Ekspozita e Agjencisë Telegrafike duket se po zgjon kureshtje jo të vogël. Agjencia raporton se qindra turistë të huaj janë ndalur të vizitojnë me kërshëri ekspozitën e çelur në Kalanë e Tiranës nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, me temë “ATSH – Një rrugëtim në historinë e lajmit shqiptar”.
Gjatë vizitës në ekspozitë, e cila u hap të shtunën, të shoqëruar nga stafi i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, turistët e huaj shijuan nga afër fotografitë e realizuara ndër vite nga fotografët e të vetmes agjenci zyrtare të lajmeve në vend, e cila, përmes fotoreporterëve dhe gazetarëve të saj, ka shkruar historinë e lajmit në Shqipëri.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoDy vajza nga Italia u shprehën se ekspozita i kishte mahnitur, pasi aty kishin gjetur jo vetëm fotografi të rralla, por edhe pajisje të vjetra me të cilat dikur përpunoheshin fotografitë në ATSH.
“Kjo ekspozitë është shumë informuese; tregon anë të Tiranës dhe të historisë së Shqipërisë që ne nuk i njohim. Ka detaje fantastike, të cilat nuk i gjen as në internet. Edhe makinat për përpunimin e fotove janë mjete që nuk i kemi parë kurrë më parë”, citohen një grup vajzash italiane.
Një turiste nga Republika Çeke e cilësoi vizitën në ekspozitë si një udhëtim në historinë e Shqipërisë përmes syrit të fotoreporterit. Ndërkohë, një turist nga SHBA-ja, Kalifornia, vlerësoi modernizimin e Tiranës, ndërsa ekspozitën e cilësoi si një moment emocionues të udhëtimit të tij.
“Kjo është dita ime e parë në Shqipëri dhe u surprizova nga Tirana, bukuria dhe moderniteti i saj. Të shohësh këtë ekspozitë është mjaft emocionuese; është si të udhëtosh në histori dhe është shumë bukur të shohësh, përmes këtyre fotove, ndryshimin që ka pësuar vendi”, u shpreh turisti nga SHBA.
Një çift turistësh nga Italia u shpreh se Tirana ka vende mjaft tërheqëse, ndërsa shtuan se kjo ekspozitë ishte një surprizë e këndshme gjatë vizitës së tyre të dytë në Shqipëri.
“Kjo është hera e dytë që vijmë në Shqipëri. Kemi parë një Tiranë moderne. Ka vende mjaft tërheqëse, siç është edhe kjo ekspozitë, një surprizë e bukur, të cilën ua sugjerojmë edhe turistëve të tjerë. Këtu flitet shumë mirë edhe italisht”, citohet të kenë thënë ata.
Një çift nga Gjermania tha se u kishin tërhequr vëmendjen fotografitë që dokumentojnë eksodin e shqiptarëve gjatë viteve ’90.
“Është një ekspozitë shumë interesante. Ka foto nga eksodi i shqiptarëve gjatë viteve ’90, të cilat dokumentojnë historinë e Shqipërisë dhe momentet më kritike të saj”, thanë ata.
Ekspozita e hapur nga ATSH, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave (DPA), sjell një pasqyrë të plotë të historisë së informacionit në Shqipëri, duke dokumentuar transformimin e lajmit si mjet komunikimi publik, instrument institucional dhe pjesë e kujtesës kombëtare.
Në çeljen e ekspozitës, drejtoresha e përgjithshme e ATSH-së, Valbona Zhupa, vlerësoi se ekspozita është gjithashtu një homazh për njerëzit që e kanë ndërtuar ATSH-në ndër dekada. Ajo është edhe një reflektim mbi rolin e informacionit në shoqëri, sfidat e epokës digjitale dhe rëndësinë e institucioneve të besueshme në ndërtimin e së ardhmes.
Nga dokumentet e para të shtypit shqiptar te krijimi i ATSH-së si institucioni qendror i lajmit, ekspozita sjell fragmente të historisë së informacionit në Shqipëri përmes fotografive, dokumenteve dhe dëshmive arkivore që kanë shoqëruar momentet më të rëndësishme të vendit.
Mes materialeve të ekspozuara gjenden marrëveshje historike të ATSH-së me agjenci ndërkombëtare, ligji i shtypit i vitit 1931, dokumente mbi transmetimin e lajmit në periudha lufte, fotografi të gazetarëve në terren, materiale që pasqyrojnë zhvillimin institucional të lajmit ndër vite, si dhe ballina gazetash të botuara gjatë periudhës 1945–1990.
Pjesë e ekspozitës janë gjithashtu makinat e para të transmetimit, fotografitë e dala nga laboratorët bardh e zi të ATSH-së, radiostacionet e hershme, buletinet, telegrafët dhe njerëzit që kanë qenë pas lajmit.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun edhe në ditët në vijim, në ambientet e Kalasë së Tiranës.
Sot, ATSH bashkëpunon me mbi 35 agjenci dhe institucione ndërkombëtare mediatike, përfshirë “Agence France-Presse”, “ANSA”, “Deutsche Presse-Agentur”, “EFE”, “Anadolu Agency” dhe “Austria Presse Agentur”.
ATSH është gjithashtu anëtare e “European Newsroom”, “European Alliance of News Agencies”, “Alliance of Mediterranean News Agencies” dhe “Association of Balkan News Agencies – Southeast Europe”.
Institucioni disponon një arkiv me mbi 300 mijë fotografi dhe negativë filmikë, që datojnë nga viti 1913 deri më sot, ndërsa procesi i digjitalizimit të tyre vijon.