Kronikë

Masë paraburgimi ndaj policit hetues dhe një qytetari për veprën penale të fajdesë

Gjykata Themelore në Ferizaj të enjten e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj policit hetues Kadri Kadriu në Ferizaj dhe qytetarit me iniciale F.R., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale të fajdesë. Ndërkaq, ndaj qytetarit me iniciale B.R. është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin për Krime të Rënda, Mustaf Tahiri, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Kadriu, në maj të vitit 2017, ka pranuar shuma joproporcionale të parave, në këmbim për paratë e dhëna në shërbim, duke e shfrytëzuar gjendjen e vështirë financiare të personit tjetër, në atë mënyrë që i ka dhënë 20.000 euro me kamatë mujore prej 3 për qind.

Pas këtij rasti, monitoruesit e institucioneve të drejtësisë në Ferizaj kanë kërkuar që hetimet të zgjerohen me arsyetimin se mund të ketë edhe policë të tjerë që keqpërdorin detyrën zyrtare.

Kenan Gashi, drejtor në OJQ “Avonet”, ka thënë se rasti i fundit tregon se brenda institucioneve publike ka edhe njerëz të tjerë që kryejnë vepra të tilla penale në kundërshtim me ligjet në fuqi.

“Rastet e tilla duhet të trajtohen dhe të hetohen edhe më gjerë, sepse nuk është rasti i vetëm, andaj ne shpeshherë kemi shqetësime dhe kemi informacione që janë të informuar edhe Inspektorati Policor që zyrtarët e Policisë abuzojnë, keqpërdorojnë dhe në të njëjtën kohë tejkalojnë kompetencat e tyre”, deklaron Gashi.

Sipas Gjykatës Themelore në Ferizaj, qytetari me iniciale F.M. kishte paguar kamatë për çdo muaj nga 600 deri në 800 euro ndaj policit hetues, i cili ka përfituar shumën totale prej 17.800 eurosh, si dhe obligimin për ta kthyer borxhin kryesor në shumë prej 20.000 eurosh.

Edhe i pandehuri me inicialet F.R. dyshohet se në Ferizaj ka pranuar shuma joproporcionale të parave, në këmbim për paratë e dhëna në shërbim, në atë mënyrë që brenda viteve 2017-2018 i ka dhënë 22.000 euro para në shërbim të dëmtuarit me iniciale F.M., duke përfituar dobi pasurore në shumë prej 24.300 eurosh, si dhe obligimin për ta kthyer borxhin kryesor.

Inspektorati Policor i Kosovës, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, ka thënë se arrestimi i zyrtarit policor është bërë në flagrancë pas një hetimi të përbashkët me zyrtarët e Drejtorisë së Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pranë Policisë së Kosovës.