Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Mbyllet për publikun seanca, Kokalla pyetet për jetën private të Ademajt e Murselit

kushtrim kokalla

Është mbyllur për publikun seanca ku i akuzuari Kushtrim Kokalla po paraqet mbrojtjen e tij. 

Kjo u bë pasi Kokallës do t'i parashtrohen pyetje për jetën private të Liridona Ademajt dhe Naim Murselit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Vrasja e Ademajt, Kokalla: S’kam bërë asnjë marrëveshje, s’e kam takuar as Naimin e as Granitin

I akuzuari në rastin për vrasjen e Liridona Ademajt, Kushtrim Kokalla, ka thënë para gjykatës se nuk ka bërë asnjë marrëveshje me dy të akuzuarit e tjerë, Naim Murseli, e Granit Plava. 

Ai është përgjigjur në pyetjet nga avokati i tij, Ndrecë Dodaj. Ky i fundit e ka pyetur nëse ka takuar Murselin e Plavën. 

“Unë nuk i kam taku as me Granitin, as nuk kam bërë asnjë marrëveshje. Nuk kam pasur lidhje me këtë far punë, që e kam taku Naimin me Granitin, për kryerjen e veprës”, është përgjigjur Kokalla.

Dodaj e ka pyetur për deklaratën fillestare që ka dhënë në Polici më 1 dhjetor 2023. Kokalla ka thënë se atë ditë është intervistuar nga “4-5” hetues dhe se ata i kishin thënë se ishte i arrestuar për veprën. 

“Po kemi pasë. Me tregun që më kanë arrestu. Me thanë që ti je kryesori ne këtë punë, edhe pse se ke ngreh gishtin, ti e ke bo të gjithë skenarit, është në interesin tonë dhe tuajin që të na tregosh si e ke bërë skenarin”, ka thënë Kokalla, duke shtuar se në ato momente nuk ka qenë prezent avokati i tij.

Avokati më tej e ka pyetur rreth takimeve të Kokallës me Murselin dhe Plavën, i cili ka pohuar se është takuar me ta. Kokalla ka thënë se e kishte thirrur Murseli në shtëpinë e tij në Bërnicë dhe se prej atje ishte takuar më pas në Prishtinë me Plavën dhe me këtë të fundit janë kthyer në Gjakovë. 

Dodaj e ka pyetur se pse e kishte ftuar Murseli Kokallën në shtëpi. 

“Arsyeja ka qenë sa me më mbajt afër për shkak se më herët kam marr kredi 25 mijë që më ka kërkuar Naimi dhe ajo ka qenë arsyeja me më mbajt më afër”, u përgjigj Kokalla. 

Sipas Kokallës, Murseli e ka përcjellë atë deri te një pompë dhe aty është takuar me Plavën, derisa shtoi se nuk është i sigurt për njohjes mes Murselit dhe Plavës. 

Siç ka thënë Kokalla, në pompë janë takuar të tre por se nuk është biseduar për diçka konkrete përpos “biseda të rëndomta”, dhe se aty kanë qëndruar “5-10 minuta”. 

Kokalla u përgjigj tutje se po atë natë pas kthimit nga Prishtina, Murseli ia ka kërkuar numrin e telefonit të Plavës. 

“Më duhet të potencoj, që pasi kemi ardhë në shtëpi tona, më ka shkruar Naimi në WhatsApp dhe e ka kërkuar numrin e Granitit dhe unë ja kom përcjell numrin e tij”.

Avokati i ka kërkuar përgjigje edhe për takimin e dytë mes të treve, për çka Kokalla ka thënë se ishin takuar rreth 5 ditë pas takimit të parë. Siç ka thënë Kokalla, Plava kishte shkuar me veturë që ta marrë Kokallën dhe i kishte thënë që “është ka na pret Naimi dhe kemi vazhduar bashkë e kemi takuar Naimin”. Takimi kishte ndodhur në një pompë te kryqi i Klinës. 

Sipas Kokallës, takimi ka zgjatuar “20 minuta jo më gjatë”.

“Aty kur kemi shkuar me Granitin, jemi ulur. Naimi mi ka dhënë 300 euro për pagesë të kredisë, pasi kom marr kredi për Naimin, ndërsa një shumë prej 500 euro, ia ka dhënë Granitit. Nuk më kujtohet diçka, veç ia ka dhënë, i ka thënë kënaqu. Graniti në prezencë time nuk ia ka kërku, ky ia dhënë vet. Unë mbeta i shokuar nga ky veprim”, ka thënë Kokalla.

