Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Alban Muja do ta tematizojë migrimin në Bienalen e Sharjahut

Nga 21 janari deri më 13 qershor të vitit të ardhshëm, bienalja do të mbledhë 109 artistë e pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës, duke trajtuar temat e kujtesës, modernitetit, migrimit dhe tensioneve sociale e politike të së sotmes

Nga 21 janari deri më 13 qershor të vitit të ardhshëm, bienalja do të mbledhë 109 artistë e pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës, duke trajtuar temat e kujtesës, modernitetit, migrimit dhe tensioneve sociale e politike të së sotmes

Dy veprat e artistit i përshtaten konceptit të edicionit të 17-të të një prej ngjarjeve të rëndësishme të artit bashkëkohor në botë, në Emiratet e Bashkuara Arabe çojnë historinë e punëtorëve të huaj duke shpalosur narrativën e migrimit nga Kosova në vendet e Evropës. Tema e edicionit të ardhshëm - “What remains, sits restive” - fokusohet te mbetjet e projekteve të papërmbushura të modernitetit dhe mënyra se si ato vazhdojnë të ndikojnë të tashmen

Temën qendrore të Bienales së Sharjahut, që fokusohet në historitë e së kaluarës që vazhdojnë të përndjekin të tashmen, do ta zbërthejë me veprat e tij edhe Alban Muja. Dy veprat e artistit i përshtaten konceptit të edicionit të 17-të të një prej ngjarjeve të rëndësishme të artit bashkëkohor në botë, në Emiratet e Bashkuara Arabe çojnë historinë e punëtorëve të huaj duke shpalosur narrativën e migrimit nga Kosova në vendet e Evropës. 

Tema e edicionit të ardhshëm - “What remains, sits restive” - fokusohet te mbetjet e projekteve të papërmbushura të modernitetit dhe mënyra se si ato vazhdojnë të ndikojnë të tashmen. Nga 21 janari deri më 13 qershor të vitit të ardhshëm, bienalja do të mbledhë 109 artistë e pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës, duke trajtuar temat e kujtesës, modernitetit, migrimit dhe tensioneve sociale e politike të së sotmes.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Muja ka bërë me dije se është ftuar nga kuratorja armene, Angela Harutyunyan, e cila është njëra prej dy kuratoreve të këtij edicioni, së bashku me Paula Nascimento. Ai ka treguar se projektet që do të prezantojë në bienale lidhen me fenomenin e migrimit ekonomik dhe jetën e punëtorëve të huaj. 

“Unë jam ftuar nga kuratorja Angela Harutyunyan, dhe pas vizitës qe kemi bërë në Sharjah dhe në vende të tjera të Emirateve, kemi vendosur që të sjellim projekte të cilat në fakt lidhen me njëra-tjetrën”, ka thënë ai për KOHËN. 

Bëhet fjalë për një vepër që do të punohet posaçërisht për bienalen dhe një tjetër ekzistuese. 

“Një projekt ekzistues dhe një vepër në hapësirë publike që do e trajtojnë fenomenin e ‘gasterbajterëve’ (punëtorëve të huaj), ku ndërtimi i shtëpive bëhet një mënyrë për të materializuar sakrificën dhe suksesin e tyre jashtë vendit. Gjithsesi, këtu tentojmë të nxjerrim një paralele midis perëndimit në Evropë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe”, ka treguar Muja 

Ai do të marrë pjesë në këtë edicion krahas emrave të njohur të skenës ndërkombëtare të artit, ndër ta edhe artisti shqiptar, Anri Sala. Vetë artisti e ka cilësuar pjesëmarrjen si një moment të rëndësishëm në karrierën e tij artistike.

