Kronikë

Tentoi të përfitojë nga familjarët duke thënë se u rrëmbye, arrestohet i dyshuari në Prishtinë

Arrestim

FOTO: Ilustrim

Një person dyshohet se ka tentuar të përfitojë nga familjarët e tij duke pretenduar se është rrëmbyer. 

Rasti ka ndodhur në Prishtinë, teksa Policia ka njoftuar se familjarët e të dyshuarit kanë raportuar në orët e para të së dielës se ai është rrëmbyer nga persona të panjohur që nga 30 prilli dhe nga ajo datë nuk kanë pasur kontakt të drejtpërdrejtë me të. 

Sipas denoncimit, Policia ka njoftuar se rrëmbyesit e pretenduar, përmes mesazheve të dërguara kanë kërkuar një shumë të caktuar të parave, në këmbim të mirëqenies së viktimës, por doli të jetë skemë dhe pas gjetjes së viktimës, është kuptuar se ai vetë ka dërguar mesazhet kërcënuese. 

“Menjëherë pas denoncimit, specialistë nga njësia e hetimeve të përgjithshme në Prishtinë, në koordinim me prokurorin e shtetit kanë filluar ndërmarrjen e veprimeve hetimore me qëllim të ndriçimit të rrethanave të ngjarjes. Si rezultat i hetimeve intensive dhe veprimeve të koordinuara policore, rreth orës 13:00, është arritur të lokalizohet vendndodhja e viktimës së pretenduar, mashkull, rreth 45 vjeç, i cili është gjetur i vetëm në një veturë në rrugën ‘Vëllezërit Fazliu’ në Prishtinë. I njëjti është shoqëruar për intervistim në stacionin policor dhe pas verifikimeve të kryera, është konstatuar se nuk kemi të bëjmë me veprën penale të rrëmbimit. Në fakt, personi në fjalë vetë kishte dërguar mesazhet kërcënuese drejt familjes me qëllim të sigurimit të një shume të caktuar parash për përfitime personale”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Më tej bëhet e ditur se në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit, po ndërmerren të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rastit dhe për ndjekjen ligjore të personit në fjalë, për veprimet mashtruese dhe për shqetësimin e shkaktuar familjes dhe institucioneve ligjzbatuese.