ajo. Pushojnë të qetë në dheun e Kosovës së lirë, kështu që po shpresojmë që e ardhmja është e sigurt bazuar në sakrificën e këtyre njerëzve që sot iu dhamë lamtumirën e fundit”, u shpreh Musli Mazreku, nip i Masar Dushit.

Vitin e shkuar janë varrosur tetë viktima të masakrës së Kralanit, që u zhdukën me dhunë nga 4 prilli i 1999-s. Atë ditë, në Kralan u masakruan 87 civilë shqiptarë, një numër i madh i të cilëve janë ende të zhdukur.

Kufomat e mijëra civilëve të vrarë gjatë luftës janë marrë nga forcat serbe me qëllim të fshehjes së krimeve dhe janë dërguar në vende të panjohura.

Shumë prej tyre janë gjetur në varreza masive në Serbi. E edhe mbi 1 mijë e 500 të tjerë rezultojnë të zhdukur.