Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Ankesa kthen në “lojë” procesin për restaurimin 22-milionë eurosh të Bibliotekës

Ndërtesa e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës e projektuar nga arkitekti kroat, Andrija Mutnjakoviq, është në funksion prej vitit 1982

Ndërtesa e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës e projektuar nga arkitekti kroat, Andrija Mutnjakoviq, është në funksion prej vitit 1982

Me arsyetimin se grupi i kompanive që ka përgatitur të vetmen ofertë për punimet me vlerë prej 22 milionë eurosh s’i plotëson kriteret e kërkuara, Ministria e Kulturës në prill anuloi procesin e prokurimit për restaurimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Por ankesa e bërë në Organin Shqyrtues të Prokurimit publik nga kompania lider e konsorciumit ka bërë që procesit t’i hapen letrat prapë

Ministria e Kulturës në fillim të muajit të kaluar ka anuluar procesin e prokurimit për restaurimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Këtë e ka bërë me arsyetimin se grupi i kompanive që ka përgatitur të vetmen ofertë për punimet me vlerë prej 22 milionë eurosh s’i plotëson kriteret e kërkuara. Por ankesa e bërë në Organin Shqyrtues të Prokurimit publik nga kompania lider e konsorciumit ka bërë që procesit t’i hapen letrat prapë. 

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit anulon aktivitetin e prokurimit me titull: ‘Punë për zbatimin e projektit të hollësishëm [zbatues kryesor], të arkitekturës dhe inxhinierisë, për konservimin dhe restaurimin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në Prishtinë, në Republikën e Kosovës’”, njoftonte Ministria e Kulturës në fillim të prillit për procesin e nisur qysh në gusht të vitit të kaluar. Grupi i kompanive që ofertuan janë “Limitproject SH.P.K”, “Rinesa SH.P.K”, “Delta - CCD SH.P.K” dhe “Alping SH.P.K”. Ofertuan që restaurimin ta bëjnë për 21 milionë e 956 mijë e 811 euro.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas arsyetimit të vendimit të Ministrisë së Kulturës, pas vlerësimit të ofertës, komisioni ka konstatuar se operatori ekonomik nuk e ka plotësuar kërkesën e kapacitetit teknik profesional. Sipas MKRS-së, është dashur të ofrohet dëshmi e kompetencës për përvojën e mjaftueshme në sektorin përkatës, dhe për këtë qëllim, duhej dëshmuar se gjatë tre vjetëve të shkuar ka zbatuar kontrata të arkitekturës dhe inxhinierisë, për konservimin dhe restaurimin e aseteve të trashëgimisë kulturore në shumën prej së paku 5 milionë eurove. E po ashtu, është kërkuar edhe dëshmi pune për zbatimin e projekteve të hollësishme të arkitekturës dhe inxhinierisë për ndërtimin ose renovimin e ndërtesave publike në shumën prej së paku 10 milionë eurove.

“Te secili anëtar i grupit të operatorëve ekonomikë është llogaritur vlera financiare e projekteve të ngjashme dhe pas vlerësimit nuk ka arritur të përmbushë vlerën financiare prej 5 milionë eurove... Grupi i operatorëve ekonomikë për këtë kriter ka ofruar dëshmi në lista të kontratave, kontrata të ngjashme që kapin vlerën totale prej 4 milionë e 925 mijë eurosh”, shkruhet në arsyetimin e vendimit. Po ashtu, sipas arsyetimit, del se nuk është plotësuar as kriteri i 10-milionëshit, pasi grupi i operatorëve ekonomikë ka sjellë dëshmi që kapin vlerën e 6 milionë e 651 mijë eurove.

“Ne e kemi marrë atë vendim por tash ta shohim se si do të ecë procedura pasi mund të ketë ankesa”, i kishin thënë KOHËS asokohe në Ministrinë e Kulturës.

Krejt konstatimet e MKRS-së i ka kundërshtuar “Limitproject SH.P.K”. Sipas kësaj kompanie ata kanë dokumentacion se vetëm në fushën e trashëgimisë kulturore kanë realizuar punime në vlerë prej 6.4 milionë eurosh. Kurse punë ndërtimi dhe renovimi në vlerë prej 8.4 milionë euro. Pretendimet në ankesë janë se bashkëpunëtorët e tjerë po ashtu kanë kontrata publike që kapin shifrat për 3,4 dhe 2 milionë euro. 