Në ditën kritike të vrasjes, kur ai është takuar me Murselin, Kokalla ka thënë se Murseli i kishte treguar se ka pasur probleme me Liridona Ademajn. Sipas tij, "problemet e Naimit dhe Liridonës që i kanë pasë, i ka ditë edhe familja Ademaj edhe familja e Naimit". 

Avokati e pyeti për deklaratën e dhënë në Polici që Kokalla ka thënë se Murseli i kishte shprehur se: “sot duhet të kryhet kjo punë”. 

“Tash unë a është e vërtetë, që e kam dhënë atë deklaratë siç më ka thënë Naimi, duke aluduar në vrasjen e gruas së tij”, u përgjigj Kokalla. 

Kokalla ka pretenduar se Policia nuk i ka futur në procesverbal të gjitha ato që i ka deklaruar ai.

Kokalla ka shtuar se nuk e ka njohur Tom Dodajn dhe se për herë të parë e ka parë në Gjykatë.

Ndërsa, ka thënë se nuk ka qenë në dijeni për takimet e Murselit me Plavën. 

“Nuk kam qenë në dijeni për lëvizjet e tyre, çka kanë bërë e kah janë shku, për herë të parë këtu i kam parë”.

Kokalla ka treguar se pse kishte qëndruar në hotel me Murselin natën kritike. Ai ka thënë se Plava e kishte ftuar atë natë që të shkonin në një diskotekë në Prishtinë, por se ky kishte refuzuar me arsyetimin se “kam rast”. 

“Kur ka dalë Naimi prej stacionit, ka dalë me Valon Llukën. Normal qe e ngushëlluam ne, familja Ademaj. Valon Lluka e mbante për krahu. Pasi familja Ademaj i morën fëmijët. Valoni më tha a po qëndron ti me Naimin në hotel. Valon Lluka e ka paguar dhomën e hotelit, siç kemi qëndruar në dhomë. Se unë nuk kam kushte të paguaj dhoma të hotelit luksoze. Pas jemi shku në dhomë, ka qëndruar edhe Valon Lluka aty. Valoni ka qëndruar 1 orë ose 1 orë e gjysmë. Deri sa ka qëndruar Valoni nuk kemi biseduar diçka për rastin”, u përgjigj ai para gjykatës.


Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur paraqitja e mbrojtjes së të akuzuarit në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, Kushtrim Kokalla. Pyetjet ndaj tij kanë nisur nga avokati i tij, Ndrecë Dodaj.

Sipas aktakuzës, Kokalla ngarkohet se në bashkëkryerje me të pandehurit Naim Murseli dhe Granit Plava ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Sipas aktakuzës, pasi që Naim Murseli, ka kërkuar nga Kushtrim Kokalla që të gjejë mundësi për vrasjen e Liridona Ademajt dhe ai ka refuzuar, Kushtrimi ka gjetur të pandehurin e dytë, Granit Plava, me të cilin e ka njoftuar Naim Murselin. Të tre akuzohen se janë dakorduar që Graniti ta kryejë vrasjen me marrëveshje që Naimi t’i paguajë kompensim në shumë prej 30 mijë euro. Dyshimet janë se Murseli me datë 29 nëntor 2023 ka siguruar armën e zjarrit, të cilën ia ka dhënë Plavës, e që armën e ka përdorur për vrasjen e të ndjerës Liridona Ademajt.

Gjithashtu, i akuzuari Kushtrim Kokalla ngarkohet edhe për veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.

Në deklaratën e dhënë në polici më 1 dhjetor 2023, i pandehuri Kokalla kishte deklaruar se nga viti 2019 është pjesëtar i FSK-së. Ai ka thënë se Naim Murselin e ka djalë të dajës dhe të hallës, ndërsa Granit Plavën e ka bashkëfshatar dhe se njihen qysh kur kanë qenë të vegjël.

“Naimi që afër një vit mua më ka lutur që ta kryej këtë vrasje unë. Atëherë unë i kam thënë nuk vjen në shprehje që ta bëjë këtë punë unë dhe mos më thuaj më asnjëherë”, pati deklaruar ai.

Një ditë më herët, në Gjykatë, i akuzuari Granit Plava tha se kishte marrëveshje me të akuzuarin Naim Murseli për ta marrë përgjegjësinë për këtë krim. Ai tha se Murseli i kishte premtuar veturë, pagë e punë të sigurt dhe se do të lirohej për dy vjet nga burgu.