Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë identifikuar dhe intervistuar të gjithë personat e përfshirë në një zënkë mes dy grupeve në rrugën “Fahri Fazliu” në Prishtinë më 31 janar.
Në atë zënkë një person kishte përdorur veturën duke lënduar tre persona. Po ashtu ishte përdorur arma e zjarrit.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një person, me inicialet A.T. ndodhet në paraburgim prej 30 ditës ndërsa 4 të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt. Po ashtu ka njoftuar se janë realizuar tri bastisje në lokacione të ndryshme dhe janë konfiskuar dy armë dhe prova shtesë. Është iniciuar hetim në drejtim të "Vrasje në tentativë", "Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm" dhe "Mbajtja e paautorizuar e armëve".
“Si rezultat i punës intensive hetimore: Janë identifikuar dhe intervistuar të gjithë personat relevantë të përfshirë në rast; Janë siguruar video-incizime nga kamerat e sigurisë dhe prova të tjera materiale; Janë realizuar tri bastisje në lokacione të ndryshme; Janë konfiskuar dy armë zjarri dhe prova shtesë me rëndësi për procedurën penale; Janë identifikuar gjithsej pesë persona të dyshuar; njëri prej tyre, me iniciale A.T., është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim prej 30 ditësh, ndërsa katër persona të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar fuqishëm në garantimin e rendit, ligjit dhe sigurisë publike, duke mos toleruar asnjë formë dhune apo rrezikimi të jetës së qytetarëve”, ka njoftuar Policia e Kosovës.