“Vendimi i Autoritetit Kontraktues për eliminimin e Operatorit Ekonomik dhe anulimin e aktivitetit të prokurimit është i kundërligjshëm, arbitrar dhe i mbështetur në një vlerësim të deformuar të fakteve dhe kritereve të Dosjes së Tenderit. Ky vendim nuk përfaqëson një ushtrim të ligjshëm të diskrecionit administrativ, por një devijim të qartë nga dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik dhe parimet themelore të tij”, shkruhet në ankesë. Kompani po ashtu ka edhe disa pretendime të tjera që lidhen me menaxhimin e procesit të prokurimit nga Ministria e Kulturës për këtë rast. Kompania i kërkon Organit Shqyrtues të prokurimit publik që të anulojë vendimin për eliminimin e operatorit ekonomik, të anulojë vendimin për anulimin e procedurës së prokurimit, dhe “të kthejë lëndën në rivlerësim të drejtë, të plotë dhe në përputhje me Ligjin për Prokurimin Publik”. 

Në prill drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova-Gaxha, kishte thënë se tenderi është anuluar, ngaqë Konsorciumi i Operatorëve Ekonomikë, si i vetmi aplikues në tender nuk i ka plotësuar kriteret e përzgjedhjes, kritere të shpallura në Dosjen e tenderit publik nga Ministria.

“Ndërhyrja është e domosdoshme, megjithatë, duke pasur parasysh kompleksitetin e objektit dhe statusin e tij si trashëgimi kulturore nën mbrojtje të përhershme, procesi i konservimit dhe renovimit kërkon një qasje të kujdesshme, të përgjegjshme dhe të bazuar në standardet më të larta profesionale, me synim ruajtjen e autenticitetit dhe identitetit të ndërtesës”, kishte thënë ajo.

Kryetari i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, akademik Bardh Rugova kishte thënë se nuk është e domosdoshme të bëhet asgjë shpejt.

“Disa probleme të sotme janë pasojë e asaj që në krye të herës është punuar shpejt e shpejt. Mirëpo, urojmë që punët të kryhen sa më me sukses”, kishte thënë Rugova.

Ndërtesa e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës e projektuar nga arkitekti kroat Andrija Mutnjakoviq është në funksion prej vitit 1982. Më 26 maj 1982, Biblioteka Kombëtare e Kosovës filloi punën në ndërtesën e re atëkohë, duke e simbolizuar me akademik Esad Mekulin si lexuesin e parë. Përurimi solemn i këtij objekti bëhet më 25 nëntor 1982, në Ditën e Bibliotekës. Biblioteka është ndërtuar në një strukturë katërkatëshe, me një sipërfaqe totale prej 16 mijë e 500 metrash katrorë nga të cilat 13 mijë e 500 metra katrorë janë sipërfaqe të shfrytëzueshme.

“Ndërtesa karakterizohet nga një kompozim kubesh të mbështjellë me një membranë skeletore çeliku, që në kombinim me ndriçimin zenitor përmes kupolave, siguron ndriçim të bollshëm dhe mbrojtje nga izolimi i tepruar. Kjo strukturë është krijuar për të ofruar kushte optimale për ruajtjen dhe aksesin në fondet e mëdha të bibliotekës”, shkruhet në ueb-faqen e institucionit.

Arkitekti kroat, Andrija Mutnjakoviq, në nëntor të vitit 2024 qe i pranishëm në shënimin e 80-vjetorit të themelimit të BKK-së. Në një prezantim e bashkëbisedim me studentët e arkitekturës në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës, akademiku Mutnjakoviq kishte thënë se krejt projektet i ka punuar duke pasur në plan të parë njeriun. Për Bibliotekën kishte thënë se nuk ishte vizion aksidental.

“Evropa është e vogël dhe ka identitetin e vet arkitekturor. Pjesa jonë e Evropës ka për bazë arkitekturën bizantine. Ka një traditë të gjatë të formave bizantine. Drita natyrore është menduar të jetë e gjithanshme. Aspekt tjetër është në lidhje të gjithmonshme me natyrën”, kishte thënë Mutnjakoviq.

Sa u përket ndërhyrjeve në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, një prej intervenimeve të fundit ishte ai i vitit 2020 kur u bë izolimi i kulmit. Me afro 200 mijë euro qe sanuar një problem i kahershëm.