“Sot është njëra ndër më të rëndësishmet në skenën e artit”, është shprehur artisti Muja, një prej emrave më të njohur të artit bashkëkohor nga Kosova në arenën ndërkombëtare. Praktika e tij artistike shpesh trajton tema që lidhen me identitetin, historinë kolektive, tranzicionin shoqëror dhe ndikimin e politikës në jetën e përditshme. Punët e tij janë prezantuar në ekspozita dhe bienale të rëndësishme ndërkombëtare, ndërsa filmi i tij “Mua besoj më shpëtoi portreti” pati premierën botërore në prestigjiozin “Berlinale, në janar të vitit të kaluar.

Tema qendrore e bienales “What remains, sits restive” fokusohet te mbetjet e projekteve të papërmbushura të modernitetit dhe mënyra se si ato vazhdojnë të ndikojnë të tashmen. Në qasjen e tyre kuratoriale, Angela Harutyunyan nga Armenia dhe Paula Nascimento nga Angola eksplorojnë trashëgiminë e modernitetit socialist dhe betejat anti-koloniale nga perspektiva e periferive të modernizimit, duke pyetur nëse arti mund të aktivizojë ende potencialin emancipues të këtyre projekteve të së kaluarës.

“E tashmja jonë është e trazuar nga ajo që mbetet nga e kaluara e pajetuar, nga projektet e mposhtura, por të pavdekura të një moderniteti të bazuar në emancipimin universal. Në vend që të jenë pasive dhe të fjetura, këto mbetje vazhdojnë ta gjallërojnë të tashmen me ritmet e tyre të trazuara, duke formësuar politikën e kohës dhe hapësirës. Historitë rishfaqen dhe qëndrojnë, jo si përsëritje e pastër, por si mbetje dhe procese të transformuara që informojnë në mënyrë aktive të tashmen”, shkruhet në konceptin kuratorial duke bërë me dije se tema bashkon dy qasje të ndryshme nga të dy kuratoret. 

“A mund të përballet arti me guaskën e fortë të alienimit të vonë kapitalist duke aktivizuar atë që mbetet nga këto projekte emancipuese?” është pyetja që ngrit Harutyunyan e që synon të gjejë përgjigje në veprat e 55 artistëve pjesëmarrës të përzgjedhur prej saj. Pjesëmarrësit, përfshirë Mujën, do të angazhohen që me veprat e tyre të paraqesin perspektivat e tyre mbi “mjetet dhe format e përfaqësimit për një realitet të mbushur me kontradikta”. 

Ndërkohë, kuratorja Paula Nascimento sjell një qasje që fokusohet te infrastruktura, kujtesa dhe hapësira si mënyra për të kuptuar dhunat e heshtura dhe proceset e shtypjes kulturore.
Bienalja do të zhvillohet në disa lokacione në të gjithë Sharjahun, emirati i treti më i madh nga shtatë të tilla. Sharjah njihet si qendra kulturore e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe është shtëpia e më shumë se 20 muzeve, universiteteve të shumta, Institutit Afrikan, Akademisë së Arteve Performuese të Sharjah dhe Trienales së Arkitekturës së Sharjah. Në vitin 1998, u emërua “Kryeqyteti Arab i Kulturës” nga UNESCO dhe është shpallur “Kryeqyteti Botëror i Librit”, po ashtu nga UNESCO për vitin 2019.
I themeluar në vitin 1993, Bienalja u riorientua rrënjësisht në vitin 2003 nën udhëheqjen e Hoor Al Qasimi, figurë e shquar e artit arab, për t’u përqendruar kryesisht në porositjen e veprave specifike për vendin dhe në nxitjen e një dialogu të thellë midis artistëve nga vendi dhe pjesa tjetër e botës.
Organizuar nga Fondacioni i Artit Sharjah, bienalja konsiderohet si një prej platformave më të rëndësishme globale për artin bashkëkohor, veçanërisht për artistët që trajtojnë çështje politike, sociale dhe historike përmes praktikave artistike eksperimentale. Në prezantimin e tyre, fondacioni konsiderohet si avokues, katalizator e prodhues i artit bashkëkohor në Sharjah, në dialog me komunitetin ndërkombëtar të artit.